Gazetaria në RMV në aleancë me Inteligjencën Artificiale

    “Sigurisht! Ja një version pak të ndryshuar të tekstit, të cilit i është ruajtur kuptimi dhe stili.” “A doni që unë ta përshtas lajmin për një format të caktuar?” Në dy ose tre vitet e fundit mediat në Maqedoni ndodh që t’i fillojnë ose t’i përfundojnë tekstet e e tyre me fjali si këto. Këto nuk janë incidente që mund të gjenden vetëm në mediat online me ekipe editoriale të përbëra nga vetëm një person. Dhe një televizion me mbulim kombëtar e përfundoi një nga tekstet në uebfaqen e tij me një fjali të këtillë, shkruan Prizma.

    Këto janë fraza të cilat i përdor mjeti i famshëm i inteligjencës artificiale “Chat GPT”, për të cilin prej kohësh po thuhet se e ka bërë gazetarinë copy-paste të Maqedonisë edhe më të lehtë dhe më pak të dukshme.

    Marrja e të përmbajtjeve të tëra pa ndërhyrje dhe publikimi i tyre si të vetat prej kohësh ka qenë një problem në hapësirën mediatike në vend, deri në atë pikë sa disa media madje linin qëllimisht një gabim shtypi në mes të tekstit kur publikonin për herë të parë një informacion për të parë se sa persona do ta ribotonin atë pa e lexuar ose pa e redaktuar fare. Publikimi i përmbajtjeve identike shpesh ka qenë shkak i reagimeve për shkelje të të drejtave të autorit, por lufta kundër këtij fenomeni ka dhënë rezultate të dobëta.

    Me popullarizimin e “Chat GPT”-së e gjithë kjo bëhet më e lehtë, sepse secili mund të ngarkojë në tekst në këtë mjet dhe t’i kërkojë atij ta rishkruajë atë me fjalë të tjera, pa e ndryshuar thelbin. Në garën për ta kopjuar dhe publikuar përmbajtjen e redaktuar, disa harrojnë t’i heqin shtesat që i vendos vetë mjeti në fillim dhe në fund të tekstit.

    Të drejtat e autorit: përkeqësimi i një gjendjeje tashmë të keqe

    Kush i posedon të drejtat e autorit për përmbajtjen e gjeneruar me inteligjencë artificiale? Kjo është një nga pyetjet më të mëdha kur bëhet fjalë për tekstet, fotot dhe videot e krijuara në këtë mënyrë. Disa janë të mendimit se askush nuk i posedon të drejtat për to, sepse ato janë krijuar nga një kompjuter.

    Por, kjo është një luftë në rrafsh global. Në një nga përplasjet më të mëdha midis botës së vjetër dhe të re të informacionit, gazeta amerikane The New York Times vitin e kaluar ngriti një padi kundër Open AI, kompanisë që krijoi ChatGPT-në, për shkelje të të drejtave të autorit me pretendimin se ata po përdornin pa autorizim publikimet e kësaj medie për të krijuar përmbajtje të tyre. Nga Open AI thonë se përmbajtjet e New York Times i përdorin sipas rregullave të përdorimit të drejtë. Procesi gjyqësor po vazhdon ende dhe pritet që nga zgjidhja e tij të varen shumë gjëra në zhvillimin e ardhshëm të gazetarisë.

    Si po zhvillohet lufta midis përmbajtjes së shkruar dhe asaj të gjeneruar në hapësirën mediatike në Maqedoni? Punonjësit e medias me të cilët u konsultuam thonë se “Chat GPT”-ja dhe mjetet e ngjashme shkaktojnë kaos shtesë në informim, por se nga perspektiva e të drejtave të autorit ato nuk do ta përkeqësojnë shumë gjendjen sepse ajo tashmë është e keqe.

    “Edhe pse mjetet e inteligjencës artificiale e lehtësojnë dhe përshpejtojnë procesin e riformulimit të përmbajtjeve të vjedhura, duke e bërë kështu vjedhjen më të vështirë për ta vërtetuar ato në thelb nuk e ndryshojnë shumë gjendjen në mungesë të mekanizmave efikasë për mbrojtjen dhe sanksionimin e vjedhjes së të drejtave të autorit”, thotë Goran Mihajllovski, redaktor i medias online “SDK”.

    Disa gazetarë thonë se nëse këto të drejta respektohen duhet të pranohet edhe standardi joformal i informimit të lexuesit kur një përmbajtje është krijuar me inteligjencë artificiale.

    Këtë e thotë edhe Goce Paçemski, ish-gazetar, ndërsa sot ekspert për komunikim dhe marketing.

    “Në vendin tonë sa më shpejt të jetë e mundur duhet të miratohet rregullorja e BE-së, e cila siguron zbatim etik të inteligjencës artificiale, ndërsa paralelisht me këtë të punohet për një zhvillim të përforcuar të edukimit mediatik dhe digjital gjë që do t’u mundësonte qytetarëve ta njohin dhe vlerësojnë më lehtë informacionin autentik dhe ta dallojnë atë nga informacioni i rrejshëm”, thotë Paçemski.

    Lufta mes mbledhjes së klikimeve dhe profesionalizmit

    Nevoja për ta përdorur inteligjencën artificiale për kopjimin e teksteve dhe në përgjithësi nevoja për të shkarkuar tekste nga media të tjera pa autorizim janë rezultat i të ashtuquajturës luftë për klikime dhe një përpjekje për t’i kthyer ato në të ardhura nga reklamat. Me ndihmën e internetit  informimi është bërë falas madje edhe kur ofrohet nga ata që jetojnë prej tij, shpjegon Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave, duke shtuar se në kushte të tilla, përparësi ndaj kualitetit të përmbajtjes së botuar ka kuantiteti.

    Ky problem shkon deri në atë pikë sa  në garë për të publikuar sa më shumë përmbajtje, vërtetësia ose autenticiteti i asaj që publikohet të mos kontrollohet aspak.

    “Vetëm kujtoni se çfarë ndodhi më 1 prill të këtij viti me historinë e shitjes së “Smederevkës” në Francë. 27 portale i publikuan të njëjtat lajme të rrejshme askush as që u mundua ta lexonte atë që po e publikonin, e aq më pak ta verifikojë. Dhe kështu kaloi e gjithë kjo”, tregon Boris Georgievski nga redaksia e “Deutsche Welle”-s në gjuhën maqedonase.

    Një uebfaqe nga Serbia si shaka për 1 prillin publikoi një “lajm” se, gjoja, në Francë ishte zbuluar një mashtrim i madh ku “Smederevka” nga Maqedonia ishte ripaketuar dhe shitur si verë e shtrenjtë franceze dhe se rasti po hetohej nga Interpoli. Një numër i madh i mediave e publikuan, ndërsa më pas kur e kuptuan se ishin mashtruar një pjesë e tyre publikuan edhe korrigjime ose lajme të reja ku thuhej se informacioni ishte i pavërtetë.

    Nga aspekti e numërimit të klikimeve ata që të parët do të publikojnë lajme të tilla të rrejshme dhe më pas do i korrigjojnë ato do të kenë klikime në uebfaqen e tyre  si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin. Ata që do ta verifikojnë dhe nuk do ta publikojnë nuk do të fitojnë asgjë.

    “Shumë nga portalet e kanë më të rëndësishme të publikojnë shpejt dhe pa ndonjë selektim në rrjetet sociale me qëllim të fitimit të klikimeve, madje edhe nëse kjo do të thotë që të publikojnë informacion të paverifikuar dhe pastaj ta demantojnë atë. Ekipet editoriale profesionale që bëjnë verifikimin e lajmeve shpesh humbasin klikime”, thotë Mihajllovski nga “Sakam da kazham”.

    Në mungesë të hulumtimeve që do të ofronin një pasqyrë socio-demografike për lexuesit e mediave online, vlera e tyre e vetme e matshme për momentin është numri i klikimeve.

    Paçemski pajtohet që modeli i marketingut i bazuar vetëm në numrin e klikimeve i detyron mediat të marrin informacione të pasakta dhe më pas t’i korrigjojnë ato, por ai është i mendimit se kjo është një mënyrë e rrezikshme e punës për ato.

    “Unë jam i mendimit se pikërisht besimi që publiku e ka tek një media e caktuar do të bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në procesin e krijimit dhe zbatimit të strategjive efikase të komunikimit dhe marketingut, sepse po bëhet e qartë se nga numri i madh i mesazheve që njerëzit marrin çdo ditë përmes kanaleve të panumërta të komunikimit, ata do t’u besojnë gjithnjë e më shumë vetëm atyre që vijnë nga burime të besueshme”, thotë ai.

    Raundi vendimtar për mbijetesë në gazetari

    Me të gjitha problemet e pazgjidhura nga tronditjet e deritanishme teknologjike, përfshirë këtu edhe sfidat financiare që i sjell epoka e re, gazetaria në Maqedoni po përballet me sfidën e saj të fundit – sa shans ka që të mbijetojë si profesion?

    Redaktorja e Nezavisen Vesnik, Sllobodanka Jovanovska, thotë se të ardhurat nga klikimet janë tepër të vogla për ta justifikuar sjelljen e papërgjegjshme sidomosnë sferën e informimit online, dhe se në të ardhmen do të kërkohet më shumë autorësi. Me mbylljen e përmbajtjeve dhe me vendosjen e pagesave për ato, Jovanovska është e mendimit se do të zgjidhet si problemi i kopjimit ashtu edhe problemi i ekzistencës.

    “Në vendet më të zhvilluara tashmë zor se ka ndonjë media që mund të hapet pa pagesë dhe unë  mendoj se kjo është e ardhmja edhe për ne”, shton ajo.

    Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave parashikon po një të ardhme të tillë, e sidomos që siç thotë ai, platformat e mëdha ofrojnë kushte shumë më efikase për reklamim, gjë që do të bëjë që mediat informative t’i humbasin të ardhura nga reklamat dhe të duhet të jetojnë nga shitja e përmbajtjes që prodhojnë.

    “Pyetja është se sa njerëz në të ardhmen do të jenë në gjendje të merren  me informim gazetaresk të publikut për një pagë, pra profesionalisht. Në fund të fundit, kjo tashmë po vihet re në interesin e zvogëluar për gazetarinë si një profesion”, thekson ai.

    Por, ka edhe parashikime se edhe profesioni i krijimit të përmbajtjeve me të drejta autoriale do të përballet me konkurrencën nga inteligjenca artificiale, madje edhe nëse të drejtat mbi të mbrohen. Të drejtat e autorit, thotë gazetari me përvojë Sasho Ordanoski, janë një temë që po vdes.

    “Sot mund të merrni një tekst të shkëlqyer prej 500 fjalësh rreth krizës aktuale ushtarake pakistaneze-indiane për 15 sekonda, në maqedonisht, të shkruar nga cili do chat-bot, madje edhe në formate video ose audio të prezantuara nga prezantues virtualë të pashëm, të rinj dhe me ngjyrë nga dielli. Nuk keni nevojë të keni një gazetar të politikës së jashtme, të cilin do duhet ta paguani çdo muaj, ta financoni udhëtimin e tij diku, ta paguani edhe kur sëmuret herë pas here, të vonohet për në punë në mëngjes, të pijë duhan dhe pesë kafe në ditë, të plaket dhe tua përdorë letrën higjienike në redaksi. Ëndrra e pronarëve të mediave dhe e “publikut” algoritmik është bërë realitet! Tjetra është histori”, përfundon Ordanoski.

    Lajmi Paraprak

    ‘Bagëti e bujqësi’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë