1 VIT NGA TRAGJEDIA NË BULLGARI | Familjarët me ngashërim të thellë kërkuan përgjegjësi, e te Zoti forcë për ta përballuar dhimbjen (Video)

    Komuna e Kërçovës të enjten (11.23.2022) organizoi akademi përkujtimore për Gazmend Ukallën dhe Albina Belulin, të cilët e humbën jetën në aksidentin tragjik të autobusit në Bullgari, shkruan Nistori.

    Në këtë akademi përkujtimore ishin të pranishëm familjarë, miq, politikanë dhe dashamirë të Gazmendit dhe Albinës. Në fjalimin e saj, nëna e Albinës, Nexharije Beluli i falënderoi të gjithë ata që me mbështetjen morale ua kanë zbutur dhimbjen.

    “I falënderoj të gjithë që në këtë periudhë keni qenë afër nesh. Me përkrahjen tuaj morale, e keni zbutur dhimbjen tonë. Fëmija është pasuria më e madhe në botë, kështu që humbja e tyre ishte gjëja më e vështirë që është dashur të përballemi. Që të dy familjet kemi humbur gjërat më të shtrenjta në jetën tonë. Albina zemra e mamit, ishte e çiltër, e dashur dhe e bukur. Çdo kush që e shihte, kishte dëshirë sërish ta takonte. Çdo herë kam pranuar fjalë të bukura nga profesorët e saj. Për 23 vite ajo më dhuroi dashuri dhe krenari. Ne ishim, jemi dhe do të jemi të nderuar, që kishim një bijë në jetën tonë. Kurse do të vazhdojmë ta duam, duke i kujtuar më të mira. Albinës dhe Gazmendit dua t’iu them se sot ju përkujtoheni nga të gjithë për dashuri, zemërbardhësi. Kjo na jep fuqi që të vazhdojmë përpara me kokën lartë”, tha nëna e Albinës.

    Ndërsa motra e Gazmendit, Kaltrina Ukalli tha se edhe pse vëllai i saj jetoi pak, ka lënë shumë dhe se ajo do të jetojë si motër krenare e tij.

    “Në familjen tonë festat fillonin me ditëlindjen e Gazmendit. Ky nëntor i sivjetëm po shënon vit mungese dhe mall. Ne ishim të detyruar të përjetojmë momente të vështira. Në kushte tjera do të kishim festuar ditëlindjen e 28 të tij. Por që fatkeqësisht kjo do të ngelet ëndërr e parealizuar. Gazmendi ishte si po emri i tij. Ishte më i vogli i familjes, por nuk ishte lazdran. Familja për të ishte e shenjtë. Nëse kthehemi pas, si fëmijë ishte i dhembshëm dhe këmbëngulës. Duke u rritur i rriteshin edhe ambiciet, gjithnjë duke ecur në hapat e babait. Ishte natyrë selektive dhe kishte shije për gjërat e bukura dhe këtë e dëshmoi me zgjedhjen e jetës së njeriut – Albinën. Ajo ishte një bekim për ne si familje dhe kurorë në kokën e vëllait. Përveç se e bukur ishte edhe e dashur dhe këmbëngulëse. Gazmendi dhe Albina ishin aq të ri dhe ambicioz. Për fat të keq jemi të destinuar të mësohemi me faktin se jeta e tyre është shuar. Na mungon të gjithëve. Ai jetoi pak, por la shumë. Dhimbja nuk shuhet e as zvogëlohet. Ajo do të jetojë me mua derisa i Gjithëfuqishmi të na bashkojë në botën tjetër, deri atëherë do të jetojë si motër krenare”, tha motra e Gazmendit.

    I pranishëm ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në fjalimin e tij në këtë akademi përkujtimore, bëri thirrje që edhe gëzimet edhe dhimbjet duhet të ndahen bashkë.

    “Në jetë njerëzit kanë nevojë që ta ndajnë gëzimin bashkë, pasi edhe gëzimi vet nuk përjetohet. Dhe ne sot këtu, jemi për të ndarë bashkë me nënën, motrat, vëllezërit e dy engjëjve Gazmendit dhe Albinës. Do të doja që shokët dhe shoqet, kryetari i komunës, për çdo ditë të ndajnë gëzimin me Gazmendin sepse e kanë pas afër. Dhe për çdo ditë këto gëzime që i keni përjetuar t’i ndani çdo ditë. Le të jetë një moment për të ndarë dhimbjen ky si sot, me rastin e ndarjes nga kjo jetë të të dashurve tonë. Hero janë të gjithë ata që derdhën gjak, por hero të punës janë edhe njerëzit që derdhin djersë dhe mend për ta çuar një proces përpara – Gazmendi është hero i punës”, tha Ali Ahmeti.

    Përveç poezisë së Adem Karagës, kushtuar Gazmendit dhe Albinës, si dhe këngës së Besiana Mehmedit, fjalim përkujtimor lexuan edhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, shoku i afërt i Gazmendit, si dhe një lutje qiellore bëri edhe një përfaqësues – hoxhë i myftinisë së Kërçovës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja

    Lajmi i rradhës

    5 sëmundje që dentisti mund të dallojë të cilat nuk kanë të bëjnë me dhëmbët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë