Në zemër të Kërçovës, mes kodrave të gjelbra dhe ajrit të pastër, shtrihet fshati Drogomisht i Madh – një vendbanim që, edhe pse modest në përmasa, mbart një pasuri të madhe në traditë, kulturë dhe njerëz punëtorë.
Ashtu si shumë fshatra të tjerë në vend, edhe Drogomishti i Madh përballet çdo ditë me sfida sociale dhe ekonomike. Këto vështirësi kanë bërë që një pjesë e madhe e të rinjve të largohen drejt qyteteve ose jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë. Megjithatë, ata që kanë mbetur vazhdojnë të jetojnë me përkushtim e dashuri për fshatin e tyre.
“Rinia në fshat, si në shumë vende të tjera, është larguar në mërgim. Por ka edhe nga ata që janë kthyer dhe po investojnë këtu. Një pjesë vijon shkollimin, të tjerët janë të punësuar në kompani private. Nuk kemi problem të madh me punësimin, por na mungojnë punëtorët”, u shpreh Urim Saiti – kryetar i Bashkësisë Lokale – Drogomisht i Madh.
Drogomishti i Madh përfaqëson realitetin tipik të jetës rurale në Maqedoninë e Veriut – një realitet që ka nevojë për më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale. Megjithëse fshati përballet me braktisjen, me shkolla që mbeten gjithnjë e më bosh, ai ofron potencial të jashtëzakonshëm për agroturizëm, bujqësi dhe ruajtjen e identitetit kulturor – gjithmonë, nëse do të kishte kush t’i punonte këto toka.
“Shihni numrin e fëmijëve. Për shembull, vitin e ardhshëm do të kemi vetëm një nxënës në klasë të parë. E shohim si problem, por nuk e dimë si do të ecin gjërat në të ardhmen”, theksoi kryetari i Bashkësisë Lokale – Drogomisht i Madhe, Urim Saiti.
Sot, fshati numëron rreth 1500 banorë në total, por vetëm rreth 400 prej tyre jetojnë këtu si rezidentë. Pjesa tjetër ndodhet në mërgim.
Banorët shpresojnë se institucionet kompetente do t’i kthejnë sytë nga vendbanime si Drogomishti i Madh – fshatra që meritojnë politika të qarta zhvillimi për të përmirësuar jetën dhe për të krijuar një të ardhme më të sigurt.
“Lavdëroni qytetin, por jetoni në fshat”, shtoi Saiti. /TV21/