GROSHA E TETOVËS – Nuk kultivohet si më parë, nuk ka kush e punon tokën! (Video)

    Pas një pauze prej dy vitësh për shkak të pandemisë Covid-19, këtë vit në Komunën e Tearcës është organizuar “Dita e groshës 2022”. Ideja e këtij manifestimi është që të promovohet grosha si brend i këtij rajoni, me qëllim që t’u ndihmohet bujqve lokale, ku ata do të kenë mundësinë të prezantojnë me prodhimet e tyre.

    Sipas organizatorit Metin Muaremi, kultivuesit e groshës ballafaqohen me shumë sfida, grosha e Tetovës nuk është e mbrojtur me ligj ose me standardet që parashikon një ligj për brendim, shkruan Nistori.

    “Fermerët ballafaqohen me shumë sfida dhe problematika, një ndër to është mungesa e brendit të groshës, pasi grosha e Tetovës nuk është e mbrojtur me ligj ose me standardet që parashikon një ligj për brendim. E dyta, për çdo vit humbet sasia. Shumë pak merren me këtë prodhim dhe shpresojmë në të ardhmen me mbështetjen e institucioneve që t’iu ndihmohet atyre, si nga pjesa e brendimit, por edhe eksportit”, thekson Muaremi për Nistorin.

    Pse nuk ka sasi të mjaftueshme të groshës?

    Sipas Muaremit, arsyeja e parë është se, shumë pak njerëz merren me bujqësi kohëve të fundit, shumë pak të rinj janë në vendet rurale.

    “60% e fshatrave kanë mungesë të rinisë. Pikërisht nëpërmjet këtij manifestime, ku të rinjtë janë bartës, mundohemi të përçojmë mesazhin, nëse ata përfshihen, nëse ata mbështeten institucionalisht, nuk mungon edhe suksesi. Shpresojmë për mbështetje institucionale, pikërisht për mbrojtje dhe brendim të këtij prodhimi, ku tani për shkak të krizës, duhet t’i kishim marrë mësimet dhe vitet e ardhshme njerëzit të merren më shumë me bujqësi.” – shton ndër të tjera Muaremi.

    Senija Etemi – arsimtare e shkollës fillore “Naim Frashëri” kishte ardhur së bashku me nxënësit, me qëllim që ata të njoftohen me karakterin e këtij manifestimi dhe sa më afër të jenë me traditën. Nxënësit kishin krijuar mozaike të bukura me kokrra groshe dhe gruri.

    “Ne sot jemi pjesëmarrës nga shkolla fillore “Naim Frashëri” – Tetovë, jemi pjesëmarrës në ditën e groshës. Ky manifestim duhet vërtetë nga institucionet, sepse nëpërmjet këtij takimi, nxënësit janë më afër tradicionales. Sa i përket groshës, është një ndër ushqimet kryesore në tryezat tona. Grosha e Tetovë është përmendur në rajon, në Ballkan. Mund të themi lirisht se, grosha e Tetovës kërkohet në Beograd për shkak të kushteve klimatike në të cilën ajo rritet.” – vlerëson Etemi.

    A ndihmohen bujqit të cilët e kultivojnë groshën?

    “Sa kam dëgjuar nga malësia, por edhe Pollogu, sidomos Shipkovica që ka një groshë mjaft të mirë, nuk e di a informohen për subvencionet dhe nuk e di sa shkojnë drejtpërdrejt te ata njerëz që e meritojnë. Grosha e Pollogut gjendet më vështirë në treg, sepse shitet shpejt. Është cilësore dhe është e shijshme.” – shton Etemi.

    Fillimisht duhet investim, më pas të kemi prodhim të groshës

    “Grosha e Tetovës ka qenë e njohur në të gjitha vendet dhe ka pasur një cilësi të lartë. Kohë më parë është prodhuar me të madhe, bujqit e kanë punuar tokën dhe janë më tepër me prodhimin e groshës. Kohëve të fundit, bujqit nuk mund t’i përballojnë harxhimet e tyre për kultivimin e groshës, pasi është shumë i kërkuar në popullatë. Janë larguar në vende të ndryshme, sepse nuk kanë më fitim. Duhet fillimisht të investohet, më pas të merret prodhimi. Toka tani ngelet e papunuar, bujqit nuk kanë interesim, sepse grosha kërkon mund dhe është e vështirë kultivimi i saj. Nuk kanë ndihmë financiare. Në treg nuk ka shumë groshë, sidomos të Tetovës, dita-ditës vjen duke u pakësuar, sepse më pak kultivohet dhe një pjesë tjetër transportohet në vende të ndryshme.” – shprehet Atije Miftari një arsimtare tjetër, e cila i kishte sjellë nxënësit në fshatin Tearcë për të parë nga afër manifestimin për groshën.

    Manifestimi tradicional “Dita e groshës 2022” është i 11-ti me radhë, e cila organizohet në fshatin Tearcë nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim – CED, në bashkëpunim me Komunën Tearcës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ndotja e ajrit mund të vijë për shkak të varfërisë energjetike

    Lajmi i rradhës

    Rexhepi akuzon Kasamin dhe Hoxhën për ndërrim të partive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë