Përfaqësues nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Komisioni i Venecias dhe profesorë nga fakultetet juridike në vend, më 20 mars do ta japin opinionin e tyre për çështjet e kontestuara të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Siç informoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një takim me gazetarët, në seancën përgatitore janë të ftuar Martin Kuijer, nënkryetar i Komisionit të Venecias dhe gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Holandës, i cili do të shpjegojë këshillën miqësore që gjykata jonë ka kërkuar nga Komisioni i Venecias, dhe Artūrs Kučs, gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me ekspertizë për të drejtat e pakicave dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave, i cili do të paraqesë praktikën e GJEDNJ-së në raste të ngjashme dhe standardet evropiane për përdorimin e gjuhëve.
Nga ekspertët vendas, në seancë do të marrin pjesë Margarita Caça Nikollovska, ish-gjyqtare e GJEDNJ-së, prof. dr. Renata Deskoska, profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe anëtare e Komisionit të Venecias, prof. Borçe Davitkovski, prof. Jeton Shasivari, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore, Gordana Lazhetiq, eksperte e së drejtës penale procedurale, Mersel Bilali, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, Denis Prehova, ekspert i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Abdul Mexhit Nuredin nga Universiteti Ndërkombëtar Vizioni në Gostivar, doc. dr. Azam Kor Bajram nga Vizioni Gostivar, Jaklina Doveden, kryetare e Gjykatës së Apelit në Manastir, Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Penale në Shkup, dhe Burim Sejdini, kryetar i Gjykatës Administrative.
Kostadinovski shtoi se në seancë do të diskutohet vetëm për të drejtën materiale, pasi aspekti formal i kushtetutshmërisë tashmë është shqyrtuar. Fjala është për Dekretin e Ligjit për Gjuhët, për të cilin është mbajtur një seancë përgatitore edhe në vitin 2021. I pyetur për fokusin politik rreth kësaj çështjeje, Darko Kostadinovski deklaroi se politikanët kanë një kulturë politike primitive dhe e keqpërdorin këtë temë për çështje të përditshme politike.
“Do të isha i gëzuar që të kemi sukses të bindim qoftë një pjesë të qytetarëve në qëllimet e tona të ndershme. Nuk është qëllimi im t’i bind politikanët, ata nuk do të ndalen, manipulimet e tyre do të vazhdojnë. Nëse arrijmë si gjykatë t’i bindim qytetarët të mos manipulohen, atëherë kjo është sukses”, tha Kostadinovski.
Ai informoi se në seancë do të diskutohen gjashtë çështje kontestuese, të cilat publiku do t’i mësojë gjatë vetë seancës. Sa i përket pjesëmarrjes së gjyqtarëve kushtetues që i përkasin pakicave, ai tha se nuk ka informacion që ndonjëri prej tyre nuk do të marrë pjesë. “Vendi i gjyqtarëve është në sallën e gjykimit”, theksoi kryetari.
BDI: PO TENTOHET ZHBËRJA E MARRËVESHJES SË OHRIT!
Nga BDI kritikojnë Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se sipas tyre, po goditet pjesa legjislative e Marrëveshjes së Ohrit dhe po cenohet “vendi i merituar i gjuhës shqipe në shtetin tonë multietnik”. Sipas integristëve, gjuha shqipe po cenohet në katër vjetorin e nënshkrimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve e cilësojnë si akt historik që vulosi barazinë dhe stabilitetin institucional të vendit.
“Katër vjet më vonë, shpirtrat anti-Ohër janë zgjuar sërish për të goditur aty ku zinxhiri është më i brishtë, aty ku mund të shkaktojnë më shumë përçarje – në çështjen e gjuhës, simbolin më të madh të barazisë dhe harmonisë ndëretnike. Përpjekjet për të vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e këtij ligji nuk janë asgjë tjetër veçse një sulm ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik të vendit”, theksojnë nga BDI. Nga partia e Ali Ahmetit e konsiderojnë këtë ndërhyrje të dirigjuar politikisht dhe një akt regresiv, që nuk synon as drejtësi dhe as rregull institucional, por krijimin e tensioneve dhe hapjen e plagëve të së kaluarës. “Çdo tentativë për të kontestuar ligjin e gjuhës është një tentativë për të kontestuar Marrëveshjen e Ohrit dhe vetë rendin kushtetues të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.
OSMANI: GJUHA SHQIPE NUK DO TË PREKET
Ndaj deklaratave të BDI-së ka reaguar drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, i cili vlerëson se gjuha shqipe nuk do të preket, ndërsa akuzon se BDI nuk ka kredibilitet për tu paraqitur si mbrojtëse e gjuhës shqipe. Madje, Osmani vlerëson se BDI është ajo që ka inicuar kontestimin e këtij ligji.
“Për interesa të ngushta politike dhe për të sulmuar partite shqiptare në qeveri, BDI dhe nëntoka e saj kanë nxitur kontestimin e ligjit, duke e përdorur këtë si mjet për të frikësuar votuesit shqiptarë dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimet e saj, pasi për dy dekada nuk arriti të funksionalizojë marrëveshjet e arritura! Për vite me radhë, BDI ka manipuluar me çështjet kombëtare, duke i përdorur ato për qëllime elektorale, ndërsa në prapaskenë ka punuar kundër interesave të shqiptarëve, vetëm për të mbajtur pushtetin”, thekson Osmani. Ai siguron qytetarët se shqipja do të jetë ashtu siç është.
“Po e përsërisim për të disatën herë: Ligji i gjuhës, ashtu siç është, nuk do të preket! Për këtë, BDI nuk ka asnjë meritë dhe nuk mund të ketë, sepse jo vetëm që ka mbushur listën e zezë të korrupsionit, por ditaditës po shpartallohet zinxhiri i saj kriminal. Si mund të pretendojnë të mbrojnë diçka të vlefshme ata që janë të zhytur në korrupsion? Si mund të flasë për patriotizëm Ali Ahmeti, kur rrethi i tij i ngushtë përballet me akuza të rënda për korrupsion”, theksoi Osmani.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese, në seancën e mbajtur më 11 dhjetor 2024, vendosi të mbajë një seancë përgatitore për shqyrtimin e iniciativave për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Gjyqtarja raportuese, Elizabeta Dukovska, atëherë propozoi mbajtjen e një seance përgatitore, gjë që u mbështet nga disa gjyqtarë, përfshirë Ana Pavlova Deneva, Tatjana Vasiq Bojadzieva, Jadranka Daboviq dhe Darko Kostadinovski. Gjyqtarja Dobrila Kaçarska nuk u pajtua me propozimin, duke argumentuar se përgatitjet tashmë ishin të mjaftueshme. Mbështetësit e vendimit theksuan rëndësinë e seancës përgatitore për të treguar se sundimi i ligjit mbizotëron dhe se kushtetutshmëria nuk mbrohet në rrugë, por në gjykatë. Ata bënë thirrje për durim dhe besim në institucione dhe nënvizuan se vendimi do të ndihmojë në hedhjen poshtë të pretendimeve për politizim. Seanca përgatitore thirret para se Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim për hapjen e procedurës.
Në seancë ftohen organe profesionale, studiues dhe ekspertë të fushës. Me ftesën për seancë, përfshihen argumentet e iniciativave, situata juridike dhe çështjet e kontestuara të përcaktuara nga gjykata.
Seanca përgatitore fillon me një pasqyrë të shkurtër të gjyqtarit raportues mbi gjendjen faktike dhe juridike dhe çështjet e kontestuara, pas së cilës të gjithë pjesëmarrësit japin mendimet e tyre juridike ekskluzivisht për çështjet e diskutuara. Çështja e Ligjit për Gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa të ndryshme nga qytetarë, parti politike dhe shoqata, të formuara në vitin 2019, por u aktualizua këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Gjykata Kushtetuese mund t’i hedhë poshtë iniciativat, të vendosë të hapë procedurë për tërë ligjin ose vetëm për disa pjesë të tij, të pezullojë përkohësisht zbatimin e tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar ose ta kthejë për rishqyrtim në Parlament. Nismëtarët për kontestimin e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë partitë VMRO-DPMNE dhe Levica, Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas”, Solza Grçeva, Tanja Karakamisheva Jovanovska, Jove Kekenovski, Vasko Laseski, Ivana Mitevska, Tome Todorovski, Klementina Brzanovska dhe Vladimir Stefanovski. Pas mbajtjes së seancës përgatitore, gjyqtari raportues ka afat prej gjashtë muajsh për të përgatitur raportin mbi këtë çështje. /Koha/