Prej sot ka filluar afati zyrtar për dorëzimin e kandidaturave për pasardhës të Dimitar Kovaçevskit, i cili dha dorëheqje nga posti i i liderit të LSDM-së, pas humbjes që pësoi kjo parti në zgjedhjet e 8 majit. Në seancën e mbrëmshme të Këshillit Qendror u miratua rregullorja për kriteret, mënyrën dhe procedurën për kandidim.
“Mbi baza të statutit të LSDM-së, vendimet e Këshillit Qendror dhe vendimin e Këshillit ekzekutiv, LSDM prej sot shpall thirrje të hapur për vetëkandidim të të gjithë kandidatëve të interesuar për kryetar partie. Procedura për kandidim fillon prej 31.05.2024 dhe do të zgjas shtatë ditë, deri në 06.06.2024, ndërsa të drejtë për kandidim kanë të gjithë anëtarët e LSDM-së që i plotësojnë kriteret dhe vlerat e larta morale dhe etike”, thonë nga LSDM.
Për kryetarë të LSDM-së mund të kandidohet një person i cili më së paku 5 vite ka anëtarësi në LSDM dhe më së paku njëherë ka qenë i zgjedhur nga ana e Kongresit të LSDM-së për anëtarë në një prej organet e partisë.
Në garën për kryetar partie deri më tani është konfirmuar se do të garojnë, ish ministrja e mbrojtjes dhe deputetja aktuale, Sllavjanka Petrovska dhe drejtori aktual i Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjiko-Industriale, Jovan Despotovski. Prej emrave që përfliten është edhe ai i ish ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe.
Nga LSDM njoftojnë se zgjedhjet do ti zbatojë Komisioni Qendror zgjedhorë së bashku me 80 komisionet zgjedhore komunale dhe bordet e njësive të votimit në nivel lokal. Të drejtë vote do të kenë të gjithë anëtarët e LSDM-së që do të regjistrohen në mënyrë aktive. Nga LSDM thonë se periudha e regjistrimit aktiv është rritur dhe tashmë është 20 ditë. /Alsat/