Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski është optimist se shumica parlamentare numëron mbi 80 deputetë. Optimizmin e tij ai e ka shprehur për mediat, ku tha se tashmë shumica parlamentare numëron mbi 80 deputetë. Këtë qëndrim ai e përsëriti edhe në konferencën për media në Qeveri.
“Ndoshta edhe i kemi më shumë se 80 deputetë, vetëm kur të kemi nevojë për 80 deputetë në Parlament, atëherë ndoshta edhe i kemi më shumë se 80 deputetë. Këtë e bazoj në informacionet të cilat i kam”, theksoi Mickoski. I pyetur se për cilët deputetë bëhet fjalë, nëse është “transferuar” dikush nga opozita në shumicën parlamentare, Mickoski u tregua i rezervuar për të dhënë më tepër informacione.
“Është mjaftueshëm tani ta lëmë me kaq dhe kur të kemi nevojë për 80 deputetë për të votuar ndonjë ligj, atëherë do ta dëshmojmë edhe në praktikë se i kemi madje më tepër se 80 deputetë”, tha Mickoski.
Ndërkohë të pyetur nëse deputetë të Frontit Europian kanë kaluar në anën e Qeverisë, nga BDI sigurojnë se Fronti Europian është i unifikuar dhe se nuk ka lëvizje të deputetëve që janë pjesë e koalicionit të shumicës qeveritare.
“Fronti është i unifikuar dhe nuk na ndonjë lëvizje të deputetëve të Frontit Europian në anën tjetër”, tha Ardita Dani, anëtare e Kryesisë së BDI-së.
Ndërkohë, për momentin dy deputetë të opozitës në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut janë tërhequr nga grupet e tyre parlamentare. Saktësisht bëhet fjalë për deputetin Menduh Thaçi, i cili braktisi grupin parlamentar të Frontit Europian, kurse nga ana tjetër – një veprim të ngjashëm bëri edhe deputetja Monika Zajkova, e cila u tërhoq nga grupi parlamentarë i LSDM-së dhe koalicionit opozitar. Që prej fillimit me punë të kësaj Qeverie, eksponent të pushtetit disa herë janë deklaruar se po negociojnë me deputet të opozitës, me theks të veçantë në deputetët turq, që janë pjesë e Frontit Europian, për tu kyçur në shumicën parlamentare por deri në këto momente këto pretendime asnjëherë nuk janë dëshmuar në praktikë.
Përndryshe komentet rreth numrave të shumicës parlamentare Mickoski i bëri duke diskutuar mbi legjitimitetin dhe zgjedhjet e mundshme të parakohshme, duke thënë se nëse VMRO-DPMNEhumb zgjedhjet lokale, do të kërkoj zgjedhjet e parakohshme parlamentare!
“Nuk është problem të shkojmë në zgjedhje, numrat do të jenë të njëjtë, ndoshta edhe më keq. Kjo Qeveri ka legjitimitet që për katër vite, t’ua japë qytetarëve atë që ka premtuar, por nëse duhet të shkojmë në zgjedhje dhe nëse ata mendojnë se duhet të bëhen zgjedhje, ne jemi gati që nesër të shkojmë në zgjedhje. Vitin e ardhshëm, për më pak se dhjetë muaj, kemi zgjedhje lokale. Ky është testi i parë”, u shpreh kryeministri
Edhe për koalicionin VLEN, zgjedhjet nuk janë në prioritet të kësaj qeverie. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në një intervistë për RTVM2, i cili është shprehur se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të qytetarëve, e as në interes të BDI-së.
“Në këtë rast më pak është interesi i BDI-së të mbajnë zgjedhje të parakohshme. DO u ndodh ajo që u ndodhi në Tetovë, ata e bllokuan miratimin e raportit të buxhetit dhe pësuan debakël të cilin nuk e pritën në zgjedhjet e përsëritura për këshill. Përderisa koalicioni VLEN arriti të marrë 108 mijë vota në situatë të një diktature të pushtetit të BDI-së, ku shqiptarët ishin në një diktat të paimagjinueshëm. Sot kur ky diktat i BDI-së, unë garantojë që rezultati për BDI-në do të jetë dëshpërues”, theksoi Kasami, duke shtuar se koalicioni VLEN po e vë interesin shtetëror para interesit partiak.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare u ngrit pasi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i LSDM-së, Venko Filipçe, iu përgjigjën ftesës së parë të Mickoskit për zgjedhje të dyfishta – konkretisht së bashku me zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm, të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Më pas, Mickoski referoi, ndërsa tha se zgjedhje mund të ketë pas zgjedhjeve lokale. /Koha/