Fronti Europian nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave theksojnë se heqja e Balancuesit është goditje e drejtëpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Nga Fronti Europian potencojnë se ky skenar për heqjen e Balancuesit paralajmërim i Hristijan Mickoskit i cili është edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re, po ndihmohet edhe nga disa shqiptarë të cilët kanë humbur zjgedhjet, përcjell Nistori.
“Paralajmërimi i fundit i mandatarit Hristijan Mickoski për heqjen e mekanizmit të Balanserit, është goditje e drejtëpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, si një nga shtyllat kryesore për stabilitetin e shtetit dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend.Ky hap është vetëm vazhdimësi e asaj që filloi me mosrespektimin e frymës së MO-së, duke mos respektuar vullnetin e shumicës shqiptare të shprehur në zgjedhjet e 8 Majit, për çka paralajmëruam me kohë se ishte qëllimi kryesor dhe i vetëm.
Ky skenar fatkeqësisht po ndihmohet edhe nga disa shqiptarë të cilët humbën zgjedhjet dhe nga etja për pushtet u bënë servil të VMRO-DPMNE-së.
Fronti Europian ashtu si në rastin e parë edhe për këtë hap të rrezikshëm për të ardhmen e vendit, do të paralajmërojë të gjitha qendrat ndërkombëtare dhe në veçanti, garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, SHBA-të dhe Bashkimin Europian.
Kujtojmë të gjitha subjektet në fjalë se çdo cënim i mekanizmave të Marrëveshjes së Ohrit, do të hapë tema dhe mekanizma të tjerë që sigurojnë barazinë mes qytetarëve dhe bashkësive etnike në vend.
Fronti Europian si forcë e vetme politike legjitime, nuk do të lejojë diskriminimin dhe majorizimin e qytetarëve dhe nuk do të mbajmë përgjegjësi nga pasojat që mund të sjellin provokimet e këtilla të Qeverisë jolegjitime”, thonë nga Fronti Europian.
Ndryshe, Bashkimi Evropian është ai që rekomandon heqjen e balancuesit, mjetit që përcakton punësimin e nëpunësve civil sipas përkatësisë etnike, tha ditë më parë mandatari Hristijan Mickoski, në përgjigjen e pyetjes së gazetarit të Nistorit, nëse do të ndalet përdorimi i kësaj mundësie. Ai përkujtoi se rekomandimi i BE-së është pasojë e skrining procesit që tashmë është bërë.
“Dhe nëse thonë se duhet shfuqizuar, atëherë çfarë na mbetet? Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë sipas rekomandimeve që vijnë nga vetë BE-ja. Është rezultat i procesit të shqyrtimit”, tha Mickoski, duke shtuar se vendi duhet të përparojë sipas kompetencave, jo sipas gjinisë, përkatësisë etnike apo fetare.
Ndryshe, heqja e Balancerit ka qenë edhe premtim elektoral i VMRO-DPMNE-së, instrumenti i cili mundëson dhe ka për obligim të mbajë llogari mosdiskriminimin e komuniteteve. /Nistori/