Inspektorë pak, shkelje shumë! Realiteti i errët i punës në Maqedoninë e Veriut

    Në një treg pune me mbi 800 mijë të punësuar dhe dhjetëra mijëra subjekte aktive, sistemi i mbikëqyrjes së kushteve të punës në Maqedoninë e Veriut funksionon me një kapacitet që prej vitesh konsiderohet i pamjaftueshëm. Inspektorati Shtetëror i Punës ka aktualisht rreth 100–110 inspektorë në nivel shtetëror, një shifër që në letër mund të duket e mjaftueshme, por që në praktikë shpërndahet në dhjetëra komuna, sektorë me rrezik të lartë dhe mijëra ankesa individuale.

    Sipas të dhënave të publikuara në raportet rajonale për sigurinë në punë, çdo vit, dhjetëra punëtorë humbin jetën ose lëndohen rëndë gjatë kryerjes së punës së tyre. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 116 aksidente në vendin e punës, prej të cilave 17 me pasojë vdekjen. Një vit më herët, në 2023, u raportuan 93 aksidente dhe 15 vdekje, ndërsa në 2022, 108 aksidente me 15 fatalitete.

    Në këtë kontekst, raporti mes kapaciteteve inspektuese dhe realitetit në terren ngre pikëpyetje serioze. Me rreth 100 inspektorë për mbi 800 mijë punëtorë, del se një inspektor mbulon mesatarisht rreth 7 deri në 8 mijë të punësuar, pa llogaritur faktin se një pjesë e stafit është në pozita administrative dhe jo në terren. Nëse merren për bazë edhe mbi 70 mijë subjekte aktive biznesi, atëherë secili inspektor duhet të mbulojë qindra kompani, ndërmarrje ndërtimi, punishte, fabrika dhe institucione publike.

    Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka pranuar publikisht se mungesa e inspektorëve ka qenë evidente, duke theksuar se pas rikthimit të inspektorateve nën ministritë amë, është informuar Qeveria për nevojën e shtimit të kapaciteteve njerëzore. “Punësimet të cilat janë bërë vitin paraprak dhe ato tanimë janë duke u trajnuar dhe duke u përgatitur, e dini që duhet më së paku 1 vit trajnim që të marrë licencën dhe që të mund të jetë inspektor në terren. Prej vitit paraprak, afërsisht numri i të punësuarve është 40, dhe diku nga mesi i këtij muaji do të marrin licencën për të qenë inspektor dhe do të mund të ushtrojnë detyrën e tyre”, ka deklaruar Durmishi, duke shtuar se analiza e mëtejshme do të tregojë nëse ky numër është i mjaftueshëm.

    Megjithatë, edhe nëse këta 40 inspektorë të rinj hyjnë në terren, pyetja mbetet nëse rreth 120 inspektorë në total janë të mjaftueshëm për të mbuluar të gjithë tregun e brendshëm. Vetëm në sektorin e ndërtimit, që konsiderohet ndër më të rrezikshmit, aksidentet fatale vazhdojnë të përsëriten. Rasti i fundit në Dibër, ku një punëtor humbi jetën pasi ra nga një objekt në ndërtim, është vetëm një nga shembujt që tregojnë se masat e sigurisë në shumë raste mbeten formale.

    Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për kontrolle të pamjaftueshme dhe për presionin ndaj punëtorëve që të mos raportojnë shkeljet nga punëdhënësit. Sipas përfaqësuesve sindikal, mungesa e kontrolleve të shpeshta dhe të papritura, si dhe gjobat që shpesh nuk kanë efekt parandalues, krijojnë një klimë ku siguria shihet si kosto dhe jo si detyrim ligjor.

    Ndërkaq, problemi thellohet edhe nga mungesa e një regjistri të unifikuar kombëtar për aksidentet në punë. Organizata që monitorojnë sigurinë në punë kanë theksuar se të dhënat shpesh janë të fragmentuara dhe se ekziston rreziku i nënraportimit, veçanërisht në sektorin privat dhe në punët informale. Ndër të tjera, derisa inspektimi të jetë më shumë parandalues sesa reagues, dhe derisa numri i inspektorëve të përputhet realisht me madhësinë e tregut të punës, punëtorët do të vazhdojnë të hyjnë çdo mëngjes në vendin e punës me rrezikun që siguria e tyre të mbetet çështje fati dhe jo garantim ligjor. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    CILËSIA E JETESËS | Maqedonia e Veriut në fund të listës (Tabela)

    Lajmi i rradhës

    Inteligjenca Artificiale në BE – cilat janë vendet që e përdorin më shumë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë