Diplomatët: BE-ja dhe Britania janë pajtuar për “rinisje” të raporteve

    Negociatorët e Bashkimit Evropian dhe ata të Mbretërisë së Bashkuar kanë arritur pajtim për një marrëveshje për “rinisjen” e raporteve të tyre pas Brexit-it, kanë bërë të ditur disa diplomatë, të hënën, teksa kryeministri britanik, Keir Starmer, po përgatitet t’i presë shefat e bllokut evropian në një samit në Londër gjatë 19 majit.

    Diplomatë të BE-së kanë thënë se shtetet anëtare i kanë dhënë dritën e gjelbër një treshe tekstesh që pritet të nënshkruhen në samit: një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje, një deklaratë të solidaritetit BE-Mbretëri e Bashkuar, dhe një Mirëkuptim të Dyanshëm për çështje të ndryshme, nga tregtia dhe peshkimi, deri te lëvizja e të rinjve, raporton agjencia franceze e lajmeve AFP.

    Bisedimet thuhet të kenë zgjatur deri në natën e së dielës për zgjidhjen e disa pikave kyç, teksa çështja e ndjeshme e të drejtave të peshkimit ka qenë në krye të listës.

    Përgatitjet për samitin Britani-BE në Londër.
    Përgatitjet për samitin Britani-BE në Londër.

    Sipas marrëveshjes përfundimtare, Britania do t’i mbajë ujërat e saj të hapur për peshkatarët evropianë për 12 vjet, pasi të skadojë marrëveshja aktuale më 2026, në këmbim të lehtësimit pa afat të caktuar të rregullave të bllokut për importet e ushqimeve nga Mbretëria e Bashkuar.

    Sa i përket çështjes së lëvizjes së të rinjve – një burim tjetër kyç i përplasjes, teksa Londra druan se një skemë e tillë mund të shpie në kthim të lirisë së lëvizjes ndërmjet BE-së dhe Britanisë – negociatorët raportohet të jenë pajtuar në përgjithësi për pikat kryesore.

    Britania braktisi Bashkimin Evropian më 1 shkurt 2020, pas një referendumi të mbajtur më 2016, ku 51.89 për qind e pjesëmarrësve zgjodhën të ashtuquajturin Brexit – largimin nga blloku evropian. REL

    Lajmi Paraprak

    Murtezani: t’i besojmë BE-së dhe të rilindë besimi me Bullgarinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë