Fushat e Dibrës pa ujë, premtime sa të duash — neglizhencë nga institucionet

    Afër 20 vite nga dëmtimet dhe vjedhja e sistemit të pompave për ujitje të fushës së Dibrës, i cili merrte ujë nga Liqeni i Dibrës, dhe pas shumë angazhimeve, elaborateve dhe projektesh, fusha e Dibrës vazhdon të mbetet pa ujë. Dibranët thonë se “llafe dhe muhabete ka sa të duash, por punë jo”. Institucionet qendrore nga të cilët varet edhe sanimi i këtij sistemi shumë domethënës për bujqësinë dibrane,asnjë hap konkret nuk e kanë ndërmarrë. Dy dekadat e kaluara faktikisht pa ujë, u dëmtuan jo vetëm bujqit që kanë toka në këtë fushë, por drejtpërdrejt u dëmtua edhe bujqësia e komunës dhe rajonit. Para pesë viteve, Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me pushtetin vendor në Dibër përgatiti elaborat për sanimin e sistemit për vaditje. Ishte një moment optimist për bujqit dibran. Por, deri sot – nuk ka sinjale konkrete për ndërtimin e objektit për pompat apo sanimin e sistemit për vaditje të fushës së Dibrës.

    Në shoqatën e bujqve dibran thonë se dëmet nga mosfunksionimi i Sistemit për ujitje të fushës së Dibrës janë marramendëse, ndërsa aktualisht një pjesë e tokës nuk punohet aspak meqë me kohë është braktisur. Migrimi dhe toka e thatë janë një kombinim negativ që kanë dëmtuar këtë fushë, nga e cila në të kaluarën furnizohej me prodhime bujqësore jo vetëm Dibra, por edhe mbarë rajoni.

    Kryesia e shoqatës potencon se para disa vitesh, në kuadër të projektit për sanimin e sistemit, pompat e u vodhën nga hajnat të cilët asnjëherë nuk u zbuluan dhe nuk dolën para drejtësisë. U ndërtua një objekt i ri në vend të objektit të vjetër ku ishin pompat në bregun e liqenit, por puna mbeti aty. Nga pompat dhe sanimi i kanalizimit të sistemit nuk ka asgjë.

    “Kjo situatë na sjell dëme të mëdha gjatë çdo viti, meqë çdo verë pa ujë nuk mund të ketë prodhime bujqësore. Punojmë, por kushtet janë të këtilla dhe në thatësirë nuk mund të prodhohet ajo që dëshirojmë”, na thotë Agimi, pronar i disa hektarëve tokë në fushën e Dibrës. Sipas tij, kjo situatë ka bllokuar tërësisht prodhimtarinë lokale bujqësore, meqë në të kaluarën pas mbulimit të fushës të Udovës me liqenin e Dibrës, vetëm fusha e Dibrës ishte ajo që furnizonte komunën dhe rajonin me prodhime bujqësore. Bashkëbiseduesi jonë sqaron se në shoqatën e bujqve dibran ka një pakënaqësi të madhe ndaj institucioneve kompetente për shkak të zgjatjes të afateve për sanimin e sistemit.

    “Janë afër 3 mijë hektarë tokë pjellore, por për shkak të mungesës së ujit, punohen vetëm një pjesë e vogël e tokës”, thonë në shoqatë. Sistemi për vaditje të fushë së Dibrës është ndërtuar viteve të 70-ta, pasi fusha e Udovës u përmbyt nga ujërat të liqenit të Dibrës me qëllim që të ndërtohet hidrocentrali “Spile”. Dibranët, të cilët fushën e Udovës e quanin edhe Ambari i Dibrës, ishin të detyruar të punojnë Fushën e Dibrës në afërsi të kufirit. U ndërtua sistemi, por pas shumë viteve ujitje, ai tërësisht u demolua dhe fusha mbeti pa ujë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjimnazi s’është më zgjedhja e parë e nxënësve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë