FITORE E OPOZITËS

    OPOZITA NË KOSOVË FITON 23 NGA 27 KOMUNAT ME SHUMICË SHQIPTARE.

    Me një fushatë që filloi herët në muajt e verës, pothuajse gjysma e dytë e vitit në Kosovë ishte e fokusuar në zgjedhjet lokale. Raundi i parë i zgjedhjeve që u mbajt me 14 tetor përcaktoi të parin e komunës në vetëm 17 nga 38 komuna, ndërkaq për 21 të tjera, kandidatët vazhduan fushatën edhe për një muaj.

    Gara vazhdoi të ishte posaçërisht e nxehtë për qytetet më të mëdha të Kosovës — Prishtinën, Gjilanin, Prizrenin dhe Gjakovën. Rezultati i thellë i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe humbja e partive tradicionale — Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) — në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt të këtij vitit, i bënë këto zgjedhje lokale test të të tria partive. A do ta mbante LVV fitoren historike në 23 komuna në zgjedhjet e përgjithshme pas 8 muajsh qeverisjeje dhe a do të mund ta mbanin pushtetin lokal PDK dhe LDK me figurat e reja dhe premtimet për reforma në parti?

    Këtë të diel, më 14 nëntor, u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku nga 1.2 milion qytetarë me të drejtë vote, afro 38% e tyre vendosën për udhëheqjen e komunave të tyre për katër vitet e ardhshme. 

    Ndonëse historia e modeleve të votimit të votuesve të Kosovës tregon që nga viti 2007 deri në vitin 2017, rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme pasqyronin njëra-tjetrën në masë të madhe, këto janë zgjedhjet e dyta lokale me radhë ku ky model votimi është përmbysur. 

    Fitoret dhe humbjet (pa)pritura

    Në një kthesë të papritur kandidati i LDK-së, Përparim Rama, mposhti në Prishtinë kandidatin e LVV-së, Arben Vitia në një prej garave më të nxehta në këto zgjedhje lokale. Ndonëse ish-ministri i Shëndetësisë, Vitia konsiderohej gjerësisht favorit për kryetar të Prishtinës dhe në rundin e parë të zgjedhjeve lokale kishte epërsi prej 16% ndaj Ramës, ky i fundit ia doli ta rikthejë Prishtinën nën pushtetin e LDK-së, ashtu siç kishte qenë deri në vitin 2013 me 51.06% të votave.

    Në Gjakovë, kryetari aktual Ardian Gjini nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fitoi me 56% të votave të përgjithshme. Duke mposhtur Mimoza Kusari-Lilën nga LVV, AAK do ta udhëheq edhe për një mandat tjetër Gjakovën. Ndërkaq, Kusari-Lila, e vetmja kandidate grua e cila ia kishte dalë për herë të parë në vitin 2013 ta fitoj garën për kryetare komune dhe ta udhëheq Gjakovën deri në vitin 2017, i humbi këto zgjedhje duke mbetur pas për 13% të votave. 

    PDK e riktheu Prizrenin me kandidatin e tyre Shaqir Totaj. Deri në vitin 2017, kur LVV fitoi për herë të parë shumicën e votave me Mytaher Haskukën, PDK-ja ka udhëhequr me Prizrenin. Totaj i fitoi 51.1% të votave në total duke lënë pas kandidatin e LVV-së, kryetarin aktual, Mytaher Haskuka. PDK ngjashëm riktheu edhe Vushtrrinë, ku pas një mandat qeverisjeje nga LDK me Xhafer Tahirin, e mori përsëri nën pushtetin e vet me kandidatin Imer Ferati me një epërsi në vota prej 7%.

    Në Gjilan, me një diferencë prej vetëm 859 votash, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni, figurë e re politike në sferën publike, mposhti kryetarin e dy mandateve, Lutfi Hazirin nga LDK. LVV po ashtu mposhti kryetarin aktual të Kamenicës, Qëndron Kastratin, duke vënë në krye të komunës Kadri Rahimajn. Kastrati e kishte fituar mandatin e tij si pjesë e LVV, por më pas u bë pjesë e Partisë Socialdemokratike (PSD) — fraksion i LVV.

    Kandidati i LDK-së, Përparim Rama, feston fitoren në Prishtinë.

    Ndërkaq, pas katër mandatesh, Shtimja nuk do të udhëhiqet më nga PDK. Kryetari aktual Naim Ismaili u mposht nga kandidati i LVV-së për vetëm rreth 200 vota. Ngjashëm rezultatet preliminare në Junik treguan se për herë të parë nga themelimi i komunës së Junikut në vitin 2009, atë më nuk do ta udhëheq AAK-ja, por LDK-ja me kandidatin e tyre Ruzhdi Shehu. 

    AAK-ja po ashtu humbi pushtetin në Obiliq, ku kryetari aktual Xhafer Gashi, pasi u nda nga AAK-ja, formoi Iniciativën Qytetare për Obiliq dhe e mposhti kundërkandidatin nga radhët e LVV-së, Halil Thaçin me mbi dy mijë vota diferencë.

    Në komunat më të vogla, LDK-ja mori shumicën e votave edhe në Istog, Fushë Kosovë dhe Viti, ndërsa nga rundi i parë mban edhe Pejën dhe Lipjanin, duke rezultuar kështu në 7 komuna të fituara në këto zgjedhje. Në anën tjetër VV-ja mori shumicën e votave në 4 komuna në total nga 12 prej tyre në të cilat ishte në balotazh. Kandidatët e PDK-së do të udhëheqin në 9 komuna në tërësi, AAK në 5 dhe Nisma në 1. 

    Në anën tjetër, në Kllokot fitoi Lista Serbe duke e bërë këtë të fundit fituese të të 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ndërsa në Mamushë — komunë me shumicë turke — fitoi Abdülah Krasnīç nga KDTP.

    Kryetarët e zgjedhur pa shumicë në kuvende komunale

    Ndërsa në raundin e parë të zgjedhjeve u zgjodhën edhe kuvendet komunale, përbërja e të cilave në pjesën më të madhe të komunave nuk paraqet shumicën në favor të kryetarit të zgjedhur, çka mund të luajë rol në mundësinë e tyre për ta çuar përpara programin e tyre. 

    Kuvendet komunale janë të një rëndësie të madhe për vendimmarrjen në një komunë, ku për marrjen e një vendimi kërkohet miratimi i tij nga shumica e anëtarëve të pranishëm. Sistemi i decentralizuar të qeverisjes në Kosovë u jep komunave kompetenca të konsiderueshme ekzekutive që nga furnizimi me ujë, cilësia e arsimit fillor dhe të mesëm, mirëmbajtja e rrugëve tona dhe deri te funksionimi i qendrave parësore mjekësore.

    Përveç se në Skënderaj, ku partia fituese PDK përbën po ashtu 53% të kuvendit komunal, asnjë parti — qoftë edhe fituese ne atë komunë — nuk e ka shumicën në kuvendet komunale të 27 komunave me shumicë shqiptare.

    Në Prishtinë, kryetari i zgjedhur nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, ka vetëm 27% të përbërjes komunale nga partia e tij. Ndërsa rreth 52% e kuvendit komunal përbëhet prej asamblistëve të LVV-së dhe PDK-së, përkatësisht me 33.56% dhe 17.74%. 

    Në Pejë, kryetari i rizgjedhur, Gazmend Muhaxheri, ka 43% asamblistë të partisë së tij, LDK dhe rreth 37% e asamblistëve u takojnë AAK-së dhe LVV-së. 

    Ndërkaq në Mitrovicë, ndonëse PDK e mposhti LVV-në që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, kjo e fundit përbën 30% të kuvendit komunal, vetëm 9% më pak se partia fituese. 

    LVV do ta përbëjë shumicën në kuvendin komunal të Prizrenit, me rreth 28%, duke lënë pas për rreth 2% partinë fituese PDK. 

    Në Gjilan, partia e cila u mposht pas dy mandateve në qeverisje, LDK, përfaqësohet me rreth 39% në kuvendin komunal, i cili do të udhëhiqet nga LVV, por ka vetëm 29% të përbërjes së kuvendit komunal.

    Me një sy mbyllur ndaj pandemisë 

    Nga rreth 1.2 milion qytetarë me të drejtë vote në 21 komuna, vetëm 38.86% prej tyre votuan.

    Ndonëse numrat ditorë të infektimeve dhe vdekjeve në Kosovë nga pandemia COVID-19 janë të ulëta pas valës së fundit të variantit Delta në gusht të këtij viti, qeveria e Kosovës ka vendosur t’i mbajë disa masa kufizuese kundër parandalimit të kësaj pandemie. Masat aktuale ndalojnë grumbullimin e më shumë se 30 personave në hapësira të mbyllura dhe më shumë se 70 persona në hapësira të hapuratë cilët duhet të paraqesin dëshmi të vaksinimit ose testit negativ, respektivisht të mbajnë distancë fizike prej 1 metre. 

    Megjithatë, sikurse në fushatën për rundin e parë të zgjedhjeve lokale në tetor, edhe gjatë këtyre katër javëve nuk u respektuan masat e distancimit fizik apo mbajtjes së maskave nga asnjëra parti garuese. 

    Edhe pse të zëshëm kohë pas kohe për rrezikun e pandemisë, në përmbylljen e fushatës të premtën e javës së kaluar, profilet e LVVPDKLDK dhe AAK u mbushën me fotografi nga takimet e kandidatëve me mbështetësit në të gjitha komunat që shkuan në balotazh. Jo vetëm që nuk u mbajtën maska, por në hapësira të mbyllura të sallave dhe restauranteve shiheshin qindra qytetarë. 

    Pas mbylljes së vendvotimeve në gjithë vendin, u përsërit rituali i festave nëpër qytete nga vetë partitë dhe simpatizantët e tyre edhe para se rezultatet të shpalleshin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërkaq me numërimin e votave që progresonte, disa nga kryetarët aktualë pranuan humbjen. 

    KQZ do t’i shpallë rezultatet finale së shpejti pasi t’i numëroj edhe votat me kusht dhe ato nga diaspora. Këto janë zgjedhjet e pesta lokale në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, ndërkaq zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen pas 4 vitesh, më 2025./Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Përfaqësuesit e “Ballkanit të Hapur” përcaktojnë aktivitetet e bashkëpunimit

    Lajmi i rradhës

    Grçeva: Ne kishim një natë të “Halloween” më 31 tetor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë