Interneti në Kosovë: I ngadaltë dhe jo për të gjithë

    Rrugën nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te banesa e saj në këtë qytet, Jehona Hasani e kishte menduar ndryshe. Teksa po kthehej në Kosovë për pushime, Jehona Hasani mendonte se do të kyçej në mbledhjen virtuale me disa studentë të tjerë, për të diskutuar një detyrë për fakultet.

    Sapo doli nga aeroporti, ajo ndërroi SIM kartelën në telefonin e saj që të mund të përdorte internetin. Megjithatë, gjërat nuk shkuan siç kishte planifikuar.

    “Nuk mund të ankohem për ngadalësi, kur, në fakt, do të më kishte mjaftuar edhe po të ishte i ngadaltë. Problemi është që herë pas here [interneti] nuk bënte fare”, thotë Jehona, e cila studion në Universitetin Julius-Maximilians në Vurcburg të Gjermanisë.

    Frustrimin e njëjtë për internetin mobil në Kosovë e ndajnë edhe qytetarë të tjerë. Shpejtësia e internetit mobil është më e ngadaltë në Kosovë sesa kudo tjetër në vendet e Ballkanit Perëndimor, tregojnë të dhënat nga softueri Speedtest. Ndërsa, për internet fiks, Kosova lihet prapa vetëm nga Serbia.

    Pse interneti në Kosovë është më i ngadaltë?

    Inxhinieri i teknologjisë në Kosovë, Ermal Sadiku, thotë se për shpejtësi të internetit, përgjegjës janë operatorët dhe infrastruktura që ata posedojnë.

    Për të sqaruar se si operatorët mund të rrisin shpejtësinë e internetit, Sadiku bën një analogji: “Një kompani që merret me shitjen e ujit, ka të vendosur gypa nën tokë, që sjellin ujë për konsumatorët. Megjithatë, kërkesa për ujë rritet. Për ta rritur edhe ofertën, kompania duhet t’i ndërrojë gypat ku kalon uji, të instalojë gypa më të gjerë, si dhe të rrisë sasinë e marrë nga burimi i ujit”.

    Problemi me shpejtësinë e internetit mobil në Kosovë, sipas njërit prej operatorëve kryesorë në vend, IPKO, qëndron në atë që mund të krahasohet me burimin e ujit, spektrin frekuencor dhe kërkesën e madhe për internet mobil.

    “Kosova është vend ku brezi frekuencor është më së paku i alokuar tek operatorët. Rrjedhimisht, operatori mobil, në këtë rast IPKO, e ka të pamundur të arrijë shpejtësi të larta. Në anën tjetër, Kosova është një prej vendeve me përdorimin më të madh të internetit mobil në Ballkan”, thotë për Radion Evropa e Lirë Afrika Zyferi, zyrtare për marrëdhënie me publikun në IPKO.

    Spektri frekuencor përfshin brezat e radio-frekuencave, të cilat ndahen për shërbime të ndryshme, si: radio, navigacion për avionë, transmetime televizive, rrjete telefonike e sisteme satelitore.

    Ndarja e brezit frekuencor bëhet nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare i Kosovës (ARKEP). Por, nga ky institucion thonë se nuk janë përgjegjës për ngadalësinë e internetit mobil.

    “Me përgjegjësi të plotë deklarojmë se për këtë mosinteresim për resurse shtesë nga operatorët, nuk mund te fajësohet ARKEP-i. Me qëllim të përmbushjes së nevojave për shtrirjen e rrjeteve mobile brezgjera, ARKEP-i gjithmonë ka qenë i hapur për t’i akomoduar kërkesat e operatorëve nacionalë për spektër të frekuencave”, thotë për REL-in Fazli Shala, zyrtar i lartë për përcaktim dhe mbikëqyrje në ARKEP.

    Sipas tij, ARKEP-i ka dhënë në shfrytëzim sasi të konsiderueshme të spektrit frekuencor, sipas kërkesave të operatorëve, dhe ka ofruar edhe një brez të ri. Por, thekson Shala, ka munguar interesimi i operatorëve për investime në teknologji të reja.

    Në anën tjetër, Fadil Lepaja, drejtor i marrëdhënieve me publikun në Telekomin e Kosovës, thotë se arsyeja përse Kosova mbetet prapa vendeve të rajonit për shpejtësi të internetit mobil, është mungesa e teknologjisë 5G.

    “Aty ku Telekomi i Kosovës ka mbulueshmëri me 4G, shpejtësitë janë të njëjta me ato të operatorëve të tjerë jashtë vendit, sepse teknologjitë janë të njëjta. Por, operatorët jashtë vendit implementojnë edhe teknologjinë 5G, që në Kosovë ende nuk e kemi”, thotë Lepaja për REL-in.

    Ai shton se po punohet për zbatimin e kësaj teknologjie të rrjetit, por se duhet afër një vit deri në fund të projektit.

    Lidhur me këtë teknologji, nga ARKEP-i bëjnë të ditur se këtë vit është duke u bërë ndarja dhe dhënia në shfrytëzim e brezave për 5G.

    Pse nevojitet interneti i shpejtë?

    Bashkimi Evropian synon të ketë internet me shpejtësi 100 megabite për sekondë në të gjitha shtëpitë deri në vitin 2025. Megjithatë, Kosova është ende në gjysmë të rrugës për arritjen e synimit që kishte caktuar për vitin 2020: shpejtësinë prej 30 megabiteve për sekondë.

    Edhe pse Kosova gjendet prapa vendeve të rajonit për internet mobil, inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku, beson se shpejtësia aktuale prej 15.4 megabitesh për sekondë është e mjaftueshme për jetën e përditshme të qytetarëve të rëndomtë. Por, ai shton se duhet të ndiqet trendi i teknologjisë.

    “Duhet të kuptohet që interneti është çdo ditë e më i nevojshëm, sepse aplikacionet që i përdorim ne dhe gjërat që i bëjmë në internet, janë gjithmonë më kërkuese për internet. Gjithmonë do të ketë nevojë të rritet shpejtësia, sepse duhet ta ndjekim trendin e zhvillimit të teknologjisë”, thotë Sadiku për REL-in.

    Për ekspertin nga Rrjeti i Zyrave për Kompetencën e Sistemit Brezgjerë (BCO), Jan Droge, shpejtësia më e madhe e internetit është e domosdoshme jo vetëm për zhvillim ekonomik, por edhe për edukim të gjeneratave të reja.

    “Nëse duam arsimim që do t’i mbijetojë kohës, duhet që studentët të kenë mundësi të ndjekin mësimin online, të provojnë printim tredimensional, të tentojnë të punojnë me inteligjencë artificiale. Në këtë mënyrë, gjenerata e ardhshme do të jetë gati të hyjë në tregun e punës”, thotë për REL-in Droge, organizata e të cilit është pjesë e Komisionit Evropian.

    Por, interneti më i shpejtë vjen edhe me faturë më të lartë. Në Kosovë, edhe pse interneti mobil është më i ngadaltë se në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, ai edhe kushton më shtrenjtë.

    InfografikëKush në Ballkan paguan më së shtrenjti për internet në mobil? 

    Pjesë të veriut të Kosovës mbeten pa internet

    Shpejtësia dhe çmimi nuk janë të vetmet probleme me internetin në Kosovë – disa e vuajnë edhe pamundësinë e qasjes në të.

    Në vitin 2018, rreth 200 fshatra në Kosovë nuk kanë qenë të mbuluara me internet. Pas një bashkëpunimi me Bankën Botërore, Kosova, në Samitin Digjital për Ballkanin Perëndimor “Prishtina 2022”, është prezantuar si histori suksesi për shtrirjen e internetit edhe në lokacionet e largëta rurale.

    Megjithatë, një numër i fshatrave në veri të Kosovës nuk ka ende qasje në internet. Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka thënë se arsye për këtë, është mungesa e vullnetit për bashkëpunim nga autoritetet lokale në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur në Ministri të Ekonomisë se për cilat fshatra bëhet fjalë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Ndërsa, sa i përket një plani për zgjidhjen e këtij problemi, Rizvanolli ka thënë se ministria që udhëheq ajo, është e gatshme të tentojë sërish për një bashkëpunim me autoritetet lokale në veri të Kosovës.

    “Ne jemi të gatshëm ta iniciojmë një tjetër rund të diskutimeve në nivelin politik me autoritetet apo edhe kompanitë nëse duhet, për ta realizuar këtë”, ka thënë Rizvanolli në një panel të Samitit Digjital, i cili është mbajtur javën e kaluar në Prishtinë.

    Operatori Vala pranon se mbulimi me internet në pjesën veriore të Kosovës nuk është në të njëjtin nivel me pjesën tjetër të vendit, por shton se “në pikat kufitare jemi me shërbime mobile dhe fikse, si dhe në disa vendbanime të tjera”.

    Operatori IPKO thotë se mbulon me internet rreth 60% të territorit në drejtim të pikës kufitare në veri, Jarinje, ndërsa fajin për mungesën e internetit në disa pjesë të tjera në veri ua lë autoriteteve për, siç thotë, mungesë të ofrimit të sigurisë.

    “IPKO ka pasur të mbuluar të gjithë pjesën veriore të Kosovës, por, gjatë trazirave të ndodhura në vitin 2010, janë dëmtuar [pajisjet]. Që atëherë nuk është ofruar siguri për të bërë riinvestime në atë zonë”, thonë nga IPKO-ja, duke iu referuar djegies së kabllove dhe antenave të IPKO-s në fshatrat Vllahi dhe Rudare të Komunës së Zveçanit dhe Vukojeviq në Zubin Potok.

    Këto sulme ndaj operatorit IPKO është thënë se janë kryer nga disa serbë lokalë në prill të vitit 2010 në shenjë hakmarrjeje, pasi ARKEP-i i ka ndërprerë operimin një kompanie të telefonisë mobile të Serbisë, që operonte pa licencë në territorin e Kosovës.

    Sa i përket të gjithë territorit të Kosovës, 91.2% është i mbuluar nga IPKO me teknologjinë GSM, ndërsa 71.1% edhe me teknologjinë LTE.

    Vala mbulon 94% të territorit të Kosovës me teknologjinë GSM dhe 70% me atë LTE.
    Teknologjia LTE ofron shërbime me shpejtësi më të larta, si 4G, sesa teknologjia GSM, që ofron 2G dhe 3G.

    Interneti mobil, i paqasshëm vende-vende nëpër Kosovë

    Por, edhe në disa vende ku ka shtrirje të rrjetit, përdorimi i internetit mobil është i pamundur. Inxhinieri i teknologjisë, Sadiku, thotë se kjo vjen si pasojë e mungesës së konkurrencës në treg për dy operatorët kryesorë të internetit mobil, Vala dhe IPKO.

    “Operatorët nuk kanë interes të investojnë më shumë në infrastrukturë, sepse janë vetëm dy operatorë mobilë dhe janë tre ose katër operatorë të internetit. Këta mobilë nuk kanë interes të investojnë. Për të investuar këta më shumë, duhet edhe një operator i tretë, që të rritet konkurrenca”, thotë Sadiku.

    IPKO thotë se arsyet për pamundësinë e qasjes në internet mobil në disa zona të Kosovës lidhen me terrenin relievor kodrinor-malor që është i papërshtatshëm dhe me faktin se një pjesë e stacioneve bazë nuk e përkrahin ende teknologjinë 4G.

    Në tregun e Kosovës për internet mobil dhe fiks operojnë: Telekomi i Kosovës, IPKO, Kujtesa, Artmotion, AE Holding, Ard Holding dhe operatorë të tjerë. Sipas të dhënave të ARKEP-it, më së shumti përdorues kanë IPKO dhe Artmotion, ndjekur nga Kujtesa dhe Telekomi i Kosovës.

    Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, penetrimi i qasjes fikse në internet ka qenë 79%, ndërsa i asaj mobile 22%, sipas të dhënave të ARKEP-it. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Legjendat dhe të vërtetat për sheqerin

    Lajmi i rradhës

    Gjermania synon t’i mbajë aktive dy centrale bërthamore edhe më 2023

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë