Autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato të Maqedonisë së Veriut kanë përuruar sot vendkalimin e përbashkët kufitar Hani i Elezit-Bllacë. Në këtë ngjarje morëm pjesë të dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Hristian Mickovski. Mickoski tha se kjo pikë kufitare e cila deri vonë është parë si pengesë, tashmë do të jetë lehtësim dhe bashkëpunim më i fuqishëm mes dy vendeve.
“Një vendim i duhur për lehtësimin e lëvizjes së qyettarëve tanë ndërmjet dy vendeve, një lehtësim për ekonominë e dy vendeve. Tashmë kemi një pikë ndalese, një pikë kontrolli, si dëshmi që kufiri nuk duhet të jetë mur por duhet të jetë urë bashkëpunimi mes vendeve. Një urë prej të e cila presim të kalojnë me miliona njerëz brenda vitit, ky kufi që deri vonë është parë si pengesë, tash e tutje do të shihet si lehtësim pa asnjë pengesë”, tha Mickoski
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka theksuar se lehtësimi i qarkullimit në kufi do të forcojë bashkëpunimin në shumë fusha mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Tani e tutje qytetarët do kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës dhe të dhënat do shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik… Pritjet e qytetarëve më në fund do të reduktohen e kjo do t’i kontribuoj rritjes ekonomike, shkëmbimit tregtar dhe lidhjeve mes qytetarëve tanë”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se kjo nismë do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Sot po nisim një histori të re për bashkëpunim dhe përparim. Sot shënojmë një moment për lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve mes dy vendeve, po realizojmë konceptin “Evropa pa kufij”. Integrimi nuk është vetëm veprim politik, por është synim që kanë vendet tona për një Evropë që mban premtimet, sepse Ballkani është Evropë dhe meriton të jemi të integruar në Evropë”, tha Mexhiti.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo do t’u kursejë kohë qytetarëve të të dyja shteteve.
“One Stop Shop” do të zgjerohet edhe në kufijtë e tjerë.
Ministri Toshkovski njoftoi se pas implementimit të suksesshëm me Kosovën, ky sistem do të futet edhe në pikat kufitare me Serbinë dhe Shqipërinë, me çka do të lehtësohet qarkullimi ndërkufitar dhe do të rritet efikasiteti i kalimeve kufitare.