Kryeministri, me deklaratat dhe veprimet e fundit, po sjell ndërmend sloganin zgjedhor “Maqedonia përsëri e jotja”, vlerëson Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim. Sipas tij, shqetësues është fakti që një kryeministër synon të fshijë nga skena politike partinë më të madhe të shqiptarëve, të cilët përbëjnë kombin e dytë më të madh në Maqedoninë e Veriut. “BDI është organizata politike më e madhe e shqiptarëve. Kur një kryeministër thotë që organizata më e madhe e popullit të dytë në vend duhet të zhduket nga skena politike, mua ma kujton tash sloganin e zgjedhjeve “Maqedonia përsëri e jotja”. Ai nuk ndalet derisa të zhduk prezencën tonë këtu dhe kjo është trishtuese dhe kjo i ka bërë këto zgjedhje referendum. Për shkak se BDI përfaqëson shqiptarët përderisa e ka shumicën e vullnetit të tyre dhe e dyta BDI përfaqëson një trashëgimi që për ne është e shenjtë”, theksoi Osmani. Deklaratat e fundit të kryeministrit, i cili theksoi se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është të çojë BDI-në në histori, sipas Osmanit janë dëshmi se këto zgjedhje për shqiptarët janë shndërruar në referendum, ndërsa dilema e këtij referendumi është nëse shqiptarët do të jenë zot shtëpie në vend të vet, apo do të pranojnë që Mickoski të zgjedh përfaqësuesit e shqiptarëve nëpër komunat me shumicë shqiptare.
“Ideja e tij se krejt këto zgjedhje janë shndërruar në idenë për të zhdukur trashëgiminë e 2001 dhe organizatën më të madhe të shqiptarëve tregon se në fletën e votimit nuk do të keni më emra, por do keni dy koncepte: ‘Maqedonia përsëri e jote’ dhe zhdukja e BDI-së nga skena politike apo koncepti tjetër, të ruajmë barazinë, gjithçka tjetër është spekulim dhe alibi për VLEN-in që të justifikojnë humbjen”, theksoi Osmani. Ai më tej e bëri të qartë se BDI ndërton koalicione vetëm në bazë të parimeve, ndërsa një koalicionim me Levicën është i pamundur për shkak se nuk është parimor. Osmani kritikon edhe koalicionimin e pushtetit, duke thënë se kryeministri Mickoski vet i ka zgjedhur kandidatët të cilët do të garojnë në komunat shqiptare nën logon e VLEN-it. Osmani vlerëson se kjo është tërësisht joparimore, për shkak se në këtë mënyrë Mickoski po tenton vet ti zgjedh përfaqësuesit e shqiptarëve.
“Për ne koalicionimet duhet të kenë parime dhe në këtë spekulim nuk mund të jetë ekzistues, për shkak se nuk është parimor, nuk janë në vijë me parimet tona, mirëpo edhe koalicioni, mbështetja e VMRO-DPMNE-së, së kandidatëve të cilët i ka caktuar ai vet në zyrën e vet është përtej bashkëpunimit politik, për shkak se është tentim për inxhienering zgjedhor dhe inxhiniering të skenës politike shqiptare, dhe prandaj kam thënë se këto zgjedhje nuk janë për ta fituar VLEN-in, sepse ne VLEN-i do ta fitojmë. Por ata do të krijojnë një VLEN tjetër. Përsëri do të bëjnë një grup të miqve që i kanë pasur zv/drejtor nëpër drejtoritë e tyre, do u japin votat e tyre në komunat shqiptare dhe do të krijojnë një përfaqësues të shqiptarëve”, theksoi Osmani.
BDI: AKUZAT NUK JANË ZGJIDHJE, POR VETINGU DHE SUNDIMI I LIGJIT
Ndërkohë edhe BDI nëpërmjet një komunikate e konsideron të papranueshme dhe të rrezikshme gjuhën populiste dhe sulmet boshe të përsëritura të kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj BDI-së dhe përfaqësuesve të saj.
“Në vend se të merret me premtimet e parealizuara të qeverisë së tij dhe me skandalet që rëndojnë mbi qeverisjen aktuale të VMRO-DPMNE-së, kryeministri zgjedh të shpërqendrojë opinionin publik me akuza boshe dhe të pabazuara. BDI ka qenë dhe mbetet forca kryesore që ka garantuar stabilitetin politik, anëtarësimin në NATO, nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ndërtimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend që të respektojë këto arritje, Mickoski vazhdon me retorikë përçarëse dhe me tentime të vazhdueshme për të kriminalizuar shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë, duke zbatuar politika që i ngjajnë politikave të fundviteve 80’, ku sistemi i atëhershëm promovonte të drejta për të gjithë përmes përfaqësuesve ‘të ndershëm’ pa legjitimitet, e në veçanti për shqiptarët”, theksojnë nga BDI. Nga partia e Ali Ahmetit theksojnë se sa i përket padive të cilat i përmend kryeministri për funksionarët e BDI-së, kujtojnë se BDI që moti inicion procesin e vetingut, të cilit me ngulm po i ik VMRO-DPMNE.
“BDI ka qenë e para dhe e vetmja parti që ka kërkuar zyrtarisht nga prokuroria e rregullt dhe prokuroria e atëhershme speciale që të hetohet çdo funksionar i saj. BDI është e para dhe e vetmja parti që ka kërkuar veting të plotë dhe të paanshëm për gjyqtarët, prokurorët dhe për të gjithë zyrtarët publikë, përfshirë edhe politikanët. BDI vazhdon të kërkoj hetim për prejardhjen e pasurisë së politikanëve të çdo partie. BDI poashtu kërkon hetim për procesin e privatizimit në vend. Le të ketë poashtu hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe për funksionarët në sigurim të shtetit që kanë punuar nga viti 1945 e këtej, si OZNA, UDB-ja, SDB-ja, DBK-ja, UBK-ja, ANB-ja. Ky është propozimi i BDI-së, pranojeni. Vetingu është mënyra e vetme për t’i dhënë fund këtij debati dhe për të garantuar barazi para ligjit”, thuhet në reagimin e BDI-së drejtuar opinionit publik.
VLEN: BDI BËN PAZARE POLITIKE ME LEVICËN
Nga ana tjetër VLEN e akuzon BDI-në se ka bërë pazare politike me “Levicën” në Komunën e Strugës. Nga VLEN thonë se “BDI e ka nxjerrë në shitje Strugën, duke u bërë bashkë me Levicën e Apasievit për ta penguar fitoren e Mendi Qyrës”. Nga koalicioni shqiptarë në pushtet gjithashtu thonë se “kandidatura e Mojsovskës është pazar i turpshëm, i kurdisur për të mbajtur gjallë një pushtet të kalbur që struganët e refuzojnë”. “Kjo nuk është hera e parë që BDI bën pazare me Levicën: nga Shkupi e Velesi, deri te busti i Andon Lazov Qosetos në mes të kryeqytetit, çdo herë qytetarët kanë paguar çmimin e këtyre marrëveshjeve të pista. Por këtë herë, Struga nuk do të bjerë pre. Me 19 tetor, struganët do ta thonë fjalën e fundit: Struga nuk shitet, Struga çlirohet. Me votën e tyre, do të mbyllet një kapitull dhe do të hapet një epokë e re, e pastër dhe e ndershme, me Mendi Qyrën”, thonë nga VLEN.
ASH: MASHTRIM ZGJEDHOR NË BUTEL, VLEN TENTON TË MANIPULOJË ME KANDIDATURË FIKTIVE
Pas skandalit me kandidaturën fiktive të VLEN-it për komunën e Butelit, ku ditë më parë kishte kandiduar Behar Emini nga partia Alternativa, pjesë e VLEN-it, bëhet e ditur që me kandidimin e tij u tentua të manipulohet procesi zgjedhor përmes të dhënave personale, sepse kandidati kishte adresë jashtë Komunës së Butelit, konkretisht në Çair. Përpos reagimit të BDI-dega Butel, edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me tentimin, siç thonë, për të falsifikuar legjitimitetin e një kandidature, vetëm për të përçarë votën shqiptare në Butel.
“Sipas informacioneve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), kandidatura në fjalë është refuzuar pasi kandidati kishte adresë jashtë Komunës së Butelit, konkretisht në Çair, dhe u përpoq ta ndryshonte atë në mënyrë të paligjshme pas dorëzimit të dokumentacionit, një veprim që përbën manipulim flagrant dhe shkelje të rregullave zgjedhore. Ky tentim i mjerë për të falsifikuar legjitimitetin e një kandidature, vetëm për të përçarë votën shqiptare në Butel, është dëshmi e qartë se VLEN-i nuk ka vizion, nuk ka mbështetje reale në terren dhe është i gatshëm të luajë rolin e patericës politike të VMRO-së, edhe në dëm të interesave kombëtare shqiptare”, theksojnë nga ASH e Arben Taravarit.
Sipas kësaj partie, VLEN-i përpiqet të paraqitet si përfaqësues i shqiptarëve në qeverinë e VMRO-së, ndërsa në realitet është shndërruar në instrument të pazareve politike, duke bashkëpunuar me struktura që historikisht kanë qenë kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. /Koha/






