Foshnja që vihen në gjumë me ngjitës dhe qetësues, fëmijë trevjeçarë që lypin para nga qytetarët, vajza të mitura që mbeten shtatzëna. Ky është fati i qindra fëmijëve të cilëve rruga u bëhet shtëpi, ndërsa lypja mënyrë jetese, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të sakta se sa fëmijë janë në rrugë. Krahas mospërputhjes të të dhënave me të cilat disponojnë institucionet dhe sektori i shoqërisë civile, përvoja tregon se numri i tyre çdo verë rritet, sidomos në qendrat turistike në mbarë vendin.
“Fëmijët transportohen me makina dhe furgonë. Zakonisht ata nga Kavadari, Prilepi dhe Manastiri dërgohen në Ohër, ndërsa ata nga Gostivari dhe Kërçova dërgohen në Strugë. Pastaj, fëmijët lypës nga Strumica dërgohen në Dojran, ndërsa ata nga Tetova, Gostivari, Velesi, Shtipi dhe Kumanova dërgohen në kryeqytet”, thotë kryetari i shoqatës “Ndërtojmë të ardhmen”, Ilija Jovanoviq.
Shtëpi të braktisura në vend të një vatre të ngrohtë
Sipas tij, këta fëmijë jetojnë në shtëpi të braktisura ose baraka të vjetra.
“Për fat të keq prindërit e tyre janë bashkëfajtor në abuzimin e tyre”, thotë Jovanoviq.
Shoqata e tij ka arritur në përfundimin se vetëm në rrugët e Shkupit ka nga 200 deri më 350 fëmijë që lypin. Megjithatë, numri me të cilin disponon Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë është dukshëm më i ulët.
Në një përgjigje me shkrim nga atje thonë se në mbarë vendin ka 166 fëmijë që lypin.
Lypsarë në rrugët e Shkupit
Numri më i madh i tyre ndodhen në qytetet më të mëdha si Shkupi dhe Manastiri, ndërsa gjatë periudhës së verës vihet re rritje e numrit të fëmijëve lypsarë në disa nga qendrat turistike si Ohri dhe Struga, thonë nga ky institucion në përgjigjen me shkrim.
Ekipet e tyre bashkë me policinë vitin e kaluar kanë vepruar më shumë se njëqind herë në kryeqytet.
Në Tetovë në vitin 2024 janë regjistruar 10 fëmijë, në Manastir 11, në Gostivar 5 dhe në Prilep 3 – theksojnë nga Ministria.
Megjithatë, Jovanoviç nga “Ndërtojmë të ardhmen” kërkon që ekipet të punojnë në tre turne dhe të jenë në terren më shpesh. Me këtë ritëm do mund të reduktohet fenomeni i lypjes, thotë ai.
Për këtë problem ai e drejton gishtin te të gjithë kryetarët e mëparshëm të komunave në të gjithë vendin, sepse ata nuk kanë kërkuar fonde nga pushteti qendror për të hapur qendra ditore që do të kujdeseshin për fëmijët e rrugës.
“Ky është problem prezent për dekada të tëra dhe është pasojë e paaftësisë së të gjithë kryetarëve të komunave. Askush nuk ka një program, u bëj thirrje që të bëjnë diçka të paktën pas zgjedhjeve. Kështu do ketë më shumë punësime për ata që kanë mbaruar fakultete në degën e mbrojtjes sociale”, thotë Jovanoviq.
Avokati i Popullit me rekomandim për më shumë qendra ditore
Se shteti ka mungesë të qendrave ditore për fëmijët lypsarë alarmojnë edhe nga Zyra e Avokatit të Popullit. Pikërisht hapja e qendrave të tilla është një nga rekomandimet në Analizën e fundit të këtij fenomeni negativ.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se masat e ndërmarra nga autoritetet kompetente nuk janë aq sa duhet efikase.
“Duhet të punohet paralelisht me prindërit, që të fitojnë aftësi të caktuara që të mund të gjejnë një punë dhe në vend që të jenë shembull si lypsarë, fëmijës t’i japin shembull duke i siguruar mjete për jetesë përmes punës. Padyshim që shteti duhet ta marrë përsipër kujdesin e plotë për fëmijët që lypin duke i zgjidhur problemet sistematikisht “, shtojnë nga ky institucion.
Sipas Analizës së Avokatit të Popullit shteti duhet të krijojë një sistem të integruar të të dhënave për këta fëmijë, i cili përveç shërbimeve sociale do ta përfshijë edhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.
Për të njëjtën periudhë hulumtimi, Qendrat kompetente për punë sociale në nivel shtetëror kanë dorëzuar pran Zyrës së Avokatit të Popullit të dhëna të ndryshme për gjendjen me fëmijët e rrugës nga ato që këto qendra i kanë dorëzuar pranë I.P. Enti për Veprimtari Sociale, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Për atë se sa qendra ditore për fëmijët e rrugës funksionojnë me para shtetërore, përgjigje kërkuam nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Qendër ditore me donacione
Nga atje theksojnë se në Shkup ekziston vetëm një Qendër ditore shtetërore për fëmijët e rrugës në Kisella Voda, me një kapacitet për 10 fëmijë. Numri më i madh i fëmijëve që lypin janë në kryeqytet dhe janë nga komuniteti rom në komunën e Shuto Orizares.
Ministria gjithashtu mbështet financiarisht një qendër ditore të menaxhuar nga organizata joqeveritare Iniciativa për zhvillim dhe përfshirje të komuniteteve në komunën rome të Shuto Orizares me një kapacitet për 24 fëmijë.
Në këtë komunë vepron një qendër tjetër e cila është nën ombrellën e Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Por, kjo Qendër ka muaj që po lufton për “mbijetesë”, ndërsa punonjësit që nuk marrin paga blejnë ushqim dhe materiale shkollore për fëmijët përmes donacioneve. Ata e paguajnë edhe qiranë për objektin në të cilin ndodhet qendra.
Kjo Qendër Ditore, e cila u hap 19 vjet më parë, fillimisht mbeti pa burimet e nevojshme financiare nga shteti, i cili më pas ia mori edhe licencën. Më pak se një muaj më parë një komision nga ministria kompetente kreu inspektim, ndërsa nga vlerësimi do të varet nëse kjo Qendër do të mund ta marrë sërish licencë.
Oliver Baçanoviq, kryetar i shoqatës nën ombrellën e së cilës është kjo qendër, thotë se nëse e marrin licencën, pastaj do mund të aplikojnë për mbështetje financiare.
“Fëmijët vijnë në Qendër edhe tani gjatë pushimeve verore. Ekipi jonë profesional ofron shërbime sociale për ta në bazë vullnetare sepse ata janë një kategori vulnerabël”, shtoi Baçanoviq.
E përderisa pritet rezultatit nga komisioni që praktikisht do të vendosë për fatin e fëmijëve që përfitojnë nga Qendra ditore, nga ministria përkatëse thonë se po bëjnë përpjekje për ta reduktuar numrin e fëmijëve në rrugë edhe në bashkëpunim me policinë.
Rasti i fundit ishte në Dibër, kur policia ngriti kallëzim penal kundër një nëne 28-vjeçare e cila ia kishte dhënë fëmijën nënës së saj, e që ajo pastaj e kishte detyruar të lypte.
Kallëzime penale kundër prindërve
Zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski thotë se policia po ndërmerr masa preventive për ta ulur delikuencën tek të miturit. Por, as ai, e as МРВ-ja nuk iu përgjigjën pyetjes lidhur me atë se çfarë abuzimesh janë regjistruar me fëmijët që lypin.
Në raste të tilla autorët e veprës penale dërgohen në stacionin lokal të policisë ose u lëshohet një urdhër arresti në vend për kryerjen e një vepre penale kundër rendit dhe qetësisë publike. Kallëzime penale ngrihen kundër prindërve të fëmijëve që lypin sipas nenit 201 të Kodit Penal në Prokurorinë Publike të Shkupit – thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje me shkrim.
Kodi Penal parasheh dënim me burg nga një deri në dhjetë vjet për çdo prind, prind adoptues, kujdestar ose person tjetër i cili, duke neglizhuar rëndë detyrën e tij për kujdes dhe edukim, neglizhon ose abuzon me një fëmijë.