Me përplasje të ashpra për orientimin strategjik të vendit dhe ndikimet e huaja, si dhe me zyrtarizimin e kandidatëve me përvojë institucionale apo figura kyçe brenda partive politike, ka nisur tashmë parafushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.
Në një anë, në Frontin Evropian, nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për komunën e Çairit.
Nga ana tjetër, pritet që kandidati i VLEN-it për këtë komunë të jetë Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër aktual dhe një nga liderët e këtij koalicioni. Gjithashtu, nga ky bllok opozitar është pothuajse e sigurt se në komunën e Tetovës do të kandidojë kryetari aktual i saj dhe njëherësh kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Kundërkandidat i tij do të jetë Bajram Rexhepi, nënkryetar i BDI-së dhe ish-drejtor i ndërmarrjes publike “Nomagas”. Këto zhvillime tregojnë se partitë politike shqiptare po e marrin me seriozitet të plotë këtë garë.
Mexhiti përballë Osmanit në Çair?
Pasqyra e plotë e asaj se si do të duket gara në zgjedhje lokale, pritet të duket më e qartë nga java e ardhshme, kur pritet që koalicioni VLEN të zyrtarizojë kandidaturat për krerë komunash. I pyetur nëse do të lëshojë postin e zv/kryeministrit për të garuar në zgjedhje lokale, Mexhiti nuk u përgjigj konkretisht. Megjithatë ai nuk mohoi se është pjesë e anketave të brendshme të koalicionit.
“Po bëjmë bisedat dhe analizat e fundit brenda VLEN-it dhe besoj se ditëve në vijim, javën e ardhshme do ti shpalosim të gjitha kandidaturat në të gjitha komunat, përveç Strugës ku veç më e kemi bërë zyrtare mbështetjen për kandidatin e pavarur Mendi Qyrën”, theksoi Mexhiti.
Ai më tej informoi se VLEN do të ketë kandidat edhe në Qytetin e Shkupit, por edhe në Kërçovë. Ai informoi se do të partnerët e koalicionit qeveritar do të mbështesin njëra tjetrën në shumicën e komunave.
“Asgjë e veçantë, asgjë e re. Si në vitet e 90-ta të pluralizmit, gjithmonë partnerët qeveritarë janë mbështetur dhe do të mbështeten”, the Mexhiti, duke bërë kështu me dije se VLEN do të mbështes kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe anasjelltas.
BDI: Zgjedhjet, referendum për orientimin evropian të vendit
Nga ana tjetër, BDI vlerëson se këto zgjedhje nuk janë thjesht një garë për qeverisjen komunale, ato janë një referendum politik për të ardhmen strategjike të vendit dhe për orientimin e tij drejt familjes evropiane.
“Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se beteja për komunat është betejë për shtetin. Raporti më i fundit i miratuar nga Parlamenti Evropian, me shumicën dërrmuese prej 461 eurodeputetësh nga të gjitha grupimet politike, e konfirmon zyrtarisht se Maqedonia e Veriut po ekspozohet gjithnjë e më tepër ndaj ndikimeve destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë, pjesë e projektit gjeopolitik të ashtuquajtur bota serbe”, theksojnë nga BDI.
Sipas kësaj partie, kjo nuk është retorikë politike apo qëndrim partiak, por një realitet i konfirmuar nga partnerët tanë evropianë.
Madje, nga partia më e madhe opozitare shqiptare vlerësojnë se gjatë kësaj periudhe vendi ka rrëshqitur edhe për sa i përket marrëdhënieve ndëretnike.
“Marrëdhëniet ndëretnike janë dëmtuar rëndë, është rikthyer majorizimi, është shfuqizuar përfaqësimi, janë shkelur të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe është thelluar diskriminimi në institucionet shtetërore. Kjo situatë nuk është vetëm një kthim prapa, por një kërcënim serioz për rendin kushtetues, bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe vlerave evropiane. Prandaj, BDI kërkon menjëherë inicimin e një hetimi institucional dhe thirrjen e një debati urgjent në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të shqyrtuar në mënyrë të thelluar këtë rrezik që ka kapur orientimin evropian të vendit. Çdo votë në këto zgjedhje është një votë për orientimin dhe të ardhmen e vendit”, theksojnë nga BDI.
Rama: Fushata të bazohet te kandidaturat dhe zgjidhjet lokale
Sipas politologut Ariton Rama, zgjedhjet lokale që pritet të shpallen së shpejti nuk do të kufizohen vetëm në dimensionin komunal. Ai në një deklaratë për gazetën KOHA, parashikon se gara do të shndërrohet në një duel politik mes dy blloqeve kryesore shqiptare, të cilat do të kërkojnë të forcojnë legjitimitetin e tyre në sytë e votuesve. Për pasojë, fushatat do të jenë të mbushura me premtime që shpesh tejkalojnë kompetencat e vetë pushtetit lokal.
“Është një lloj lufte, një lloj ballafaqimi që nuk do të ketë vetëm karakterin e problematikave lokale, por njëkohësisht do të ketë hapërimin ose publikimin e një organizimi partiak brenda situatës tonë politike. Kush më shumë dominon, cilat koalicione do të jenë më profitabile dhe nga ana tjetër cila forcë është më legjitime, e cila do të ngërthejë në vete votën elektorale në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet lokale kanë këto premisa”, theksoi politologu Rama.
Ai thekson se në vend të një gare ideore mbi nevojat konkrete të qytetarëve, partitë po fokusohen te retorika e zakonshme politike, duke lënë në hije profilin real të kandidatëve.
“Në vend që vëmendja të jetë te partitë, duhet të jetë te individët që kandidojnë, te aftësia e tyre për të kuptuar problemet lokale dhe për të ofruar zgjidhje reale. Deri më tani, nuk kemi pasur të definuar një kandidat, i cili realisht merret vetëm me zgjedhje lokale dhe e dyta që të ofrojë një vizion që përfshin edhe dimensionin global si standard të ri zhvillimi”, vlerëson ai.
Përndryshe, zgjedhjet lokale pritet të shpallen në fillim të muajit gusht, ndërsa të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor. VMRO-DPMNE pritet që të mbështesë VLEN-in në këto zgjedhje, pasi edhe vet kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski ka paralajmëruar mbështetje, madje që në rreth të parë, me qëllim që të fitohet BDI-ja e Ali Ahmetit. LSDM nuk ka bërë me dije për koalcionim eventual apo bashkëpunim me partitë shqiptare. Kreu i Social-Demokratëve, Filipçe ka sqaruar se kjo parti do të ketë bashkëpunime në varësi të interesave lokale.






