Sot Gjykata Themelore në Tetovë, e dha vendimin përfundimtar në lidhje me tragjedinë në spitalin modular, ku si shkak i zjarrit vdiqën 14 pacientë. Të akuzuarit Florin Besimi dhe Artan Etemi morën dënim prej 18 muaj burg efektiv, kjo sipas nenit 288 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 2 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal. Ndërsa Spitali Klinik i Tetovës, sipas nenit 288 paragrafi 5 u dënua me 1 milion denarë (16.250 mijë euro), i cili detyrohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pas hyrjes në fuqi të vendimit, raporton Nistori.
Në një deklaratë të fuqishme dhe me tone akuzuese ndaj procesit gjyqësor, Florin Besimi, njëri nga të akuzuarit në rastin e zjarrit tragjik në spitalin modular të Tetovës, ka thënë se gjykimi nuk ka synuar zbardhjen e së vërtetës, por ka përfunduar si një “gjueti faji” ndaj personave të gabuar. Ai theksoi se nuk kishte as përgjegjësi, e as fuqi për të parandaluar tragjedinë, ndërkohë që theksoi se kishte qenë kundërshtar i ndërtimit të objektit që, sipas tij, “u dogj si letër”.
“Mua më akuzuan për mungesë të aparateve për zjarr, a në fakt unë në thelb kam qenë kundër këtij objekti dhe kam refuzuar të pranoj objektin edhe pse deshmitarët konfirmuan që ka pasur aparate, edhe pse të gjithë ne e pamë me sytë tanë – se atë zjarr nuk do ta ndalte asnjë aparat dore! Kjo nuk është drejtësi. Kjo është shmangie nga e vërteta. Unë nuk kërkoj mëshirë. Unë kërkoj drejtësi për viktimat dhe për veten time. Kërkoj që të zbulohet e vërteta”, tha Besimi, duke nënvizuar se përgjegjësit e vërtetë ende nuk janë ballafaquar me drejtësinë. Ai gjithashtu i bëri thirrje institucioneve që të mos ofrojnë shpjegime sipërfaqësore dhe të mos fajësojnë persona të pafajshëm, ndërsa kërkoi zbardhjen e plotë të së vërtetës për viktimat dhe familjarët e tyre.
Deklarata e Besimit vjen në një kohë kur procesi gjyqësor për këtë rast po përballet me kritika të forta nga opinioni publik dhe organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat kërkojnë transparencë dhe drejtësi të plotë për tragjedinë që tronditi gjithë vendin.
Avokati i Spitalit të Tetovës reagoi pas vendimit gjyqësor: vendimi është pasojë e interpretimit të gabuar të KP, do të ankimohet në Apel
Vlerësojmë se ky vendim është pasojë e konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të ligjit për procedurë penale dhe Kodit Penal. Kundër këtij vendimi do të deponojmë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe presim që e njëjta të nxjerr vendim meritor. Arsyet pse mendojmë që ky vendim është jo i drejtë do t’i përshkruajmë në ankesën që do t’ia dorëzojmë Gjykatës së Apelit. Çdo kundërshtim që kemi pasur gjatë procedurës e kemi shprehur në gjykatë.
Pas shpalljes së vendimit ndaj Spitalit Klinik të Tetovës, i cili u dënua me gjobë prej 1 milion denarësh në lidhje me tragjedinë në spitalin modular, ka reaguar avokati i institucionit, Valon Abdulhamidi. Në deklaratën e tij për media, Abdulhamidi ka vlerësuar se vendimi është rezultat i një “konstatimi të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të ligjit për procedurë penale dhe Kodit Penal”.
Ai konfirmoi se do të dorëzojnë ankesë në Gjykatën e Apelit, me pritshmëri se kjo instancë do të nxjerrë një “vendim meritor”. Avokati theksoi gjithashtu se të gjitha kundërshtimet gjatë procedurës gjyqësore janë shprehur në mënyrë të rregullt në sallën e gjyqit dhe se arsyetimi i plotë për kundërshtimin e vendimit do të pasqyrohet në ankesën që do t’i dorëzohet Apelit.
Familjarët e viktimave të zjarrit në spitalin modular të Tetovës: ndihemi të turpëruar – fajtori duhet kërkuar në instanca më të larta
Vendimi i gjykatës për dënimin me nga 18 muaj burg për dy të akuzuarit lidhur me zjarrin tragjik të 8 shtatorit 2021 në spitalin modular të Tetovës, që mori jetën e 14 personave, ka shkaktuar pakënaqësi të thellë mes familjarëve të viktimave.
Mumin Ismaili, një nga familjarët e viktimave, ka reaguar ashpër ndaj vendimit, duke e konsideruar të padrejtë.
“Ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me këtë vendim të gjykatës. Matematikisht 14 viktima llogaritur me dënimin prej 18 muaj burg, i bie që të dënuarit të dënohen pothuajse nga 1 muaj. Domethënë vlera e një qytetari në Maqedoninë e Veriut ka vlerë 1 muaj,” tha Ismaili.
Ai shtoi se përgjegjësia nuk duhet të ndalet vetëm te të dënuarit aktual, Florin Besimi dhe Artan Etemi, por të zgjerohet edhe te figura të tjera me përgjegjësi në projektimin dhe ndërtimin e spitalit modular.
“E kemi thënë se të akuzuar duhej të ishin edhe ish ministri i Shëndetësisë Filipçe dhe Angjushev nga Firma Brako, instaluesit e rrymës elektrike në spitalin modular. Shteti vendosi që Florin Besimi dhe Artan Etemi të jenë të dënuar, nuk them se nuk janë fajtorë as këta, por faji është më lartë. Ne do të vazhdojmë tutje, nuk do të ndalemi këtu,” përfundoi ai.
Ibin Emshi, i cili humbi babain dhe vëllain në këtë tragjedi, u shpreh thellësisht i zhgënjyer dhe i indinjuar nga vendimi i sotshëm..
“Ndihem i turpëruar të dal nga gjykata. Për 14 persona që vdesin, dënohen një vit e gjashtë muaj. Nuk di çfarë të them. Këtu nuk jetohet, ky shtet nuk bëhet asnjëherë. Nuk e marrin për bazë ekspertizën e Gjermanisë. Unë personalisht do të lëshoj akuzë nga ndonjë vend tjetër dhe do të tentoj të shkoj deri në Strasburg,” tha Emshi.
Familjarët theksojnë se nuk do të ndalen me kaq dhe janë të vendosur ta ndjekin çështjen deri në instanca ndërkombëtare, për të kërkuar drejtësi për 14 jetët e humbura. /Nistori/
Si ishte vendimi i parë i vitit 2023 për të akuzuarit në zjarrin e spitalit modular Tetovë?
Gjykata Themelore në Tetovë, pas 14-të seancave gjyqësore më 5 qershor 2023 e dha vendimin përfundimtar në lidhje me tragjedinë në spitalin modular, ku si shkak i zjarrit vdiqën 14 pacientë. Gjykata vendosi ta lirojë nga aktakuza mjekun Boban Vuçevskin, ndërsa Florin Besimi dhe Artan Etemi morën dënim me kusht – 18 muaj burg. Që do të thotë se ata mbeten në liri dhe dënimi nuk do të zbatohet përderisa të dënuarit (lexo me kusht) nuk do të kryejnë ndonjë vepër penale brenda tre viteve. Spitali Klinik i Tetovës u dënua me 1 milion denarë (16.250 mijë euro), i cili detyrohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pas hyrjes në fuqi të vendimit.
Për çka u akuzuan?
Në zjarrin vdekjeprurës që kaploi spitalin modular për Covid-19 në Tetovë, më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona, tetë gra dhe gjashtë burra të moshës 29 deri 78 vjeç. 2 pacientë të tjerë mrekullisht shpëtuan, bashkë me dy mjekë dhe katër infermiere.
Pas tragjedisë, dy drejtorët e spitalit në Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi dhanë dorëheqje nga postet e tyre. Të njejtën gjë më pas e bënë edhe ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, dorëheqjet e të cilëve nuk u pranuan nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev.
Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, janë të akuzuar në këtë rast.
Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”. /Nistori/