Ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, të njohura në opinion si “E enjtja e përgjakshme”, vazhdojnë të mbeten një nga episodet më të rënda të sulmit ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues të shtetit, përcjell Nistori.
Sipas vlerësimeve të Prokurorisë dhe akuzave të ngritura në proceset gjyqësore, bëhet fjalë për akt terrorist, që kishte për qëllim pengimin e funksionimit të institucioneve.
Më 27 prill 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit, një turmë protestuesish të dhunshëm, depërtoi me forcë në ndërtesën e parlamentit. Deputetë, gazetarë dhe punonjës të Kuvendit u sulmuan fizikisht, ndërsa pamjet e dhunës tronditën opinionin vendas dhe ndërkombëtar.
Prokuroria Publike e cilësoi ngjarjen si sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit, duke theksuar se veprimet nuk ishin spontane, por të koordinuara dhe të motivuara politikisht. Dhjetëra persona mbetën të plagosur, ndër ta edhe liderë politikë dhe përfaqësues të mediave.
Një nga viktimat më të rënda të dhunës ishte Ziadin Sela, i cili u rrah brutalisht brenda Kuvendit dhe përfundoi në gjendje të rëndë shëndetësore. Sulmi ndaj tij u pa si shembull i ekstremit të dhunës së ushtruar atë ditë
Të akuzuarit nisin të pranojnë fajin
Vite pas kësaj ngjarje, disa prej të akuzuarve për sulmin ndaj Kuvendit e kanë pranuar përgjegjësinë dhe kanë nisur të shfaqin pendesë publike për veprimet e tyre.
Njëri prej tyre, Kosta Dellov, i cili është dënuar me mbi dhjetë vite burg, në një deklaratë për “Prva TV”, përcjell Nistori, tha se ndjen pendesë për atë se ka marrë pjesë në protesta, si dhe i kërkoi falje Ziadin Selës.
“Pendohem për atë që isha naiv dhe ndërhyra në probleme për të cilat institucionet kanë kompetenca për t’i zgjidhur. Nuk jam unë ai që duhet të përzihem në këto punë. Ziadin Selës i them se e gjithë kjo ishte keqkuptim, do t’i kërkoja falje për mëkatin që e kisha në atë moment, për reagimin tim emocional”, tha Dellov.
I pyetur se a është penduar që nuk i ka ofruar ndihmë Selës, ai tha se në momentin që e ka parë Selën, atë e kanë mbajtur katër persona dhe shtoi se do të ishte e tepërt që të afrohet edhe ai.
“Në atë moment tjerët i dhanë ndihmë, e kishin katër persona dhe do të ishte e tepërt nëse i afrohesha edhe unë”, tha Dellov.
Sipas aktakuzave, ngjarjet e 27 prillit përmbushin elementet e terrorizmit, pasi kishin për qëllim të impononin vullnet politik përmes dhunës, të pengonin formimin e institucioneve dhe të destabilizonin shtetin. Institucionet e drejtësisë theksuan se dhuna në Kuvend nuk ishte vetëm sulm ndaj individëve, por ndaj vetë sistemit demokratik.
Ndryshe, ngjarjet e 27 prillit ndodhën në kulmin e krizës politike pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2016. Në ato zgjedhje, VMRO DPMNE doli parti e parë, por nuk arriti të formojë shumicë qeverisëse. LSDM e cila ishte partia e dytë, në koalicion me partitë shqiptare, siguroi shumicën parlamentare dhe nisi procesin e konstituimit të institucioneve.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re u kundërshtuan ashpër nga qarqe nacionaliste, çka krijoi klimë tensioni, dezinformimi dhe thirrjesh për dhunë, klimë që kulmoi me dhunën e 27 prillit.
Sot, ndërsa disa nga të akuzuarit pranojnë fajin dhe kërkojnë falje, 27 prilli mbetet një kujtesë e errët për rrezikun që i kanoset demokracisë kur tolerohet përhapja e urrejtjes etnike. /Nistori/






