Gjatë verës pritet ndërtimi i stacionit për ujërat e zeza në Tetovë

    Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se gjatë verës pritet të fillojnë punët për ndërtimin e stacionit filtrues për ujërat e zeza, rrjeti primar dhe sekondar i kanalizimit për qytetin dhe fshatrat në kuadër të Tetovës. Kasami njoftoi se procedurat e tenderimt janë në përfundim e sipër dhe gjatë muajit mars pritet të dihet se kush do ta ndërtojë këtë stacion filtrues.

    “Jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kompanive që do të realizojnë atë projekt. Paralelisht shkon edhe përzgjedhja e mbikëqyrësit të projektit të punëve. Informatat e fundit që i kam nga dita e djeshme, që janë në fazën përfundimtare dhe unë besoj se brenda muajit mars do të kemi përzgjedhjen e kompanisë dhe pastaj do të vazhdojnë procedurat tjera. Mendoj se nëse nuk zgjasin shumë ankesat e kompanive, atëherë gjatë verës do të mund të promovojmë fillimin e punëve”, deklaroi Kasami.

    Në një paraqitje të mëhershme, Kasami ka bërë të ditur se për një afat shumë të shkurtër janë përpunuar 1400 lëndë për shpronësim, të cilët më pas i kanë hapur rrugë realizimit të këtij projekti. Ai në atë kohë vlerësoi se ky projekt i cili është inicuar në vitin 2014 nuk ka pasur mbështetje më të madhe se paraardhësit e tij, ndërsa administrata e tij ka arritur ta lëvizë projektin.

    “Këto lëndë janë punuar për vetëm disa muaj, ndërsa udhëheqësia e kaluar, për pesë vjet nuk ka arritur ta zgjedhin asnjë lëndë sepse qëllimi i tyre ka qenë për të zhvatur qytetarët e jo për të bërë diçka të mirë për Tetovën dhe banorët e fshatrave të komunës. Paramendoni, i kanë pasur në dispozicion të gjitha mekanizmat që këtë projekt evropian ta realizojnë në kohë, por kanë shikuar vetëm interesin e tyre personal dhe përfitimet e majme. Ne nuk do ndalemi vetëm me këtë projekt madhor, por do të vazhdojmë të aplikojmë në të gjitha institucionet relevante evropiane dhe ndërkombëtare që të përmirësojmë infrastrukturën në komunën e Tetovës dhe t’ju sigurojmë qytetarëve një jetë më të mirë”, deklaroi kohë më parë Kasami.

    Deponia e vjetër e Tetovës në afërsi të Falishtit, e cila u pastrua në vitin 2019 është vendi i paraparë për stacionin filtrues për ujërat e zeza. Pastrimi i deponisë bëhet me financim nga Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë. Për ndërtim të stacionit filtrues, dy kolektorëve dhe rrjeteve të reja kanalizimi janë marrë mjete nga fondet IPA në shumë prej 30 milionë eurove. Në projekt janë të kyçur qyteti i Tetovës dhe fshatrat Xhepçisht, Poroj, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël dhe Falishti. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çdo i treti qytetar mendon të largohet nga RMV

    Lajmi i rradhës

    ZHVATJA QË VJEN NGA EVN

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë