Escobar: Nuk shoh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet.

    Ai i ka bërë këto deklarata para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, teksa ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni.

    “Ne kemi tentuar vazhdimisht t’i shtyjmë të dyja palët që të veprojnë, dhe në kthim kemi parë disa seri të përshkallëzimit të situatës. Pozicioni ynë është se marrëveshja do të mund të zbatohej menjëherë pas arritjes së pajtueshmërisë. Secila palë është dashur të hartojë rrugën sesi do ta zbatonte atë”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri, në shkurt të këtij viti në Bruksel, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më pas, në mars, në Ohër janë pajtuar për ankesin e zbatimit të marrëveshjes.

    “Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.

    Ai ka thënë se aspirata më e lartë e SHBA-së është që Kosova të ketë ulëse në Bashkimin Evropian, NATO dhe Kombet e Bashkuara.

    I pyetur se çfarë po bën SHBA-ja që t’i bindë pesë shtetet e BE-së – Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë, dhe Qipron – që ta njohin shtetësinë e Kosovës, Escobar ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me to.

    “Marrëveshja e Ohrit na ofron neve mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit që të bashkëpunojmë me Qeverinë e Kosovës që të niset, jo vetëm një fushatë evropiane e njohjeve, por një fushatë globale e njohjeve. Shumica e shteteve do të dëshironin ta shihnin gatishmërinë e Kosovës që ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes [së Ohrit], që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kjo është njëra prej arsyeve pse e kam shtyrë Qeverinë e Kosovës që ta çojë përpara këtë gjë – me mbështetjen amerikane – përmes një rruge që Asociacioni të mos e rrezikojë kushtetutën, apo strukturën ligjore, që të mund të nisim këtë vit fushatën e njohjeve. Deri më tani nuk e kam marrë atë zotim prej Qeverisë së Kosovës”.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

    Mekanizmi ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që ta formojë Asociacionin në përputhje me kushtetutën, dhe duke ia përmendur disa modele që veçse ekzistojnë në botë.

    “Kemi marrë zotime që Serbia nuk do t’i refuzojë zgjedhjet në veri”

    Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, ligjvënësit amerikanë i kanë konsideruar tensionet e fundit në veri si shumë alarmuese.

    Ata e kanë kritikuar edhe qasjen e Qeverisë së Kosovës dhe mungesën e koordinimit me SHBA-në, por edhe rolin e Serbisë në protestat në veri.

    Mirëpo, Escobar ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.

    Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

    Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

    Mirëpo, më 11 korrik Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Kosovën me qëllim të uljes së tensioneve.

    Sipas BE-së, Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

    Problemet kyçe të Ballkanit Perëndimor

    Escobar ka vlerësuar se, në mesin e problemeve kyçe me të cilat përballet Ballkani Perëndimor janë: përparimi i ngadalshëm në demokratizim, korrupsioni, varësia nga burimet ruse të energjisë, politikat etno-nacionaliste, dezinformatat dhe ndikimi i dëmshëm prej jashtë.

    Për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

    Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Për t’i çuar përpara aspiratat për anëtarësim në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për ndryshimet kushtetuese për ta njohur pakicën bullgare. Ne e mbështesim fuqishëm këtë hap të vështirë, por të nevojshëm, dhe jemi të angazhuar me Qeverinë e re të Bullgarisë, për t’u siguruar se ajo nuk do të ketë kërkesa të reja, sapo Maqedonia e Veriut t’i përmbushë kërkesat e marrëveshjes ekzistuese”.

    Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.

    Escobar ka thënë gjatë dëshmisë së tij se Rusia e shtrin ndikimin e tij në rajon përmes dy rrugëve: dezinformatave dhe energjisë.

    “Asgjë më shumë. Rusia nuk ofron tregti bilaterale, as nuk ofron ndihmë, as kapacitet për ndërtim, as mbështetje për reforma demokratike. Thjesht, e fut rajonin në kurth përmes varësisë energjetike. Prandaj, sa më shpejt që mund t’i ndihmojmë rajonit në zvogëlim të varësisë, qoftë përmes gazit të lëngshëm natyror, apo përmes energjisë së ripërtrishme, aq më shpejt do të mund ta luftojmë ndikimin rus në rajon”.

    Ai e ka përmendur edhe ndikimin që synon ta shtrijë Kina përmes investimeve.

    “Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar qëndrueshmëri kundër këtyre ndikimeve”, ka thënë mes tjerash Escobar.

    Duke e përshkruar situatën në Malin e Zi, Escobar ka thënë se është rikthyer momentumi drejt të ardhmes evropiane së këtij vendi.

    Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare kanë qenë të lira, paqësore dhe se votuesve u janë ofruar mjaft zgjedhje.

    “Rezultati e ka forcuar synimin e Malit të Zi drejt integrimit dhe reformave që do të mundësojnë përparim”.

    Për Bosnje – Hercegovinën

    Escobar ka thënë se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje – Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.

    Marrëveshja e Dejtonit i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

    “Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.

    Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.

    Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Escobar i ka bërë këto deklarata në kohën kur Bosnja po përballet me një sërë krizash politike.

    Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë e shkakton gjakderdhjen nga hunda – Si ta ndaloni atë

    Lajmi i rradhës

    Si ta kuptoni se hormonet tuaja nuk janë në balancë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë