Grubi sot para Gjykatës Penale, akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare

    Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi do të ulet sot, për herë të parë, në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Penale, ku do të gjykohet për veprën penale “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, për të cilën Kodi Penal parashikon dënim me burg deri në pesë vjet, përcjell Nistori.

    Gjatë hetimit, Grubi fillimisht dyshohej për veprën më të rëndë penale “përvetësim në detyrë”, për të cilën parashikohet dënim me burg deri në 20 vjet, por më vonë vepra u rikualifikua si shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

    Ai dhe shtatë persona të tjerë akuzohen për abuzime në “Lotarinë Shtetërore”. Aktakuza u ngrit dhjetë ditë më parë, më 13 gusht, ndërsa Grubi, i cili është i akuzuari i dytë në këtë rast, aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak.

    I akuzuari i parë është Përparim Bajrami, ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore. Ai vazhdon të jetë në arrati dhe është i paarritshëm për organet e ndjekjes penale.

    Sipas Prokurorisë Publike, megjithëse të akuzuarit ishin në dijeni se Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve të videolotarisë në territorin e vendit, ata megjithatë iniciuan procedurë për prokurimin e terminaleve të tilla, me vlerë prej qindra milionë denarësh, duke i shkaktuar shoqërisë aksionare dëm prej rreth 8,2 milionë eurosh.

    Grubi, siç thuhet në aktakuzë, gjatë një seance të Qeverisë të mbajtur më 6 qershor 2023, ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë dhe ka anashkaluar procedurën e përcaktuar të vendimmarrjes.

    Sipas Prokurorisë, i akuzuari i dytë, i cili kishte ndikim real në menaxhimin e SHA “Lotaria Shtetërore”, në cilësinë e personit përgjegjës, ka kryesuar një seancë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e Kuvendit të Lotarisë Shtetërore, dhe ka propozuar miratimin e pikës së ndryshuar të rendit të ditës, ndonëse ishte në dijeni se një vendim i tillë nuk ishte në kompetencë të Qeverisë në cilësinë e Kuvendit të shoqërisë aksionare.

    Aktakuza kundër Grubit ka shkaktuar një sërë reagimesh politike dhe ka hapur një front të ri brenda BDI-së. Anëtarë të partisë që e kanë mbështetur hapur Grubin kanë akuzuar udhëheqjen partiake se e ka lënë të vetëm përballë akuzave.

    BDI-ja ka mohuar se brenda partisë ka pasur debat rreth solidarizimit me Grubin, ndërsa ka pretenduar se nuk ka prova kundër tij dhe se rasti paraqet përndjekje politike. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për një media në Kosovë, deklaroi se personalisht i kishte kërkuar Grubit të kthehej në Maqedoninë e Veriut.

    VLEN-i, nga ana tjetër, e ka cilësuar Artan Grubin si “kutinë e zezë të BDI-së”, duke pretenduar se ai mund të flasë për atë që ka ndodhur ndër vite në Reçicë të Vogël dhe se pikërisht për këtë arsye ka munguar mbështetja e partisë për ish-funksionarin e saj të lartë.

    Grubi ishte në arrati për më shumë se një vit. Ai u largua nga vendi në dhjetor të vitit 2024 përmes pikës kufitare me Kosovën, pavarësisht se ndodhej në të ashtuquajturën “listë ndalimi”. Ndaj tij më pas u lëshua urdhërarrest ndërkombëtar.

    Më 23 shkurt të këtij viti, Grubi u paraqit në pikën kufitare të Bllacës, ku u ndalua dhe u dërgua në paraburgim. Megjithatë, në burgun e Shutkës qëndroi vetëm disa orë, pasi, pas marrjes në pyetje në Prokurori, masa e paraburgimit iu zëvendësua me arrest shtëpiak dhe mbikëqyrje policore 24-orëshe.

    Vendimi u mor në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare se siguria e tij në burg nuk mund të garantohej.

    Së bashku me Grubin, sot në bankën e të akuzuarve do të ulen edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët gjithashtu akuzohen për veprën penale “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Presidentja e Bullgarisë, Jotova: nuk do të heqim dorë nga mbrojtja e të drejtave të bullgarëve në RMV

    Lajmi i rradhës

    Moska ua vështirëson rusëve heqjen dorë nga shtetësia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë