IMPORTI I VETURAVE PASQYRON STANDARDIN

    Në vitin e kaluar në vend janë importuar tre herë më shumë vetura të përdorura në raport me veturat e reja. Të dhënat e Doganës tregojnë se në 2023-ën janë importuar 33.213 automjete të vjetra në raport me 9.999 automjete të reja . Për një vit janë importuar 1.209 më shumë vetura të reja në raport me vitin 2022, mirëpo edhe këto shifra akoma janë të vogla nëse krahasohen me veturat e vjetra. Të dhënat krahasuese të statistikave evropiane tregojnë se më shumë se gjysma e veturave në vend janë më të vjetra se 10 vjet, përderisa vetëm tre për qind janë me një vjetërsi deri në dy vite. Këto të dhëna janë vetëm një pasqyrë e standardit të ulët të jetesës së qytetarëve dhe pamundësisë së tyre për të investuar në transport më cilësor.
    Gjithashtu nga mbi 550.000 automjete të regjistruara në vend, rreth 387.373 janë prodhuar para vitit 2007, ndërsa veturat që ngasin vozitësit në Maqedoni janë të vjetra në mesatare afër 19 vjet, karshi mesatares evropiane prej afër 12 vite. Në Ballkan automjetet e pasagjerëve më të vjetër se 10 vjet përbëjnë mbi 75 për qind të flotës, në BE kjo përqindje është rreth 35 për qind.
    Flota e automjeteve të një vendi është një tregues i rëndësishëm i situatës ekonomike dhe zhvillimit të popullsisë. Sipas shumë hulumtimeve, me rritjen e të ardhurave dhe standardit të popullatës, po rriten edhe investimet e qytetarëve në patundshmëri dhe në pasuri të luajtshme, siç janë mjetet motorike të udhëtarëve.

    Në vendet e zhvilluara është praktikë zëvendësimi i makinave të vjetra me të reja, të cilat janë më ekologjike, më të besueshme dhe më komode. Mirëpo, kjo nuk ndodh vetëm në Maqedoni, por në të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor që kanë një vjetërsi të madhe të veturave. Kjo do të thotë se qytetarët në Maqedoni dhe rajon, nuk kanë mundësi të blejnë vetura të reja apo të zëvendësojnë të vjetrat. Disa nga arsyet për këtë janë të ardhurat e ulëta, kostot e larta të regjistrimit dhe taksave për makinat e reja, furnizimi më i lirë i makinave të përdorura nga jashtë dhe mbështetja e dobët financiare për blerjen e automjeteve miqësore me mjedisin.

    Statistikat e Eurostat tregojnë se Shqipëria ruan pozitën e palakmueshme për të pasur përqindjen më të lartë të makinave të vjetra ndër vendet evropiane.
    Sipas të dhënave të Eurostat nga viti 2022, 41 për qind e automjeteve të pasagjerëve në Shqipëri janë mbi 20 vjeç, përqindja më e madhe e çdo vendi në Evropë.
    Kjo është më shumë se katër herë përqindja e Gjermanisë, një vend i njohur për industrinë e tij të fortë të automobilave, ku vetëm 8 për qind e automjeteve bien në të njëjtën grupmoshë. Në shumë vende të tjera të Evropës Perëndimore, duke përfshirë Belgjikën, Danimarkën, apo Luksemburgun, më pak se 10 për qind e makinave janë mbi dy dekada të vjetra. Anëtarët e BE-së të Evropës Qendrore dhe Juglindore zakonisht kanë flota makinash më të vjetra sesa homologët e tyre të Evropës Perëndimore.
    Një pasqyrë e ngjashme ka në të gjithë Ballkanin Perëndimor në vendet për të cilat janë dhënë të dhëna. Në Bosnje dhe Hercegovinë, 35 për qind e makinave janë mbi 20 vjeç dhe 86 për qind janë mbi 10 vjeç.

    Në Itali dhe Gjermani, pjesa e makinave të vjetra më shumë se një dekadë është përkatësisht 59 për qind dhe 40.5 për qind.
    Mesatarja evropiane e vjetërsisë së veturave është 11.8 vite. Makinat më të vjetra janë në Lituani dhe Rumani (anëtare të BE-së që nga viti 2007), me 17 vjet mesatare, pak më të reja se në vendin tonë. Makinat më të reja drejtohen në Luksemburg me një vjetërsi mesatare prej 6.7 vjet. Në Serbi, automjetet e pasagjerëve më të rinj se 6 vjet përbëjnë vetëm 7 për qind të flotës, dhe në BE, rreth 44 për qind. Në Rumani ajo arrin 16.9 vjet, në Serbi, vjetërsia e vetura është 17.4 vjet, në Greqi ajo arrin 16.6 vjet, në Lituani arrin 17 vjet, në Estoni 16.7 vjet, në Poloni arrin 14.3 vjet, në Kroaci, Sllovaki dhe Hungari është afër 14 vjet, në Slloveni arrin 12 vjet, etj.

    Gjithashtu shumë vende të tjera evropiane, të çilat do të prisnim të kishin një flotë dukshëm më të re të veturave, për shkak të standardit të lartë të jetesës, megjithatë po “zhgënjejnë”. Thjesht, pritet që vendet më të zhvilluara të Evropës të kishin një flotë më të re. Për shembull Spanja me vjetërsi prej 13 vitesh, Finlanda ka një vjetërsi prej 12.5 vitesh, Italia prej 11.8 vitesh, Holanda prej 11.2 vitesh, Franca prej 10.3 vitesh, Gjermania prej 9.8 vitesh, Suedia me 10 vjet, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar me afër 9 vjet. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet afrohen, por besimi ka rënë

    Lajmi i rradhës

    Petkoviq: nuk ka marrëveshje në Bruksel për dinarin, pritet edhe një takim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë