Hetimi për tenderin e “Bechtel & Enka”-s me vlerë 22.3 milionë euro është bllokuar në MPB

    Hetimi për tenderin kontrovers prej 22.3 milionë eurosh për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradave nga Bechtel dhe Enka ka ngecur në Ministrinë e Brendshme, përcjell Nistori.

    Zyra e Prokurorisë për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i tha TV 24 se ende janë në pritje të raporteve nga policia. Për këtë arsye, sipas tyre, prokurori që drejton çështjen ka dërguar edhe kërkesa urgjente në Ministrinë e Brendshme.

    PThP NKOK
    Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit:

    “Duke ndjekur urdhrat e prokurorit publik në fjalë, Ministria e Brendshme po ndërmerr veprime lidhur me rastin për të cilin ju po tregoni interes. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një periudhë më të gjatë kohore gjatë së cilës po veprojnë shërbimet e Ministrisë së Brendshme, prokurori publik ka dërguar një sërë kërkesash urgjente për të marrë raportet mbi urdhrat sa më shpejt dhe për të hedhur dritë mbi rastin.”

    Ministria e Brendshme nuk zbulon se çfarë aktivitetesh konkrete po ndërmerren dhe ku ka ngecur çështja. Ata vetëm theksojnë shkurt se dokumentet janë në analizë, pas së cilës do të pasojnë kontrollet.

    MPB:

    “Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se Prokuroria Publike NKOKK ka dhënë urdhër që Ministria e Brendshme të ndërmarrë veprime. Disa kontrolle janë kryer tashmë, ndërsa është duke u zhvilluar analiza e të gjithë dokumentacionit. Disa kontrolle të tjera do të kryhen pas përfundimit të analizës, me qëllim sigurimin e fakteve relevante për hetimin e plotë paraprak.”

    Ndërkohë, ndërsa rasti i zgjedhjes së diskutueshme të IRD-së për mbikëqyrjen e Bechtel dhe Enka, që më parë u kritikua ashpër nga VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski në opozitë, mbetet pa epilog, publiku vazhdon të presë përgjigje.

    Konsorciumi, i cili dikur u cilësua si skandaloz dhe kontrovers nga Mickoski si opozitar, tani konsiderohet i pranueshëm nga zyrtarët e tij.

    IRD merr pjesë edhe në mbikëqyrjen e projektit “treni i qytetit”. Kjo u konfirmua për TV 24 nga Sinisha Ivanovski, drejtor i Hekurudhave – Infrastrukturë. Megjithatë, ndërsa më parë mbikëqyrja kritikohej si problematike, tani Ivanovski thotë se IRD ka qenë e përfshirë vetëm në një pjesë të projektit.

    Sinisha Ivanovski – Drejtor i Hekurudhave (Infrastrukturë):

    “Kompania IRD është angazhuar nga ndërmarrja publike pas një procedure të rregullt tenderimi. Sipas Ligjit për Prokurim Publik, çdo kompani që merr pjesë në tender duhet të paraqesë dëshmi se nuk ka precedent penal. Kjo kompani ka dorëzuar dokumentacionin përkatës dhe, në bazë të ligjit, ka të drejtë të marrë pjesë në procedurat e tenderimit. Vlera totale e kontratës është 45.000 euro.”

    Programi “360 Gradë”, në hulumtimet e tij investigative për mbikëqyrjen e Bechtel dhe Enka, raportoi se pas këtij procesi qëndrojnë kryesisht kompani vendase si nënkontraktore. Ndër to, kompania me numrin më të madh të inxhinierëve, Electra Solutions – e cila deri vonë merrej me qepjen e të brendshmeve – ka përfituar pjesën më të madhe të tenderit prej 22.3 milionë eurosh.

    Electra Solutions ka marrë 8.3 milionë euro, ndërsa Euro Consulting e Branislav Dimitrijevic, për të cilin ekziston një aktakuzë në Armeni, ka përfituar 7.1 milionë euro.

    Nga pjesa e mbetur e mjeteve, 4.1 milionë euro i janë ndarë IRD Engineering nga Italia, ndërsa shërbimet e zyrës lokale të IRD në Shkup kapin vlerën prej rreth 2.4 milionë eurosh. Ndërkohë, 400.000 euro janë paraparë për partnerin e fundit në konsorcium, kompaninë Eptisa spanjollo-kineze. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë do t’i sjellë RMV-së “non paper” i Waitz-it?

    Lajmi i rradhës

    Vendet e lira të Serbisë dhe RMV-së në Eurodrejtësi, një “dhuratë” për krimin e organizuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë