Pas interpelancës kundër saj, deputetja Ilire Dauti u prononcua për mediat. Thotë se interpelanca është nën diktat të Levicës dhe VMRO-DPMNE-së, por nuk qartësoi nëse do të vazhdojë të jetë kryetare e Komisionit për politikë sociale.
“Përballë të zgjedhurit në mes humbjes së pozicionit të Kryetares së Komisionit dhe veprimit nën diktat, sipas kushteve të përcaktuara nga Levica dhe të propozuara si Konkluzion nga Afrim Gashi, mos keni asnjë dyshim që do pranoj lirinë e veprimit si deputete, ashtu siç e kam bërë gjer tani, e lirë dhe e pavarur. Ashtu duhet të jetë edhe çdo qytetarë pavarësisht diversitetit që kemi”, tha Ilire Dauti.
Edhe pse pritej që sot në koordinimin te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, të hapet çështja për qëndrimin e tij se interpelanca nuk ka veprim ekzekutiv, burimet partiake thonë se për këtë fare nuk është biseduar dhe se në të nuk kanë marrë pjesë koordinatorët e grupeve të deputetët nga blloku shqiptar.
Nga Kabineti i Gashit e përsëritën qëndrimin e tij në lidhje me atë nëse interpelanca do të thotë edhe shkarkim i Dautit
“Theksuam se votimi për interpelancë është shprehje e deputetëve dhe nuk ka pasoja obliguese juridike për shkarkim dhe nuk ka veprim juridik. Emërimet dhe shkarkimet konfirmohen me procedura tjera të veçanta të vërtetuara në Rregulloren e Kuvendit, Ligjet dhe Kushtetutën”, tha kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashit.
Zv.kryeministri Izet Mexhiti thotë se Dauti do të vazhdojë të kryej funksionin.
“Konfirmoj se Ilire Duti ishte Kryetare e Komisionit dhe do të mbetet kryetare e Komisionit. Ne ndoshta kemi shumë vërejtje për Ilire Dutin, por kur ka nismë nga Levica ne jemi kundër”, deklaroi Izet Mexhiti.
Nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM mbeten në qëndrimin se votimi i interpelancës së Dautit është shkarkim nga funksioni i kryetares së Komisionit për politikë sociale.
“Mendoj se qëndrimi i partisë politike, VMRO-DPMNE, pasqyrohet në mënyrën e votimit të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit dhe qartë është shprehje e qëndrimit tonë me votim pozitiv për interpelancën me 61 vota me të cilën kërkohet përgjegjësi për punën, është qëndrim i shprehur qartë”, u shpreh Goran Lefkov.
“Edhe po të mos jetë i obligueshëm, së paku në mënyrë morale është e dyshimtë se dikush nuk mund të mbetet edhe më tej ta kryej atë funksion. Për neve kolegia Dauti tashmë nuk mund të jetë kryetare e këtij Komisioni”, tha Boban Karapejkovski.
Me 61 vota PËR të premten u votua interpelancë për Ilire Dutin, për punën e saj si kryetare e Komisionit për politikë sociale. Interpelancën e parashtroi Levica. /TV21/