Inflacioni nuk dorëzohet, bie fuqia blerëse

    Nëse ekonomistët e përkufizojnë inflacionin si rënie të fuqisë blerëse të një monedhe të caktuar me kalimin e kohës, ky trend akoma po vazhdon në Maqedoni. Dy muajt e fundit të vitit 2024 janë shënuar me rritje të normave të inflacionit, 4.3 dhe 4.4 për qind.

    Në muajt janar-shkurt inflacioni mesatar arriti në 5 për qind, një shifër shumë më e lartë se në Evropë. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2024 ishte 3.5% dhe është plotësisht në përputhje me parashikimet e fundit të Bankës Popullore. Megjithatë, pasiguria për dinamikën e ardhshme të inflacionit ekziston ende, e cila lidhet me çmimet e produkteve parësore për shkak të faktorëve gjeopolitikë dhe klimatikë, si dhe disa faktorëve të brendshëm që mund të ndikojnë në kërkesën agregate.

    “Rritja e çmimeve vjen nga ushqimet dhe komponentët bazë, ndërsa çmimet e energjisë kanë shënuar rënie të lehtë. Niveli i normës së inflacionit në këtë periudhë u ndikua edhe nga baza më e ulët krahasuese nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, si pasojë e masave që ishin vendosur në atë kohë për të kufizuar përkohësisht rritjen e çmimeve. Në shkurt u mor vendimi për kufizimin e marzhit bruto të fitimit të 102 grupeve të produkteve, ushqimore dhe joushqimore, me efekt nga 20 shkurti deri në fund të prillit 2025. Marzhet janë të kufizuara në 5%, 10% dhe 15%, në varësi të grupit të produkteve, në përputhje me vendimin qeveritar. Pritet që kjo masë të ndikojë pozitivisht në çmimet e ushqimeve muajin e ardhshëm për shkak të mënyrës së regjistrimit të çmimeve nga Enti Shtetëror i Statistikave”, thonë nga Banka Popullore.

    Analistët e saj presin ulje të inflacionit në 3 për qind në vitin 2025 dhe 2.5 për qind në vitin 2026. Për sa i përket pritjeve inflacioniste, në kuadër të vrojtimeve të Komisionit Evropian të shkurtit për pritjet e konsumatorëve, mbizotërojnë pritjet për një ulje më të fortë të çmimeve në periudhën e ardhshme.

    Çmimet botërore të produkteve primare janë rishikime në drejtime të ndryshme, ku çmimet e naftës, bakrit dhe veçanërisht misrit janë korrigjuar në rritje, dhe për vitin 2026 kryesisht në rënie. Nga ana tjetër, korrigjimet e çmimeve të nikelit dhe grurit për vitin 2025 janë në rënie, ndërsa për vitin 2026 janë në rritje. Megjithatë, lëvizjet dhe vlerësimet e çmimeve të produkteve primare janë nën presion të fortë të zhvillimeve gjeopolitike, që krijon pasiguri të madhe për dinamikat dhe efektet e tyre në të ardhmen në ekonominë globale dhe të brendshme. Eksperti ekonomik, Neritan Turkeshi, thekson se edhe struktura ekonomike në vend si vartësia e madhe nga importi i energjisë,ushqimeve, lëndëve të para nënkupton që kemi një komponentë të madhe të inflacionit të importuar.

    “Kur analizojmë çmimet e larta të ushqimeve, veçanërisht të produkteve bujqësore, duhet të kemi parasysh se Maqedonia, dikur e njohur si vend bujqësor, çdo vit prodhon gjithnjë e më pak ushqime, ndërsa importon gjithnjë e më shumë. Shumica e produkteve ushqimore në tregje janë të importuara. Bile edhe përpunuesit vendas janë kryesisht të varura nga lëndët e para të importuara, por edhe nga ambalazhet, dhe të ngjashme . Që do të thotë se nëpërmjet produkteve të importuara, si dhe nëpërmjet prodhimit vendas të varur nga importi, importojmë edhe të gjitha goditjet e çmimeve që kanë ndodhur në tregjet botërore vitet e fundit, si lufta në Ukrainë, kriza energjetike, konfliktet në Lindjen e Mesme…”, thekson Turkeshi.

    Për më tepër, shton si, kemi një ekonomi ndoshta edhe tepër të hapur ndaj importit, duke marrë parasysh strukturën e saj të konsumit e cila është kryesisht (rreth 65% – krahasuar me 15-20% në BE) e përbërë nga ushqimi dhe energjia.

    “Kjo cenueshmëri e ekonomisë së Maqedonisë, i vështirëson edhe përpjekjet e ndryshme për të frenuar rritjen e çmimeve. Pra shteti mund të zbusë, por jo edhe të eliminojë shkaqet e saj. Ilaç mbeten reformat strukturore aq të përfolura dhe që realizohen me hapa të ngadalshëm si krijimi i një ambienti më të favorshëm për biznes, një arsim më cilësor, administratë dhe gjyqësor më efikas, luftimi më i madh i korrupsionit, e kështu me radhë”, konstaton Turkeshi.

    Sipas tij, mësim nga krizat e kaluara ekonomike dhe energjetike në tërë botën si nga pandemia, ashtu edhe nga pandemia është se asnjë vend nuk është imun ndaj krizave globale, andaj ekonomitë e vogla dhe të hapura sidomos duhet të bëjnë investime për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe adaptibile, ku edhe në krizat e radhës ato me prodhimin e tyre të energjisë elektrike/ushqimit do të kenë më shumë mundësi dhe aftësi për të ulur presionet globale të çmimeve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    MË MIRË NË BANKË SESA NËN JASTËK! / Rriten depozitat në banka

    Lajmi i rradhës

    Ku ka ngecur Maqedonia e Veriut me reformat?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë