Forumi Energjetik MEF rikthehet për herë të tetë, duke e forcuar pozitën e Shkupit si një qendër kyçe për diskutime mbi tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Forumi, i cili do të mbahet më 16-17 qershor 2025, do të shërbejë si një platformë dinamike ku idetë inovative shndërrohen në veprime konkrete, duke i harmonizuar objektivat rajonale me përpjekjet globale për qëndrueshmëri.
MEF25 do të fokusohet në biseda frymëzuese dhe në vendosjen e hapave konkretë për trefishimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, me qëllim përmbushjen e nevojave në rritje të rajonit. Diskutimet do të trajtojnë edhe mundësitë për aplikimin e teknologjive revolucionare që nxisin inovacionin në sektorin energjetik, si dhe iniciativat për krijimin e themeleve të forta industriale për zhvillim të qëndrueshëm.
Forumi do të vërë theksin në forcimin e konkurrueshmërisë për të pozicionuar Ballkanin Perëndimor si lider në tranzicionin energjetik global, duke siguruar njëkohësisht efikasitet energjetik dhe qasje në energji të pastër në të gjithë rajonin. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të qenë pjesë e një lëvizjeje të udhëhequr nga inovacioni, bashkëpunimi dhe investimet e zgjuara, ku Ballkani Perëndimor jo vetëm që i përshtatet të ardhmes energjetike, por edhe e formëson atë.
Qëllimet kyçe të MEF 2025:
- Nxitja e bashkëpunimit të zgjeruar ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në një kontekst gjeopolitik në ndryshim
- Harmonizimi i prioriteteve rajonale me objektivin për dekarbonizim të plotë deri në vitin 2050
- Mbështetja e industrializimit lokal dhe rajonal
- Inkurajimi i diskutimeve produktive, partneriteteve dhe iniciativave të ardhshme lidhur me inovacionin teknologjik dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin energjetik
MEF 2025 organizohet nga Instituti ZIP dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Ballkanin Perëndimor. Forumi mbahet nën patronazhin e Zëvendëskryeministrit të Parë, z. Izet Mexhiti, dhe Ministres së Energjisë, znj. Sanja Bozhinovska, çka nënvizon rëndësinë e tij dhe përkushtimin e fortë ndaj të ardhmes energjetike të rajonit.
Ngjarja do të mbledhë mysafirë të shquar nga Ballkani Perëndimor, Turqia, vendet e BE-së, Libani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe rajone të tjera, duke garantuar një shkëmbim të larmishëm dhe me ndikim të ideve.