Familjet nga Gostivari që mbetën pa banesa sociale, jetojnë në kushte johumane

    E rrethuar me kartonë, ndërsa në dhe kanë shtruar vetëm një batanije. Pa drita, pa ujë, pa banjë. Kështu jeton familja tre anëtarëshe Abdii nga Gostivari.

    Jetonin në këto dhomëza që shihni, por gjashtë muaj më parë, ato u përfshinë nga zjarri ndërsa tre familjet që jetonin aty mbetën në rrugë. Më vonë, ata improvizuan këto dhoma që shihni, me ca drunj, najlon, dhe i mbështollën me kartonë për tu mbrojtur nga i ftohti. Kështu e kaluan edhe dimrin, madje pa pasur as edhe sobë për ngrohje.

    Kjo është dhoma juaj ku jetoni apo?

    “Po, kjo është po. Si u dogjën tjerat, ku kamë jetu 31 vjet, që kur u dogj para gjashtë muajsh, asgjë nuk kanë ndërmarrë. Asgjë nuk kam biri im asgjë, edhe bukë nuk kam të ha shkurt të them. Kam punuar tek varrezat e Gostivarit, por më larguan nga puna, tash më kam 64 vjeç, çka të punoj më unë. As bukë, asgjë s’kemi, djali nuk punon, gruan e kam invalide”, tha Isman Abdii, kryefamiljar.

    Në situatë të njëjtë jeton edhe fqinja e tyre, Elizabeta Boshkova.

    “Shumë rëndë e kemi, lagështi në gjitha anët ka, aroma e keqe na mbyti, nuk kemi ku të pastrohemi, tualet e kemi një kofë. Këtu kryejmë nevojën, këtu hamë, këtu fyejmë. Është turp ta them po s’kemi zgjidhje tjetër, ku të shkojmë, duhet të vendos batanije për tu pastruar. Ka minj të mëdhenj, natën na bien mbi kokë, kemi frikë mos na kafshojnë, si mace të mëdha janë”, deklaroi Elizabeta Boshkova.

    Duke mbledhur plastika, hekur por edhe punë të tjera, mblodhën para për të bërë dokumentet për aplikim për banesë sociale, por ditë më parë, kur u bë shpërndarja e tyre as që figuronin në listë.

    “Qeveria ndau banesa dje, për shtatëdhjetë persona, unë askund nuk isha. Ku ta di se përse. A punon për krejt kjo qeveri apo jo. Dhanë dje banesat erdh Ministri nga Shkupi, i rregulluan shtatëdhjetë persona mua asgjë, me njeri invalid”, tha Isman Abdii, kryefamiljar.

    “Nuk kemi vërtetë ku të shkojmë, nëse na heqin nga këtu do mbetemi në rrugë. I lus gjitha institucionet të na ndihmojnë kush çka të munden. Ministri, kryetari i komunës më shumë madje duhet të na ndihmojë ai është babai i qytetit”, u shpreh Elizabeta Boshkova.

    Nga Ministria e Transportit ditë më parë thanë se këto persona, kanë banesa të shtetit me qera andaj dhe nuk iu takon banesa sociale. Por, banesat e tyre ishin vetëm këto gërmadha që para gjysmë viti, u dogjën deri në themel. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rasti me gazetaren Delevska | AShMAA: Veprime të tilla rrezikojnë lirinë e mediave dhe është e papranueshme thirrja e gazetarëve për biseda informative

    Lajmi i rradhës

    Dorëzohet ankesë ndaj Talat Xhaferit për shkeljen e Kodit etik në Kuvend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë