Edhe një dështim i “Ballkanit të Hapur”

    As kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç nuk morën pjesë dje më Forumin e Novid Sadit, një event që ishte planifikuar të mbahet në përvjetorin e krijimit të nismës së mini-shengenit për bashkëpunimin ekonomik në Ballkan, takimi i parë i të cilit u mbajt në vitin 2019 në Novi Sad në tetor, dhe kohët e fundit ndryshoi emrin në “Ballkani i Hapur”. Pretendohet se një ndryshim i tillë ndodhi “në minutën e fundit”, konkretisht që të enjten mbrëma, ndërsa Forumin e ka kryesuar e vetme kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, derisa kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, është bashkuar përmes lidhjes me video. Konferenca dyditore e ashtuquajtur “Ballkani Perëndimor, një rajon, një treg – një hap drejt tregut të përbashkët të BE -së”, tashmë ka ndërruar organizatorë. Fondi për Çështjet Evropiane të Vojvodinës, Fondacioni Konrad Adenauer dhe Forumi Rajonal i Liderëve të Rinj pretendojnë se janë organizatorët kryesor, megjithëse janë ftuar vetëm tre shtetet që janë pro “Ballkanit të Hapur”: Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

    Fillimisht ishte planifikuar që Vuçiçi, Rama dhe Zaevi të flisnin në panelin udhëheqës, dhe më pas të dilnin në një konferencë shtypi.  Mediat në serbi raportuan dje se nuk është arritur të mësohet nga autoritetet shqiptare dhe serbe pse Vuçiçi dhe Rama anuluan pjesëmarrjen e tyre, megjithëse qarqet diplomatike spekulojnë se ndryshimi mund të lidhet drejtpërdrejt me tensionet aktuale në Kosovë. Kujtojmë se kryeministri shqiptar ditë më parë vizitoi Prishtinën, ku dërgoi kritika të qarta ndaj Beogradit zyrtar, dhe mbështeti Kosovën. Rama, ndër të tjera, tha se Kosova ka “plotësisht të drejtë” në lidhje me reciprocitetin e targave me Serbinë, dhe vuri në dukje se zgjidhja e problemit është në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

    “Nuk ka diskutim që në radhë të parë dhe mbi të gjitha është Serbia që duhet të njohë Kosovën, është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut drejt njohjes reciproke, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale luftarake të Serbisë. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës, sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit dhe nga disa fantazma të ushtrisë së mundur 20 vite më parë, sikur kanë dalë nga varri me pretendimin se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar, madje fjala vjen ju paguhen dhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria këtu si askujt askund në botë. Fatkeqësisht ato manovra sjellin në skenë hijen e së shkuarës, nxisin nacionalizmin vandal të institucioneve publike. Qytetarët serbë nuk janë viktima të represioni, por janë pengje të stanjacionit në dialog”, tha Rama nga Prishtina, ndërsa shtoi se aplikimi i reciprocitetit të targave është normë elementare, por dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respektive.

    Ndryshe, Kosova, Mali i Zi dhe BeH kanë refuzuar të jenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, ndërsa tre shtetet tjera – Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia vazhdon të bëjnë thirrje për dialog të hapur midis gjashtë vendeve. E iniciuar fillimisht nga Serbia, konkretisht nga Forumi i tetorit të vitit 2019 në Novi Sad, Vuçiçi, Rama dhe Zaevi nisën të parët formimin e Mini-Shengenit, par pa u konsultuar paraprakishtë me tre vendet tjera: BeH, Malin e Zi dhe Kosovën. Këta të fundit thonë se bashkëpunimi duhet të ndodhë vetëm në kuadër të Samitit të Berlinit dhe jo të krijohen “aleanca” ku në krye do të jetë Vuçiçi dhe Serbia./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Autostrada me huazime të reja

    Lajmi i rradhës

    Sot tërhiqet Njësia Speciale dhe barrikadat, në pikat kufitare vendoset KFOR-i

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë