FRUTAT, LUKSI I VERËS! / Transporti dhe ushqimet thellojnë inflacionin në RMV (Tabela)

    Në vend që vera të sjellë lehtësim në tregje me prodhime sezonale më të lira, për qytetarët e Maqedonisë së Veriut ajo ka ardhur me një tjetër valë shtrenjtimi. Të dhënat më të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se inflacioni mujor për qershorin 2025 ka arritur në 0.8 për qind, ndërsa në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, inflacioni vjetor është rritur me 4.5 për qind.

    Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), në qershor u regjistrua një rritje e dukshme në sektorin e transportit, ku çmimet u rritën me 2.9 për qind. Edhe rekreacioni dhe kultura, bashkë me ushqimin dhe pijet joalkoolike, shënuan rritje të njëjtë prej 1.1 për qind, duke reflektuar drejtpërdrejt presionin mbi buxhetin familjar. Mallrat dhe shërbimet e ndryshme u rritën me 0.9 për qind, ndërsa mobiliet dhe mallrat shtëpiake me 0.8 për qind. Rritje të çmimeve patën edhe restorantet dhe hotelet me 0.5 për qind, shëndetësia me 0.3 për qind, komunikimet dhe veshjet e këpucët me 0.2 për qind, dhe strehimi, energjia, uji dhe lëndët djegëse me 0.1 për qind.

    Të vetmet kategori që nuk ndryshuan në çmim ishin pijet alkoolike dhe duhani, si dhe arsimi, që mbetën në të njëjtin nivel me muajin maj. Ndërkohë, indeksi i çmimeve me pakicë për qershorin 2025 është regjistruar në 101.1, që gjithashtu tregon një tendencë në rritje të kostove të përgjithshme të jetesës.

    Në përballje me këtë situatë, Kryeministri Hristijan Mickoski tentoi të japë një shpjegim për rritjen e çmimeve, duke e lidhur atë me kostot në bujqësi. “Do të vini re se inputi është rritur me dy për qind, dhe prodhimi me 11 për qind. Nxirrni përfundimet tuaja, unë jua kam dhënë përgjigjen. Fermeri ia shet produktin e tij dikujt i cili më pas duhet ta nxjerrë atë produkt në treg, dhe nëse e shet me një çmim 11 për qind më të lartë, atëherë është e qartë për ju”, tha Mickoski.

    Megjithatë, ai nuk specifikoi për cilat produkte apo shërbime ushqimore bëhej fjalë, dhe as nuk dha ndonjë informacion konkret për masat e paralajmëruara, duke thënë vetëm se “do të shpallen së shpejti”.

    Nga ana tjetër, partia opozitare, LSDM deklaroi se ndërsa Mickoski shfaqet çdo ditë në media dhe flet për “rritje rekord” dhe “suksese ekonomike”, qytetarët ndjejnë në lëkurën e tyre pasojat e një politike ekonomike të dështuar. “Inflacioni në qershor ishte 4.5 për qind, më i larti në vite. Kjo do të thotë që të gjitha ato histori për rritjen e PBB-së dhe rritjen e pagave janë vetëm në letër. Në treg dhe në jetën reale, ato para vlejnë gjithnjë e më pak. Mickoski flet për rritjen e PBB-së prej 3.4 për qind, dhe e vërteta është se është vetëm 3 për qind, që është më pak se inflacioni. Kur çmimet rriten më shpejt se ekonomia, kjo do të thotë se ne jemi më të varfër, jo më të pasur, dhe se ekonomia po bie, jo po rritet”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

    Derisa shifrat dhe deklaratat politike përplasen, qytetarët përballen çdo ditë me realitetin e pamëshirshëm të tregjeve. Shtrenjtimi nuk është më një term abstrakt ekonomik, por një barrë konkrete në përditshmërinë e tyre. Në tregjet e gjelbra të Shkupit, pjeshkat po shiten deri në 300 denarë për kilogram, ndërsa nektarinat dhe qershitë kanë arritur në 400 denarë kilogrami, çmime që i bëjnë të papërballueshme për shumë familje frutat që dikur ishin pjesë e zakonshme e tryezës verore. Edhe dredhëzat vendase, që zakonisht janë më të lira, këtë verë shiten rreth 100 denarë, ndërsa ato të importuara arrijnë deri në 180 denarë për kilogram, varësisht nga cilësia dhe prejardhja.

    Ndryshe, përballë këtyre shifrave, për shumë qytetarë debati për rritjen e PBB-së ose efektet e inputeve bujqësore është më pak i rëndësishëm sesa vendimi i përditshëm nëse mund të përballojnë një kilogram fruta apo të shtyjnë edhe një javë pa to. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    UNESCO presion për Liqenin e Ohrit, kërkon që të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik

    Lajmi i rradhës

    Ndryshimet ligjore shpëtojnë punonjësit shkencorë në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë