Fronti Europian me akuza për shfuqizimin e “balancuesit”, VLEN premton ligj më të mirë

    Deputeti i BDI-së Arbër Ademi, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizua “balancuesi”, tha se “kjo është ditë e zezë për shqiptarët dhe se vendi po kthehet në vitet e 90-ta”, përcjell Nistori.

    “Dënojmë vendimin Gjykatës Kushtetuese për të deklaruar përkatësinë etnike në institucionet publike. Ky vendim përbën sulm të drejtpërdrejt ndaj vlerave themelore të të drejtave të njeriut. Deklarimi i përkatësisë etnike përbën element themelor dhe ky vendim do të ketë pasoja në shkeljen e tyre. Pa “balancuesin” komunitetet do të mbeten të padukshme në institucionet tona”.

    “Ky vendim është goditje e Marrëveshje e Ohrit dhe Kushtetutës së vendit tonë. Sot jemi në krizë të bashkëjetesës dhe të drejtës për mundësi të barabartë. Është hap për vendin tonë, si dhe rrënon harmoninë dhe bashkëjetesën që kemi ndërtuar. Bëjmë thirrje institucioneve dhe bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojnë barazinë dhe përfaqësinë e drejtë”, tha mes tjerash Ademi.

    Ai theksoi se “BDI do të qëndrojë në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve në vend”.

    Ademi edhe një herë përmendi se protestat janë në agjendën e Frontit Europian, por se ende nuk kanë ardhur në rendin e ditës në organet e partive të koalicionit.

    Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari nga koaliconi VLEN thotë se pikërisht BDI-ja ka urdhëruar gjykatësit që ta heqin ligjin e “balancuesit”.

    Taravari tutje thotë se koalicioni VLEN do të sjell ligj më të mirë, pasi që siç shton shqiptarët janë shtetformues.

    “BDI-ja urdhëroi gjykatësit e saj që ta heqin ligjin e Balancuesit. Ne do sjellim ligj edhe më të mirë sepse shqiptarët janë shtetformues! Shqiptarët dhe askush nuk mund të jenë lojë e BDI-së e cila edhe tani që po mbytet nuk tregon asnjë lloj dashamirësie ndaj këtij populli që i dhà 22 vjet mundësi!”, ka shkruar Taravari.

    Ndryshe, ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi që ta heq mekanizmin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet publike. Këtë vendim nga Fronti Europian e quajtën si “ditë të zezë për shqiptarët”.

    Lajmi Paraprak

    Përfaqësimi etnik, kërkohet zgjidhje e re

    Lajmi i rradhës

    Paratë europiane të bllokuara në burgun e Idrizovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë