MSc. Narta Abdija
Edukatore, bashkëpunëtore profesionale
Kur flasim për edukimin gjithmonë na shkon mendja tek edukimi tradicional, që ka dominuar për shumë vite dhe që ende përdoret në shumicën e shkollave. Megjithatë, janë të pakët ata edukatorë që zbatojnë metoda të mësimdhënies më të ndryshme dhe inovative, të cilat kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e fëmijëve parashkollor. Një nga këto metoda është ajo e Maria Montessori-t e cila ka treguar rezultate të shkëlqyera në edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore.
Në fillim është e rëndësishme të rikujtojmë disa aspekte të shkollës tradicionale e cila është një institucion i mbyllur, ku theksi kryesor është në kurrikulën dhe metodologjinë e mësimdhënies. Ky lloj institucioni ka një strukturë “të rreptë” dhe funksionon ndryshe nga metoda e Montessori-t. Në shkollat tradicionale procesi mësimor zhvillohet në përputhje me një program të caktuar mësimor, ku mësimi fokusohet në përmbajtje të zgjedhura që kanë për qëllim përmbushjen e pritjeve të caktuara sociale dhe arritjeve akademike. Aktivitetet mësimore në shkollat tradicionale bazohen në libra dhe fletoret e punës, duke e kufizuar kështu mundësinë për zhvillim të shkallëzuar dhe personalizuar të fëmijëve. Në krahasim, metoda e Montessori-t ofron një qasje më të hapur dhe fleksibile, duke i lejuar fëmijët të jenë më të përfshirë dhe të mësuar në mënyrë që ndihmojnë zhvillimin e aftësive të tyre në mënyrë më natyrale më të përshtatshme për nevojat individuale.
Kurse, Metoda e Montessori-t është qasje edukative shumë efektive. Fillimisht do të japë një pasqyrë të historisë së saj për të kuptuar më mirë thelbin e mendimit të saj rreth edukimit. Në faktë metoda e Montessorit është emëruar, nga vetë personi që i krijoji që quhej Maria Montessori, e cila lindi në vitin 1870 në Itali. Ajo ishte pedagoge, edukatore, filozofe, mjeke dhe shkencëtare, ishte gjithashtu femra e parë që u diplomua në universitetin e Romës në atë kohë.
Kontributi i saj në fushën e edukimit është e pasur dhe vazhdon të jetë model i rëndësishëm për t’u ndjekur edhe sot. Montessori filloi të studionte sjelljet e fëmijëve dhe e bazoi metodologjinë e saj në idenë që fëmijët mësojnë më shpejtë kur janë të angazhuar jo vetëm mendërisht por edhe fizikisht.
Montessori vendosi 7 parime bazë të metodës për edukimin e fëmijëve të cilat janë:
Mjedis i përgatitur – Është një komponent thelbësor i metodës së Montessori-t, ambienti duhet të jetë i organizuar në mënyrë që fëmijët të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm dhe të zhvillojnë pavarësinë në veprimet e tyre;
Loja është punë – Loja duhet të konsiderohet si një aktivitet i rëndësishëm dhe ta marrim seriozisht, pasi është mënyra se si fëmijët shprehin veten. Montessori besonte se loja është mënyra më efektive e të mësuarit dhe se fëmijët kanë një dëshirë të natyrshme për njohurit që duhet të mbështeten përmes mjeteve të duhura;
Pavarësia – Edukimi sipas metodës së Montessori-t synon zhvillimin e pavarësisë, inkurajon eksplorimin dhe i ndihmon fëmijët të marrin përgjegjësi për veten, gjërat e tyre dhe mjedisin përreth;
Të mësuarit praktik – Fëmijët përvetësojnë njohuri përmes lojës nga lindja deri në moshën 6 – vjeçare, fëmija është në gjendje të mësojë gjëra të reja, vetëm duke qenë në mjedisin e duhur dhe duke pasur mundësinë për të eksploruar;
Vëzhgimi – Të rritësh në filozofinë e Montessori-t do të thotë t’i vëzhgosh me kujdes dhe të identifikosh interesat e fëmijëve. Ka periudha të caktuara, të njohura si periudha të ndjeshme, kur fëmija ka një interes të theksuar për një aktivitet të caktuar. Mund të jetë ngjitja, trnasportimi i lodrave, vëmendje në detaje të vogla ose zhvillimi i gjuhës. Përmes vëzhgimit, ne mund të ofrojmë aktivitete të përshtatshme dhe të krijojmë një mjedis që mbështet zhvillimin e aftësive në ato fusha ku ata janë aktualisht të fokusuar;
Liria brenda kufijve – Liria nuk nënkupton që fëmijët mund të veprojnë si të duan. Ajo do të thotë që ne u mundësojmë atyre të bëjnë zgjedhje të lira nga opsionet që ne kemi miratuar dhe që janë të përshtatshme për to;
Respekti – Metoda e Montessorit thekson respektin e ndërsjellët mes fëmijës dhe prindërve. Ato gjithashtu nënkuptojnë që ne kuptojmë se çdo fëmijë është një individ unik, me nevoja, aftësitë dhe mënyra të ndryshme të të mësuarit.
Metoda e Montessori-t është qasje edukative që fokusohet në mësimin e vetëdrejtuar, mësim praktik dhe bashkëpunim përmes lojës. Në metodën e Montessorit fëmijët kanë mundësi të bëjnë zgjedhje kreative në mësimin e tyre, ndërkohë që edukatori siguron aktivitete të përshtatshme për moshën e tyre.
Fëmijët angazhohen në grupe dhe individualisht për të zbuluar dhe eksploruar njohuritë e reja rreth botës dhe duke u mundësuar zhvillimin e potencialit të tyre maksimal. Çdo material i përdorur në edukimin e metodës së Montessorit është krijuar për të mbështetur një aspekt të rëndësishëm të zhvillimit të fëmijës, duke krijuar një lidhje harmonike midis interesave natyrore të fëmijëve dhe aktiviteteve që janë të disponueshme për to.
Siç u përmend më parë, një nga parimet kyçe të metodës së Montessori-t është që fëmija të ketë mundësinë të zgjedh vetë atë që dëshiron të mësojë. Roli i edukatorit është të vëzhgojë dhe ta udhëheq atë në mënyrën e duhur, për ta drejtuar drejt suksesit. Kjo metodë ka treguar rezultate shumë të mira, pasi fëmijët janë të lirë të eksplorojnë në një mjedis të mbështetur dhe të sigurt. Duke përdorur shqisat e tyre, veçanërisht të prekurit, dhe duke pasur një kuriozitet natyror, ata mund të zbulojnë dhe të kuptojnë botën hap pas hapi.
Siç e kemi përmendur edhe më herët, shkollat tradicionale shpesh ndjekin një edukim “ushtarak” ku fëmijët përqëndrohen kryesisht në arritjen e notave të larta dhe përfitimin e lëvdatave. Në fund shpërblimi për këtë mund të jetë një çmim ose miratim nga prindërit. Por ajo që mbetet e paqartë është se ne nuk e dim se sa individ i plotësuar është ai, se në fund të ditës ai thjesht ka mësuar “për tu shpërblyer”. Andaj, fëmijët e moshës parashkollore kanë vështirësi të përqëndrohen në format tradicionale të mësimit. Prandaj, mësimi përmes lojës është një qasje shumë efektive, pastaj ata kanë një kuriozitet të natyrshëm dhe, duke e shfrytëzuar këtë, mund të zbulojnë dhe të mësojnë përmes eksperimenteve dhe eksplorimeve të veta. Ky proces u ofron fëmijëve kohën e duhur për të mësuar në ritmin e tyre, pa ndjenjën e ngutjes për të përfunduar detyrat. Për ta përmbledhur, nga e gjitha që u tha më lartë, metoda e Montessori-t ka sukses të veçantë sepse ajo inkurajonë zhvillimin e aftësive të fëmijëve që nga një moshë të hershme, duke i përdorur ato në mënyrë të integruar, dhe këto aftësi i shoqërojnë ata gjatë gjithë jetës.
Montessori thekson se mosha e hershme është vitale për zhvillimin e potencialeve të fëmijëve, pasi në këto periudha ata përvetësojnë aftësi të qëndrueshme dhe të thella. Aspekt tjetër i rëndësishëm është se metoda e Montessori-t inkurajonë ndërveprimin dhe bashkëpunimin mes fëmijëve dhe grupeve me moshë të ndryshme, po ashtu krijon mundësinë që fëmijët të mësojnë nga njëri tjetri dhe të zhvillojnë aftësi sociale dhe komunikimi që janë thelbësore për rritjen e tyre.
Në përfundim, dëshirojë ta mbyll me një thënie nga Maria Montessori, e cila thotë “Për të ndihmuar fëmijën, duhet t’i japim një mjedis që t’i lejojë të zhvillohet lirshëm.”
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.