Dibra qytet pa semaforë!

    Dibra është një nga qytetet e rralla në vend të cilët nuk kanë semaforë. Siguria në komunikacion kërkon vendosjen e semaforëve, por njëkohësisht është një nevojë e patjetërsueshme në përgatitjen e shoferëve të ri nga ana e auto shkollave. Problemi në fjalë në Dibër është prezent edhe pse debatohet shumë vite.

    Dibra tani ka rrethoret që garantojnë sigurinë në komunikacion, por shoferët e ardhshëm kanë nevojë që të mësojnë rregullat në komunikacion edhe me semaforët. Prandaj mungesa e semaforëve paraqet një problem serioz për shoferët e ri në Dibër.

    Rreth problemit biseduam me ekspertin e komunikacionit dr. Prof. Abdul Koleci, i cili shumë vite ishte edhe kryetar i komisionit komunal për siguri në komunikacion. Ai thotë se gjatë trajnimit të kandidatëve për vozitës normalisht duhet edhe trajnim në rrugët me semaforë.

    “Dibra tani ka katër rrethore në udhëkryqet kryesore dhe ka siguri në komunikacion, por jo të plotë. Shoferët e ardhshëm në auto shkollë si kandidatët përgatiten që do të drejtojnë automjetet e tyre edhe jashtë Dibre. Dibra nuk ka semaforë dhe kjo situatë është problematike. Auto shkollat kanë marrë aktivitete dhe gjatë trajnimit ata me kandidatët ushtrojnë vozitjen edhe në qytetet më të afërt siç janë Struga, Ohri etj”, thotë Koleci.

    Sipas tij, përgatitja e kandidatëve për shoferë të ri ka rëndësi për sigurinë në komunikacion, që do të thotë se nevoja për të trajnuar mënyrën e vozitjes në rrugët me semaforë është e madhe. Koleci shton se Dibra ka patur nevojë për semafor shumë vite më parë, por edhe pse u është sugjeruar kompetentëve lokal, kjo nuk ka ndodhur. Frekuenca e automjeteve në qytet është e madhe, potencon ai, prandaj edhe nevoja për semaforë ka qenë e madhe.

    Mungesa e semaforëve është edhe një problem i madh për përgatitjen e kandidatëve për shofer, nga ana e auto shkollave. Rreth problemit të mungesës të semaforëve në qytet dhe përgatitjes të kandidatëve për shofer nga ana e auto shkollave që veprojnë në Dibër, biseduam edhe me instruktorin e një nga auto shkollat e Dibrës, Drinan Lleshi. Ai për gazetën Koha thotë se mungesa e semaforëve në Dibër është një problem serioz. Semaforët janë një mundësi e madhe për sigurinë në komunikacion, por njëkohësisht mungesa e tyre është një pengesë për auto shkollat të cilët përgatisin shoferët e ardhshëm.

    “Gjatë trajnimit të kandidatëve për shofer, është fakt se mungesa e semaforëve na shkakton probleme, me që jemi të detyruar që për semaforët kandidatët të marrin vetëm dituri dhe trajnime teorike e jo praktike. Semaforë nuk kemi dhe kandidatët mësojnë pjesën teorike për semaforët. Dibra para shumë vitesh është dashtë të ketë semaforë, meqë në disa pjesë të qytetit ka patur shumë aksidente pikërisht për shkak të mungesës së semaforëve. Tani janë vendosur në qytet katër rrethore të cilët japin një siguri në komunikacion, por përsëri ata nuk janë të mjaftueshme. Ka disa rrugë në qytet si në pjesën e re të qytetit, ku ka në kontinuitet aksidente automobilistike, pikërisht për shkak të mungesës së semaforëve”, thotë instruktori Dritan Lleshi dhe shton se një problem i madh është edhe mungesa e shenjave të komunikacionit në disa pjesë të qytetit.

    Prandaj, ai thotë se kompetentët duhet më shumë vëmendje t’i venë sinjalizimit dhe vendosjes së semaforëve. Ata pengojnë sigurinë në komunikacion , por pengojnë edhe punën e auto shkollave, sepse kandidatët nuk kanë mundësi të mësojnë pjesën e udhëtimit të mjeteve motorike në rrugët jashtë Dibre ku ka semaforë. Sipas auto shkollave kandidatët përgatiten edhe për shoferë të cilët do të drejtojnë automjetet edhe në qytetet ku ka semaforë e jo vetëm në Dibër. Problemi në fjalë shpesh debatohet edhe në komisionin komunal për siguri në komunikacion si dhe në sektorin për trafik pranë policisë.

    Lajmi Paraprak

    Korridori 8, ëndërr e shqiptarëve!  

    Lajmi i rradhës

    Sinoziti – Kurat natyrale për frymëmarrje të qetë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë