Dibra i sheh si rrugëdalje oborret e shkollave nga kaosi urban gjatë verës

    Fotografi ilustruese

    Komuna Dibër edhe këtë verë ballafaqohet me probleme të mëdha rreth sigurimit të parkingjeve në qytet. Për këtë shkak me vendim të kryetarit të komunës Hekuran Duka, oborret e shkollave në qytet janë të hapura për parkimin e automjeteve. Kjo bëhet me qëllim që tani kur në vendlindje kanë filluar të arrijnë një numër i madh i mërgimtarëve dhe mungesa e parkingjeve ndjehet në çdo cep të qytetit. Poashtu janë adaptuar edhe lokacione të tjera ku qytetarët dhe mërgimtarët mund të parkojnë automjete. Dibra tanimë disa vite ndjen problemin e mungesës së parkingjeve dhe ndërkohë pushteti vendor planifikon ndërtimin edhe të një parkingu të madh.

    Në seancën e fundit të këshillit të komunës Dibër mori drit; jeshile vendimi për tu hapur edhe oborret e shkollave për parkimin e automjeteve. Duke u debatuar rreth mungesës të parkingjeve, kryetari i komunës Hekuran Duka informoi këshilltarët se nga fillimi i muajit korrik përveç vendeve të caktuara për parking siç janë pjesa e rrugës qendrore “8 Shtatori”, pjesa e sheshit “Skënderbeu”, pjesë të tjera para institucioneve dhe lokacioni në afërsi të çerdhes “Breshia”, si mundësi për parking është adaptuar edhe oborri i shkollës fillore “Penestia”.

    “Kemi ndërmarr të gjithë aktivitetet me qëllim që ardhja e mërgimtarëve të mos shkaktoj kaos me parkimet. Prandaj në bisedën me drejtorin e shkollës ‘Penestia’ faktikisht është hapur edhe oborri i kësaj shkolle për parkingje. Poashtu besojmë se edhe disa lokalitete të tjera që mundësojnë parkingje do të plotësojnë nevojat të pronarëve të automjeteve për tu parkuar”, tha para këshilltarëve kryetari i komunës Duka. Sipas tij një ekip special në sektorin për urbanizëm është duke punuar mendime ideore për ndërtimin të një parkingu në kate në qendër të qytetit aty ku gjenden edhe dy parqet e Dibrës. Si mundësi për mos keqpërdorimin e parkingjeve në rrugën kryesore “8 shtatori”, ku ka raste kur automjete vendosen aty me muaj të tërë, pritet të vendoset edhe pagesë për parkingjet , gjë që deri tani në Dibër nuk ka qenë, thotë Duka dhe shton se gjatë sezonit veror në Dibër ka trefishim të automjeteve meqë përveç dibranëve pothuajse çdo ditë në qytet arrijnë me automjetet e tyre shtetas të Shqipërisë, të komunave rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostush si dhe numër i madh i mërgimtarëve. Kjo situatë normalisht kërkon edhe parkingje të reja, thekson Duka.

    Liberalizimi i importimit të automjeteve nga vendet të Unionit Evropian mundësoi që pothuajse çdo familje të ketë automjet prandaj edhe ka një rritje të thekur të automjeteve që kanë dibranët. Përveç kësaj në Dibër duke marr parasysh se parkingjet në pjesën qendrore të qytetit janë pa pagesë, ka një dukuri të keqpërdorimit të parkingjeve për të lënë automjetet një kohë të gjatë. Kjo ka një ndikim shumë të madh në pamundësinë që kanë pronarët e automjeteve të tjera për tu parkuar. Shpesh ndodh që parkingjet të bëhen edhe në hapësira private, para shtëpive, para garazheve, gjë që shkakton edhe tensione mes pronarëve të automjeteve dhe pronarët e objekteve. Prandaj besohet se hapja e oborrit të shkollës “Penestia” është një rrugëdalje momentale për parkingje gjatë verës. Pushteti vendor është i vetëdijshëm se Dibrës i duhen parkingje të reja. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pse ministrat e Brendshëm të Ramës nuk e çojnë deri në fund mandatin?

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është sëmundja e Fabry-t dhe cilat janë simptomat e saj?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë