Koalicioni i udhëhequr nga BDI, Fronti Europian nuk përjashton asnjë nga mënyrat demokratike për të shpëtuar nga opozita, gjegjësisht do të luftojnë deri në fund për të qenë pjesë e koalicionit qeveritar.
Edhe pse negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe “VLEN-it” janë duke vazhduar, BDI-ja ende mendon se ky opsion nuk është i duhuri për formimin e qeverisë, gjegjësisht fituesi duhet të bëjë koalicion me fituesin.
Skender Rexhepi-Zejdi thotë se ekzistojnë mekanizma demokratikë për t’i parandaluar ato. Ai nuk e përjashton mundësinë e protestave në rrugë.
“Fronti Europian as që po mendon të mbetet në opozitë. Jo se kemi komplekse për të mbetur në opozitë, por fakti është se legjitimiteti fillon dhe buron nga populli. Nëse populli ju jep votën, atëherë duhet ta përfaqësoni në të gjitha institucionet shtetërore”, tha për TV21, Skender Rexhepi-Zejdi. I pyetur se si do të luftojnë, qoftë përmes protestave, ai tha se ka mënyra më demokratike për të shprehur revoltë, por edhe për të treguar vullnetin e qytetarëve.
Ndryshe, grupet punuese të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it kanë vazhduar sot negociatat për formimin e qeverisë së re, përkatësisht harmonizimin e programeve dhe ndarjen e departamenteve. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, thotë se janë në rrugën e duhur dhe flasin për një qeveri serioze.
“Bisedimet vazhdojnë, jemi në rrugën e duhur dhe për hir të korrektësisë ramë dakord që kur të kemi një marrëveshje përfundimtare të dalim bashkë dhe ta prezantojmë para publikut. Nuk do të doja të hyja në detaje, por jemi në rrugën e duhur dhe kemi komunikim korrekt në drejtim të ndarjes së përgjegjësive. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se po flasim për një qeveri ambicioze që do të marrë në konsideratë një përfaqësim cilësor në departamente të ndryshme. Kërkojmë që të gjitha departamentet të kenë staf profesional”, thotë Kasami.
Ndryshe, të mërkurën do të ketë rivotim në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore dhe nëse rezultatet dalin ndryshe, numri i deputetëve të koalicioneve në Kuvend mund të ndryshojë./Nistori/