Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar të hënën serbin Gavrillo Millosavleviqin, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Gjykatësi Veseli Ismaili ka deklaruar se nuk është vërtetuar se i dyshuari – në cilësinë e zyrtarit në burgun e Dubravës – e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej, dhe kështu i është ndërprerë edhe masa e paraburgimit, ka raportuar mediumi i specializuar për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, Betimi për Drejtësi.
Atij i ishte ngritur aktakuza më 29 nëntor të vitit 2023 dhe në të përmendej se Millosavleviq, bashkë me disa persona tjera, kishte vrarë, rrahur, maltretuar dhe torturuar të burgosurit civilë shqiptarë.
Sipas aktakuzës, ai kishte qenë pjesë e grupit të ushtarëve serbë, të cilët kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitralozë, mortajë dhe armë tjera, në një operacion të nisur më 22 maj 1999 deri më 24 maj 1999, si pasojë e të cilit ishin vrarë 109 të burgosur.
Në shkurt të vitit 2024, nga akuza për krime lufte ishte liruar edhe serbin tjetër Zllatan Arsiniqi, i cili akuzohej se me pjesëtarë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare në kohë lufte, kishte marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të banorëve të Kamenicës.
Fondi për të Drejtën Humanitare pati vlerësuar në rastin e Arsiniqit se trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte mbajtur proces të drejtë gjyqësor.
Në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë besohet se janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë. /REL/