Gjithsej 36 ish-deputetë do të marrin apanazh pas përfundimit të mandatit të tyre në Kuvend, ndërsa disa do të marrin edhe pagesa kalimtare para daljes në pension.
Ish-deputetët Arben Ziberi, Vjollca Ademi dhe Bedri Fazli nga BDI, Snezhana Kaleska – Vançeva dhe Latife Shikovska nga LSDM, Enes Ibrahim nga Partia për Lëvizjen e Turqve dhe Bastri Bajrami nga Besa janë deputetët e fundit të cilëve u është pranuar kërkesa për apanazh, përcjell Nistori.
Ndërsa ish-deputetët Kole Çarakçiev, Stojan Milanov dhe Panço Minov morën të drejtën e pagesës kalimtare para pensionimit.
Afati ligjor për paraqitjen e kërkesës për apanazh skadon më 28 qershor, pra 30 ditë pas verifikimit të mandateve të deputetëve të rinj.
Apanazhi është e drejta ligjore e deputetëve për të marrë pagë në 12 muajt e ardhshëm pas përfundimit të mandatit dhe paguhet nga Kuvendi.
Paga mesatare e një deputeti është pak mbi 100.000 denarë pa kompensime për stazh dhe pjesëmarrje në organet parlamentare./Nistori/