Drejtuesi i njëri prej automjeteve në aksidentin tragjik në autostradën Shtip – Milladinovc ka qenë nën ndikim të alkoolit

    Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shtip dhe ekipet hetuese të MPB-së kanë kryer kontroll në magjistralen Shtip-Milladinovci, ku dje në një aksident të rëndë trafiku vdiqën tre persona, njofton Nistori.

    Sipas informacioneve të para, aksidenti ka ndodhur kur një veturë e tipit “Chevrolet” me targa të Shkupit, me pesë pasagjerë nga një familje që po ktheheshin për në Shkup pas një feste në Koçan, është munduar ta parakalojë një veturë “Toyota” me targa të Koçanit, e cila po transportonte dy persona.

    Në momentin e parakalimit drejtuesi i “Chevrolet” ka humbur kontrollin e mjetit, ndaj fillimisht ka goditur bregun e majtë, më pas ka goditur paralelisht makinën që po e parakalonte. Si pasojë e përplasjes së dy veturave janë përmbysur në një kanal buzë rrugës dhe kanë humbur jetën tre persona nga vetura e Shkupit – gruaja, vajza dhe nëna e bashkëshortes së shoferit. Katër pjesëmarrësit e tjerë në aksident kanë pësuar lëndime trupore, me lëndime më të rënda të konstatuara te pasagjeri në veturën e Koçanit.

    Prokurori publik menjëherë ka lëshuar urdhër për hetimin e plotë të ngjarjes. Nga testet e para ndaj drejtuesit të makinës Chevrolet ka rezultuar se ai ka qenë nën ndikim të alkoolit, por përveç kësaj, për të përcaktuar përqindjen e saktë janë marrë mostra gjaku për analiza. Në vendin e aksidentit është thirrur eksperti i trafikut, ndërsa prokuroria do të lëshojë urdhër për ekspertizë të plotë të komunikacionit. Për të lënduarit dhe të ndjerin në aksident sigurohet dokumentacioni i plotë mjekësor. Pas ekzaminimit të përgjithshëm të ngjarjes, prokurori publik do të vendosë për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Nuk mund të ketë ribërje të zgjedhjeve në Kosovë pa u bërë “asociacioni”

    Lajmi i rradhës

    BDI “nervozohet” me liderin e VMRO-DPMNE, por shfryhet edhe ndaj Zaevit: Mickoski të mos e kopjojë Zaevin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë