Fati i Korridorit 8, i paqartë!

    Mes deklaratave qetësuese të pushtetit dhe kundërshtimeve të opozitës, fati i Korridorit 8 po mbetet i paqartë për qytetarët. Projekti, që prej vitesh konsiderohet jetik për lidhjen me Shqipërinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit perëndimor, po hyn në një fazë të re pasigurie, ku mungojnë përgjigjet konkrete dhe shtohen dilemat për trasenë përfundimtare. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Struga dhe rajoni përreth nuk do të mbeten jashtë lidhjes me autostradën në kuadër të Korridorit 8, duke tentuar të qetësojë shqetësimet për devijimin e mundshëm të trasës. Megjithatë, ai paralajmëroi se për shkak të kufizimeve në zonat e mbrojtura, mund të shqyrtohen alternativa të tjera. Në një deklaratë publike, Mickoski theksoi se qytetarët e Strugës, Kërçovës, Vevçanit dhe Debarcës duhet të jenë të qetë, duke shtuar se qeveria është e përkushtuar për zhvillim të barabartë në të gjithë territorin.

    “Kjo është qeveri e gjithë territorit të shtetit dhe nuk ka ndërmend askënd ta lërë të harruar”, deklaroi Mickoski. Reagimi i tij vjen pas polemikave në opinion lidhur me ndryshimet e mundshme në projektin e Korridorit 8, ku është ngritur shqetësimi se Struga mund të mbetet pa dalje direkte në autostradë dhe pa lidhje funksionale me Shqipërinë. Kryeministri akuzoi opozitën dhe një pjesë të mediave për tentativa për të nxitur polarizim etnik, duke theksuar se nuk do të lejojë përçarje të tilla gjatë mandatit të tij.

    “Tentimet për polarizim etnik nga ana e opozitës, sidomos partive opozitare dhe mediave të caktuara nuk do ti komentoja dhe nuk do të lejojë që derisa unë të jem kryeministër i vendit të ketë polarizim etnik në shtet, për shkak se nëse e shohim ashtu atëherë në komunat Kërçovë, Debarc, Ohër, Strugë dhe Vevçan shumica e popullatës janë maqedonas, ashtu që unë politikan të caktuar opozitar nga kampi politik shqiptar nuk do ti komentoj”, theksoi Mickoski. Sa i përket projektit, Mickoski tha se ndryshimet në trase lidhen me kufizimet në zonat e mbrojtura nga UNESCO, ndërsa paralajmëroi se një qëndrim përfundimtar pritet gjatë muajit korrik.

    “Nëse ajo trajektore mbetet kontestuese, do të shqyrtojmë alternativa të tjera, por qytetarët nuk do të mbeten pa lidhje me autostradën”, deklaroi kryeministri.

    MICKOSKI AKUZON TIRANËN ZYRTARE!

    Mickoski ngriti edhe çështjen e infrastrukturës në anën shqiptare, duke deklaruar se autostrada në Shqipëri nuk është planifikuar të arrijë deri në Qafë Thanë, por do të ndalet disa kilometra para. “Është mirë që atë pyetje tua bëjnë edhe politikanëve shqiptarë të Shqipërisë, sepse atje autostrada nuk do të jetë deri në Qafthanë, nuk do të jetë as rrugë eksprese, por do të jetë deri në 20-25 kilometra para Qafthanës, kjo është pyetja e vërtetë”, theksoi kryeministri Hristijan Micksoski.

    BDI: KORRIDORI 8 PO SABOTOHET NGA BOTA SERBE!

    Nga ana tjetër, opozita shqiptare i cilëson të paqarta deklaratat e kryeministrit. Bajram Rexhepi nga BDI tha se devijimi i trasës është paralajmëruar më herët nga vetë kryeministri dhe ministri i Transportit, ndërsa hodhi poshtë akuzat për nxitje të tensioneve etnike. “Jo nuk është e vërtetë. Kjo është si pasojë e deklaratave e zyrtarëve të lartë dhe vet kryeministrit, të cilët deklaruan se lidhja me Shqipërinë do të jetë shumë problematike, pasi që nuk mund të gjendet zgjidhje konform standardeve të UNESCO-s, që të lidhet me Qafthanë, ndërkohë që të gjithë e dimë se ka zgjidhje shumë konkrete, zgjidhje shumë të lehta që mund për shkurt kohë të rregullohet kjo problematikë dhe përfundimisht duhet që edhe ajo pjesë e Maqedonisë së veriut të lidhet me Shqipërinë”, theksoi Rexhepi.

    Ai madje tha se sponsor kryesor i devijimit dhe bllokimit të projektit të korridorit 8 është Serbia, interes i të cilës është që shqiptarët të mos lidhen ndërmjet vete.

    “Serbia ka interes vital të mos ndërtohet korridori 8, përkundrazi ato insistojnë me shumë interesim që të ndërtohet pjesa e korridorit 10, domethënë hekurudha e shpejtë që do të lidhte Beogradin me Selanikut. Ju e keni parë se ditëve të fundit në një agjenci prestigjioze bullgare BGNES, citojnë funksionarë të lartë serb, të cilët po lavdërohen ditëve të fundit se kanë sabotuar dhe korridori 8 nuk do të ndërtohet. Kjo është shumë shqetësuese”, theksoi Rexhepi. Këto deklaratat vijnë në një moment kur debati për Korridorin 8 është intensifikuar, duke e kthyer këtë projekt strategjik në një nga temat më të ndjeshme politike dhe zhvillimore në vend. Koha

    Lajmi Paraprak

    Cilat vende po lëshojnë më shumë pasaporta për ‘shtetasit jo-BE’?

    Lajmi i rradhës

    Ulet prodhimi industial në Maqedoni për 4,2 për qind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë