Gjatë viteve të kaluara, pushteti vendor i Dibrës filloi realizimin e projektit për stabilizimin e furnizimit të ujit të qytetit dhe disa fshatrave. Komuna në fazën e pare të realizimit të projektit në fjalë mundësoi ndërrimin e mbi 60 valvuleve nga burimet në fshatin Rosok e deri në rezervuarin e qytetit, dhe faktikisht pati një rritje të prurjeve të ujit në rezervuar për mbi 30 për qind.
Në fazën e dytë është paraparë edhe vendosja e mbi 2 mijë matësve digjital të ujit, me çka faktikisht nuk do të ketë pagesa paushalle dhe drejtpërdrejt do të ndërpriten mundësitë për manipulime me sasitë e harxhimit të ujit. Por kjo fazë ngecë edhe pse është shumë domethënëse. Këtë e thotë drejtori i ndërmarrjes komunale ” Standard” në Dibër, e cila menaxhon edhe ujësjellësin Rosok-Dibër, Burim Kaba.
Ai shton se është një projekt shumë efikas i Komunës së Dibrës, por që sipas tij ndryshimet politike në qendër ndikojnë dukshëm në realizimin e disa projekteve në komunë.
Në ndërmarrjen komunale potencojnë se projekti komunal për furnizimin e ujit është i shumëpritur sepse me këtë tejkalohen problemet që ka me furnizimin e ujit Dibra, sidomos gjatë sezonit veror, kur në vend arrijnë edhe një numër i madh i mërgimtarëve. Drejtori i ndërmarrjes komunale ” Standard”, Burim Kaba potencon se faza e parë e projektit ka arritur qëllimin dhe gjatë verës që kaloi situata me furnizimin me ujë ishte shumë më e mirë në krahasim me vitet të kaluara.
Sipas tij, gjatë viteve të kaluara në Dibër janë vendosur 25oo matës digjital nëpër shtëpi dhe banesa, dhe me projektin aktual pritet të vendosen edhe mbi 2 mijë matës digjital të tjerë.
“Dibra me afro 5 mijë matës digjital faktikisht do të mbulojë tërësisht rrjetin e ujit dhe shfrytëzuesit e tij. Por, kemi një vonesë të realizimit të projektit në fazën e dytë , dhe sipas meje bëhet fjalë për ndikime politike qendrore , nga të cilët pëson edhe Komuna e Dibrës. Kjo fazë është shumë domethënëse për projektin që realizon komuna “, thotë drejtori Kaba.
Kaba, edhe si nënkryetar i Asociacionit të ndërmarrjeve komunale në Maqedoninë e Veriut, potencon se ndikimet politike në projekte të këtilla nuk duhet të ndodhin me që kjo është absurde. Komuna e Dibrës për shkak të problemeve të shumta me furnizimin me ujë viteve të 80 –ta vendosi të ndërtojë ujësjellësin Rosok-Dibër, dhe përgjithmonë të tejkalojë problemet me furnizimin me ujë.
Në vitin 1986 u lëshua ujësjellësi në fjalë dhe Dibra së bashku me disa fshatra fituan ujë të cilësisë së parë. Gjithashtu edhe çmimi i tij është shumë i ulët, dhe një metër në kub është vetëm 16 denarë. Por nga viti 1986 e deri para dy viteve, nuk u bë sanimi i ujësjellësit në fjalë. Me të drejtë, pushteti vendor aktual filloi realizimin e projektit.
Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, për gazetën Koha disa here ka deklaruar se ndërrimi i valvuleve ka përfunduar me sukses. “Bëhet fjalë për ndërrimin të gjithsej 64 valvuleve kryesore të ajrit, edhe atë duke filluar nga burimet në fshatin Rosok e deri tek rezervuari kryesor në Dibër. Tubacionet e këtij ujësjellësi nga burimet deri në qytete janë afro 20 kilometra. Faza e dytë është një faze shumë domethënëse për këtë projekt që e financon komuna”, ka shtuar Duka.