Në mënyrë të sinkronizuar, në vetëm dy ditë Qeveria dhe Banka Popullore i ulën pritjet e tyre për rritjen e inflacionit për vitin 2025. Që dje me publikimin e rebalancit, Ministria e financave pret që inflacioni të rritet nga prognoza fillestare prej 2.2% në nivel vjetor në 2.8% apo për 0.6 pikë përqindje shtesë. Sot gjithashtu me korrigjim pesimist doli edhe Banka popullore e cila vlerëson se inflacioni do të jetë 3%, në vend të 2.5% siç u parapa në tetor.
Në kumtesën e Bankës Popullore thuhet se arsyeja për ndryshimin e prognozës është, citojmë: Rreziqet për inflacion në masë të madhe lidhen me tensionet gjeopolitike, pavarësinë tregtare nga politikat projektuese, prishja e zinxhirit të furnizimit dhe faktorët klimatik.
Por ekonomisti Abil Baush thotë se tek inflacioni ndikojnë edhe faktorët e brendshëm, të mbështetur me politikat fiskale të Qeverive, që askush nuk dëshiron t’i thotë publikisht, nuk përmenden si problem real dhe i madh, ndërsa me këtë edhe nuk duan që të zgjidhen.
“Nëse ju kujtohet, ne e filluam vitin me rritje të disa pikave të caktuara të pagave dhe pensioneve. Por kjo menjëherë gjeneroi në afat të shkurtër, mujor, mund të gjenerojë rritje të indikatorit të inflacionit. A mbetet përshtypja kjo tani për më tej, a do të ketë rritje të inflacionit? Po, për shkak se faktori i jashtëm mund ta shkaktojë inflacion më të lartë. Por ajo që gjenerohet brenda shteti, ajo për momentin është reale”, vlerëson Abil Baush, ekonomist.
Megjithatë në përgjigjen shtesë që TV21 e kërkoi nga Banka Popullore, thuhet se projkesionet janë marrë edhe nga faktorët e brendshme që ndikojnë ndaj kërkesës.
“Kjo ka të bëjë edhe me supozimin për konsolidim gradual fiskal në afat të mesëm në përputhje me dinamikën e rritjes së të ardhurave që janë në dispozicion (pagat, pensionet) por edhe rritjen e kreditimit që deri në fund të vitit do të jetë 9%, përkatësisht 7.3% në afat të mesëm”, thanë nga Banka Popullore.
Përndryshe rritja e kredive konsumatore për vitin 2025 pritet të jetë 9.6%. Në para qytetarët kanë marrë kredi nga bankat dhe për nevojat e tyre të përditshme kanë shpenzuar 2 miliardë e 172 milionë euro. Baush vlerëson se nëse kufizohen këto kredi dhe ulet rritja e tyre, për të mos pasur efekt negativ në ekonomi, do të duhet të intervenohet edhe në politikën fiskale të Qeverisë.
Baush sërish rikujtoi se ngrirja e marzheve dhe e çmimeve nuk janë masa të mira dhe e dëmtojnë tregun, duke rritur më tej inflacionin.
“Është e qartë se masat afatshkurtre që ndërmorëm, tashmë janë shndërruar edhe në masa afatmesme, nuk dhanë rezultatin e pritur që e kemi ndjekur apo që duhej ta arrinim”, vlerëson Baush.
Ai propozon reforma serioze, por edhe masa më të forta fiskale dhe monetare, si përkrahje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat do të gjallërojnë ekonominë, e jo vetëm masa sociale që në thelb nxisin inflacionin.