Gjykata e Koçanit, në pritje të vendimit të Apelit të Shtipit

    Kërkesa për të bërë vlerësimin nëse Gjykata Themelore në Koçan me vetëm pesë gjyqtarë i plotëson kushtet për të shqyrtuar aktakuzën për zjarrin në klubin e natës “Puls” është dërguar nga Apeli i Shtipit te Prokuroria e Lartë Publike në Shtip, nga ku pritet përgjigje, konfirmoi Toni Delev, kryetari i Gjykatës së Apelit në Shtip.

    Pasi Prokuroria e Lartë Publike të japë mendimin, Apeli i Shtipit do të duhet të vendosë nëse aktakuza do të shqyrtohet nga gjykata në Koçan ose nëse kjo detyrë do t’i delegohet ndonjë gjykate më të madhe. Delev tha se ekziston edhe opsioni që në gjykatën e Koçanit të delegohen gjyqtarë shtesë që do të ndihmojnë në shqyrtimin e aktakuzës voluminoze dhe për këtë theksoi se janë në koordinim me Gjykatën Supreme dhe me Këshillin Gjyqësor, por vendim ende nuk ka.

    Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, për Alsat theksoi se, në teori, ekziston mundësia për të caktuar gjyqtarë të ri në Koçan, mirëpo theksoi se bëhet fjalë për një gjykatë ku problemi nuk është vetëm mungesa e kuadrit, por edhe kapacitetet hapësinore që janë të vogla. Prandaj, sipas tij, më e mira do të ishte që ky rast të zhvendoset në një gjykatë më të madhe, përkatësisht në Shtip ose në Shkup. Akuzë për shkaqet e zjarrit është ngritur kundër 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa të akuzuarit do të gjykohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, ndërsa një person do të gjykohet për marrje ryshfeti dhe falsifikim dokumentesh.

    Hetimi i prokurorisë përfundoi më 13 qershor, kur prokurori Lupço Kocevski informoi opinionin publik se të akuzuarit kryesorë në rast janë pronari dhe menaxhmenti i klubit të natës “Puls”. Në tragjedinë ku humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, të akuzuar janë edhe ish-ministrat e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, ish-sekretarja në Ministrinë e Ekonomisë Razmena Çekiq Duroviq, pesë të punësuar në këtë ministri, tre ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, ndërsa aktakuzë është ngritur edhe ndaj katër ish-drejtorëve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Hetimi përfshin edhe inspektorë ndërtimorë nga Koçani, si dhe drejtorin e agjencisë që siguronte objektin dhe katër të punësuar të saj.

    Ndërkohë, hetimi është ndërprerë për 13 persona – një person ka ndërruar jetë, anëtari i grupit muzikor “DNK”, Vladimir Bllazhevski, ndodhet në trajtim mjekësor, ndërsa për 11 të tjerët organet hetuese kanë konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme. /Alsat

    Lajmi Paraprak

    ‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë