Funksionarët me pagë 78% më të lartë, Qeveria dhe Parlamenti pa përgjigje

    Qeveria e RMV / Fotografia: Nistori

    Funksionarëve ju rritën pagat me 78 për qind duke arritur deri edhe në 2000 euro që nga muaji maj i këtij viti. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyrtarët deklaruan se do të punonin për korrigjime që pagat të mos ishin aq të larta, por gjithçka mbeti vetëm premtim. Nuk ishin shumë të zëshëm as nga opozita për të ulur pagat e funksionarëve të tyre në komuna dhe si deputetët. Ideja e parë e ekzekutivit ishte shqyrtimi i mundësisë së uljes së koeficientëve në përllogaritjen e pagave, por më pas thanë se përmasat e pagave të zyrtarëve do të rregullohen me një zgjidhje të re ligjore, shkruan gazeta Koha.

    Sipas Ligjit për pagat dhe kompensimet e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar – paga e ministrave, drejtorëve, prokurorëve, gjyqtarëve, kryetarëve të komunave… llogaritet në bazë të një koeficienti që varion nga 2.5 deri në 4.5. Koeficienti shumëzohet me pagën mesatare dhe një zyrtar i caktuar merr pagë sipas shumës së koeficientit për pozitën në të cilën është zgjedhur apo emëruar.

    BUXHETI I RI ME PAGA TË RRITURA

    Edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, pagat për zyrtarët janë llogaritur me një rritje prej 78 për qind e cila filloi të aplikohet në fillim të vitit 2023. Pra, edhe arka e shtetit për vitin e ardhshëm parashikon vazhdim të pagesës së zyrtarëve me paga të rritura, gjithnjë sipas ligjeve ekzistuese. Ekspertët vlerësojnë se pushteti ka mundur të gjejë zgjidhje për të ndryshuar ligjet dhe për ta kthyer shumën e pagave në nivelin e para vendimit të Kushtetutës.

    “Nëse ka pasur një qëllim të sinqertë për zvogëlim, kjo duhet të ishte bërë menjëherë. Ne duhet të diskutojmë rritjen e pagave në të gjithë sektorët. Njëherësh, nëse janë rritur pagat e zyrtarëve, atëherë pse nuk po mendojmë për rritjen e pagave edhe në të gjithë sektorët e tjerë”, thotë profesori Lazar Jovevski. Sipas tij, zgjidhja e rritjes së pagës në përqindje është zgjidhja më e mirë që duhet të shkojë në drejtim të rritjes së pagave dhe realisht çdo punëtor e meriton shpërblimin e tij. Ai që punon duhet të shpërblehet, të ketë rrogë dinjitoze dhe të shpërblehet për të pasur një jetë dinjitoze në Maqedoni dhe jo jashtë Maqedonisë”, konstaton Jovevski.

    PROBLEM I VJETËR

    Në ndërkohë , zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, vlerëson se tani po vuajmë pasojat e një problemi të shtresuar me vite, mungesat e mosmiratimit të vendimeve të qëndrueshme që nuk mund të tejkalohen brenda natës. “Në 20 vitet e kaluara fatkeqësisht dikush ka lozur me fatin e pjesës më të madhe e të punësuarve në sektorin publik për qëllime politike. Rritja eventuale dhe marrja e kompensimit adekuat është shikuar vetëm nga prizmi i agjendave partiako-politike, e jo nga prizmi i dinjitetit të qytetarëve”, shton Bytyqi. Sipas tij, tani me metodologjinë e re po qartë po shikohet ecuria e pagave e të punësuarve në sektorin publik në 20 vitet e ardhshme. Ai shton se deri në fund të muajit duhet të ketë njëfarë zgjidhje për pagat e zyrtarëve, që duhet të miratohet nga Parlamenti.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se dispozitat ligjore që ndalojnë uljen e pagave të gjyqtarëve, e bëjnë komplekse zgjidhjen për uljen e pagave të zyrtarëve.

    “Sa i përket pagave të zyrtarëve duhet të ndryshohen shtatë ligje, ndërsa disa nga zyrtarët kanë dispozita ligjore që nuk mund të ulet paga. Ka dispozita të tilla. Për shembull, me pagat e gjyqtarëve. Në këto pjesë të ligjeve, pjesa e deputetëve është e rregulluar me Ligjin për deputetët dhe deputetët janë mbi ata që i zgjedhin, që është Qeveria, prandaj them se është një zgjidhje komplekse. Në fund të fundit, ajo duhet të sjellë barazi në pagesën e punës në përputhje me përgjegjësitë që secili ka në shtet. Ishim në një situatë që presidenti i një vendi kishte një pagë më të ulët se një sekretare në Agjencinë e Komunikimeve Elektronike, për shembull. Besoj se edhe kjo është një disbalancë, e cila duhet të adresohet në mënyrë të duhur”, thekson kryeministri Kovaçevski.

    Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Jovanka Trençevska, thotë se vendimin për ngritjen e pagave të zyrtarëve nuk e ka marrë Qeveria, por Gjykata Kushtetuese. Jemi duke diskutuar dhe duke kërkuar një mënyrë për të zgjidhur çështjen e rritjes së pagave të zyrtarëve. Një opsion është Ligji për pagat në sektorin publik, një tjetër është ndryshimi dhe plotësimi i disa ligjeve, gjashtë apo shtatë ligje, që rregullojnë pagat e të gjithë atyre zyrtarëve, që përfshihen me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    SINDIKATA, QEVERIA DHE PARLAMENTI

    Sindikatat kanë kërkuar jo vetëm angazhimin e qeverisë, por edhe të deputetëve për uljen e pagave që janë rritur me 78 për qind që 7 muaj më parë. Njëherësh edhe më shumë se një muaj pas apelit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë drejtuar Qeverisë që të mos kërkojë arsyetime dhe të mos e shtyjë uljen e pagave të zyrtarëve për 78 për qind, nuk ka zgjidhje në horizont për këtë çështje. Ato kërkojnë që në vend të mesatares, bazë për llogaritjen e pagave të zyrtarëve duhet të jetë paga minimale e vitit të kaluar. Me atë, në vend të mbi 30 mijë denarë, zyrtarët do të kenë bazë prej 18 mijë denarë.

    “I bëjmë thirrje Qeverisë që të mos justifikohet për procesin me uljen e pagave zyrtare, por të zbatojë parimin tashmë të vendosur si kur sjell ligjet në dëm të punëtorëve dhe duke keqpërdorur flamurin evropian, pa konsultime të gjera, pa dialog dhe pa duke u kujdesur për vendimet e Gjykatës Kushtetuese si për vendosjen e javës së punës 72-orëshe apo tani kur duan të heqin pagën minimale nga Ligji për nëpunësit administrativë dhe t’i paraqesin Parlamentit një propozim për ligjin që do uljen e pagave zyrtare me 78 për qind”, thuhet në apelin e LSM.

    LSM tashmë ka dorëzuar një propozim për deputetët, të cilët siç thonë ata kanë 4 muaj që heshtin dhe të njëjtën zgjidhje ia propozojnë edhe Qeverisë.

    Propozimi parashikon në Ligjin për paga dhe kompensime të tjera të deputetëve në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar në Republikën, neni 11 të ndryshohet dhe të thuhet: “Baza për llogaritjen e pagës duke filluar me pagesën e paga për muajin shtator 2023 është paga minimale e publikuar në Gazetën Zyrtare për vitin paraardhës të publikuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale”.

    Ndryshe, mbi 1000 zyrtarë, gjykatës, prokurorë, kryetarë komunash, drejtorë marrin paga më të larta nga muaji prill, që nënkupton dalje të mjeteve shtesë nga buxheti në vlerë prej 960 milionë denarë në vit (mbi 15 milionë euro) ose 80 milionë denarë në muaj. Bëhet fjalë për shpenzime të paplanifikuara buxhetore, duke qenë se masa hyri në fuqi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga maji i këtij viti, i cili shfuqizoi dy nene të Ligjit për paga dhe kompensim të zyrtarëve, që mundësoi rritjen e pagave të zyrtarëve me 78 për qind.

    Lajmi Paraprak

    Vizat po shihen si shpresë për të braktisur Kosovën

    Lajmi i rradhës

    A po përdoret Qendra humanitare ruse në Nish, si bazë spiunazhi e Kremlinit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë