Një delegacion palestinez fitoi të drejtën për të përdorur flamurin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) pasi fitoi në një votim për të cilin palestinezët shpresojnë se do të çojë në njohjen më të gjerë të shtetësisë së tyre në Kombet e Bashkuara dhe më gjerë.
Propozimi i Pakistanit, Arabisë Saudite dhe të tjerëve u miratua në asamblenë vjetore të organizatës në Gjenevë me 95 vota pro, katër kundër (Izraeli, Hungaria, Republika Çeke dhe Gjermania) dhe 27 abstenime.
Bëhet e ditur se vendimi vjen pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar miratoi anëtarësimin e Palestinës në organizatë dhe në një kohë kur ka indikacione se Franca mund të njohë një shtet palestinez.
Delegati libanez Rana el-Huri tha se votimi ofroi një fije të vogël shprese për popullin e guximshëm palestinez, vuajtja e të cilit kishte arritur nivele të padurueshme, me sa duket duke iu referuar luftës shkatërruese midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Izraeli kundërshtoi rezolutën e OBSH-së dhe bëri thirrje për votim. Ndërsa SHBA nuk mori pjesë fare, shkruan Reuters.
Edhe pse pothuajse 150 vende e kanë njohur shtetin palestinez, shumica e fuqive perëndimore nuk e kanë njohur, si dhe disa fuqi të tjera, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.
Franca dhe Japonia e mbështetën propozimin, ndërsa Britania abstenoi.
“Është një akt simbolik dhe i vetëm, por edhe një shenjë se ne jemi pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me qëllim që të ndihmojmë me nevojat shëndetësore”, tha Ibrahim Hraishi, ambasadori palestinez në OKB në Gjenevë.
“Shpresoj që së shpejti të kemi anëtarësim të plotë në OBSH dhe në të gjitha forumet e OKB-së”, shtoi ai./Telegrafi/