Dibra, mundësi kalimi për të siguruar ushqimet dhe naftën

    Gjatë vitit që kaloi sipas të dhënave të Ministrisë të Punëve të Brendshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut – në dy vendkalimet kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në afërsi të Dibrës ka një rritje të dukshme të numrit të udhëtarëve si në dalje, ashtu dhe në hyrje. Statistikat tregojnë se në hyrje dhe dalje vetëm vitin e kaluar janë regjistruar gjithsej 650.607 udhëtarë.

    Ministria në fjalë potencon se në vendkalimin kufitar “Bllatë”, në hyrje janë regjistruar 310 mijë udhëtarë nga të cilët 234 mijë janë të jashtëm, kurse 76 mijë shtetas të Maqedonisë. Po në të njëjtin vendkalim kufitar, për dalje nga shteti janë regjistruar 339.689 udhëtarë nga të cilët shtetas të huaj 281.343 dhe shtetas të Maqedonisë 58.346. Kjo rritje ka të bëjë me interesimin të shtuar të shtetasve shqiptarë për të vizituar Dibrën dhe qytetet për rreth, kryesisht nga qytete dhe fshatrat për rreth kufirit, por edhe nga qytet siç janë Tirana, Durrësi, Bulqiza e tjerë. Ata kryesisht vijnë në Dibër dhe shfrytëzojnë objektet tregtare për të siguruar kryesisht produkte ushqimore, por edhe për t’u furnizuar me derivate të naftës.

    Sa u takon shtetasve të Maqedonisë së Veriut, shfrytëzimi i Rrugës së Arbrit, e cila ka shkurtuar kilometrat nga Dibra në Tiranë – konkretisht nga 180 në 70 kilometra, ajo shfrytëzohet tani si për verime, por edhe për relaks dhe shëtitje. Dibranët tani kryesisht për në Tiranë udhëtojnë nëpërmjet Rrugës së Arbrit. Vendkalimin kufitar”Bllatë” gjatë vitit që kaloi e kanë shfrytëzuar edhe shumë banorë të qyteteve të tjera si nga Gostivari, Tetova Shkupi, Kumanov… për të udhëtuar në qytet bregdetare dhe për ti kaluar pushimet.

    Sa i takon vendkalimit kufitar Xhepisht-Trebisht, është një vendkalim kufitar mes dy shteteve dhe gjendet 12 kilometra në afërsi të Dibrës. Aktualisht vazhdon të jetë një vendkalim kufitar me karakter lokal dhe punon nga ora 8 deri në ora 18, kurse gjatë sezonit veror – nga ora 8 deri në ora 20.

    Të dhënat e Ministrisë për Punë të Brendshme thonë se në vendkalimin kufitar Xhepisht-Trebisht gjatë vitit që kaloi, hyrje kanë realizuar 19.352 udhëtarë nga të cilët shtetas të huaj 18.226 dhe shtetas të Maqedonisë 10.126, kurse dalje kanë patur 19.476 udhëtarë nga të cilët 18.349 shtetas të huaj dhe 1127 shtetas të Maqedonisë.

    Kur jemi te vendkalimi kufitar Xhepisht-Trebisht mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duhet theksuar se gjatë vitit që kaloi, përfaqësues të Qeverive në Shkup dhe Tiranë, respektivisht zyrtarë të Ministrive të Punëve të Brendshme, kanë biseduar për funksionimin e këtij vendkalimi 24 orë. Bëhet fjalë për një kërkesë të banorëve lokal në të dy anët e kufirit, por që si kërkesë është përkrahur nga të dyja qeveritë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pikat matëse qëllimisht mbeten jashtë funksionit, për të fshehur ndotjen e ajrit

    Lajmi i rradhës

    Shëndeti i syve – Simptoma që nuk duhet t’i injoroni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë