Pas muajsh paqartësish dhe luhatjesh në sektorin industrial, të dhënat më të fundit nga Enti Shtetëror përStatistika (ESHS) sinjalizojnë një kthesë të rëndësishme në ritmin e aktivitetit ekonomik industrial në vend. Maji i këtij viti është mbyllur me një rritje të ndjeshme të qarkullimit industrial, sidomos falë dinamizmit të tregjeve të jashtme dhe investimeve në mallra kapitale.
Megjithëse konsumatori i brendshëm nuk ka gjeneruar rritje të konsiderueshme, rritja e eksporteve dhe rigjallërimi në degë të caktuara industriale sugjerojnë se industria po hyn në një fazë më stabile të zhvillimit.
Sipas raportit të ESHS-së, indeksi i përgjithshëm i qarkullimit industrial për majin 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, është rritur me 16.8 për qind, një shifër që dëshmon për një përmirësim të dukshëm krahasuar me muajt e mëparshëm. Nëse shohim përbërësit e kësaj rritjeje sipas grupeve kryesore industriale, vërejmë se mallrat kapitale, të lidhura me investimet afatgjata si pajisje dhe makina, kanë shënuar rritjen më të madhe me mbi 29.5 për qind, duke reflektuar një klimë më të favorshme për investime. Mallrat e paqëndrueshme të konsumit, që përfshijnë produkte të përditshme si ushqim dhe pije, u rritën me 10.3 për qind, ndërsa mallrat e ndërmjetme, të përdorura për prodhimin e mallrave të tjera, u rritën me 9.2 për qind.
Ndërkohë, mallrat e qëndrueshme të konsumit panë një rritje më modeste prej 1.3 për qind, dhe energjetika, përjashtuar nga kjo listë, mbeti në nivele më të ulëta ose stagnuese.
Kur krahasimi bëhet me muajin paraprak, pra prillin 2025, indeksi i afarizmit arrin në 105.7, që tregon një rritje mujore me më shumë se pesë për qind. Për periudhën janar-maj 2025 në tërësi, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, indeksi qëndron në 106.1, duke përforcuar idenë e një trendi pozitiv për gjysmën e parë të vitit.
Megjithatë, panorama bëhet më komplekse kur indeksi ndahet sipas tregjeve. Në tregun vendas, qarkullimi industrial është rritur shumë pak, vetëm 0.6 për qind në krahasim me majin 2024, ndërsa për periudhën pesëmujore ka shënuar rënie prej 2.8 për qind. Në të kundërt, eksportet kanë qenë lokomotiva e rritjes industriale: në maj 2025, indeksi i tregjeve të jashtme arriti 121.0, që do të thotë rritje prej 21 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa për periudhën janar-maj ishte 107.7.
Ndryshe, në detaje sektoriale, disa degë kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme. Prodhimi i automjeteve, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove ka parë një zgjerim të jashtëzakonshëm me mbi 133.2 për qind, një tregues i kthimit të fuqishëm të këtij sektori pas ngërçit të viteve të kaluara. Prodhimi i pajisjeve elektrike u rrit me 23.0 për qind, ndërsa industria ushqimore, një nga shtyllat bazë të industrisë maqedonase, regjistroi rritje prej 10.5 për qind. /Koha/






