Kandidatja për deputete Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët, e cila është pjesë e Frontit Europian në një intervistë për Nistori-n ka folur për sfidat që i ka pasur në katër vitet e kaluara si deputete, si dhe angazhimet e saj për të ardhmen. Ajo gjithashtu flet edhe për përfaqësimin e grave në politikë, si dhe pritshmëritë për rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit.
NISTORI: Katër vite keni qenë pjesë e Kuvendit të RMV-së, një ndër deputetet më të zëshme. Sa e vështirë është për një grua që të jetë përfaqësuese e popullit dhe gjithmonë në lëvizje?
Ilire Dauti: Realisht për sa kohë dallimet dhe stereotipet nuk arrijnë të pranohen nga individi tek i cili më pas mund të ndikojnë në performancë, nuk arrihet efekt negativ, por përkundrazi. Unë personalisht nuk kam hyrë në politik si grua, por si njeri dhe jam munduar që të jem dora e zgjatur e të gjithë atyre që kanë pasur probleme dhe u është dashur ndihmë nga institucioni deputet, siç kam qenë unë katër vitet e kaluar.
NISTORI: Pse asnjëra nga blloqet shqiptare, nuk garojnë me përfaqësuesen e parë femër?
Ilire Dauti: Ju e dini që Fronti Europian është bashkim i nëntë subjekteve politike, dhe secili subjekt i ka të përcaktuar eksponentët e vet me të cilët garon. E vërteta është që në zonën gjashtë, Aleanca për Shqiptarët bartëse të procesit e ka një grua. Ne nuk mund t’iu imponojmë të tjerëve përcaktimet në kuadër të Frontit, por Aleanca për Shqiptarët edhe në të kaluarën ka mbajtur llogari për gruan në kuadër të strukturave të veta dhe përfaqësimit të vet dhe besoj e ka bërë edhe këtë radhë, pasi besimin ia ka dhënë një grua në zonën gjashtë.
NISTORI: Në përgjithësi në politikë, sa jeni të kënaqur me përfaqësimin e grave, me interesin që kanë për përfshirje në politikë?
Ilire Dauti: Mendoj që skena politike në RMV ka hapësirë për inkuadrim edhe të grave të tjera, të cilat do të apin më të mirën nga vetja, por megjithatë njeriu mund të çohet nga aty ku ulet dhe nuk mund të bëjë diçka nëse nuk bënë përpjekje dhe nuk merr iniciativë. Çdo gjë është e mundur nëse e merr guximin dhe aftësitë e tjera nuk dyshoj që i kanë gratë, në veçanti ato shqiptare, vetëm se duhet të jenë më aktive dhe të zënë pjesën e vet, jo për të marrë diçka por për t’i dhënë shoqërisë dhe për ta bërë të ardhmen sa më të mirë.
NISTORI: Në këto zgjedhje do të jeni pjesë e Frontit Europian, sa deputet mendoni se do të merrni?
Ilire Dauti: Zakonisht nuk flas me numra, por nëse kërkoni ju dhe respekt për pyetjen, unë besoj që Fronti Europian do të ketë mbi 23 deputetë.
NISTORI: A mendoni se do të ketë se do të ketë qeveri me palën humbëse?
Ilire Dauti: Vetë fjala humbëse në një qeveri eventuale që nuk do të jetë e tillë i bënë shqiptarët të jenë humbës. Qëllimi i subjekteve politike është që shqiptarët t’i bëjnë fitues brenda qeverisë dhe institucioneve ku i përfaqësojnë. Një deklarim dhe qasje e tillë dhe motoja e tyre duket që është “do na merr Mickoski” është mjaft nënçmuese. Sipas kësaj logjike nuk duhet të mbahen as zgjedhjet, pasi do ët përcaktojë votuesi maqedonas dhe kryetari i VMRO-së se kush do të jetë përfaqësuesi i shqiptarëve. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodh, Fronti Europian do të ketë fitore më të madhe se ajo më 24 prill. Fronti Europian është plan i shqiptarëve për vetveten dhe kjo është dëshmuar edhe me deklaratat e Mickoskit dhe të ata të cilët ia mbajnë politikën e tij, i cili i sheh shqiptarët si minoritet brenda VMRO-së apo qeverive që kanë për qëllim t’i dominojnë shqiptarët. Fronti Europian ka qenë edhe në të kaluarën edhe pse kemi pasur pozita të ndryshme në politkë, për çështje të rëndësishme kemi qenë front për shqiptarët. Dy janë qëllimet për të cilat është formuar ky Front: është çështja e barazisë dhe të mos cenohet rruga integruese drejt BE-së. Partitë shqiptare nuk duhet të bëjnë kompromis për këto tema dhe ne pikërisht jemi pjesë e Frontit për t’u dhënë shtytje këtyre elementeve.
NISTORI: Ndryshimet kushtetuese, a duhet t’i ketë kusht kryesor Qeveria e ardhshme?
Ilire Dauti: Pa dyshim që po. Një qeveri pa ndryshime kushtetuese as që do të mund të kalojë. Dhe besoj që partitë politike shqiptare do të duhet të jenë të qartë në këtë drejtim. RMV nuk mund të hyjë në rrugë qorre. Rruga e vendit duhet të jetë e qartë – integrimi në BE. E dijmë që jemi në fazën e votimit të ndryshimeve kushtettuese dhe ky duhet të jetë kushti i domosdoshëm për të gjithë ne që duam të marrim pjesë në qeverisjen e këtij shtetit”.
NISTORI: Gjatë katër viteve si deputete keni ngritur zërin për qytetarët pa nënshtetësi. Cilët janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen këto persona?
Ilire Dauti: Tema e qytetarëve pa nënshtetësi, besoj që mund të përshkruhet me një fjali – ato kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave bazë të njeriut dhe në rastin kur shkelen të drejtat elementare e kemi parasysh në çfarë situate kanë jetuar ata me dhjetëra vite. Është pjesa që unë ndihem e lehtësuar në fund të këtij mandati. Në fillim të mandatit kam qenë e fokusuar në pjesën e ekonomisë, kemi punuar edhe si grup parlamentar për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët. Gjithashtu kemi punuar me amendametet për të përmirësuar propozimet e Qeverisë për rritjen e pagave, ndërsa në pjesën tjetër kam qenë e fokusuar për personat pa shtetësi. Jam shumë e lumtur për arritjet që janë bërë në drejtim të personave pa shtetësi.
NISTORI: Cilat janë synimet tuaja në të ardhmen?
Ilire Dauti: Ndihem e lehtësuar dhe krenare për punën që e kemi bërë. Por nga ana tjetër jam e brengosur dhe entuziaste për gjërat që do të kemi mundësi t’i bëjmë. Mendoj që Kuvendi i RMV-së ka vend për njerëzit që preokupohen për problemet e qytetarëve. Unë jam munduar të jap modelin e deputetit që nuk është e rëndësishme cilit tabor i takon, por që është e rëndësishme të kuptohet që deputeti duhet të jetë përfaqësues i qytetarëve.
NISTORI: Një mesazh për ata që na përcjellin …!
Ilire Dauti: Të jenë mirë atje ku janë dhe të japin përkrahje për njerëzit e drejtë që mendojnë se megjithatë RMV mund të jetë vend ku jetohet më mirë, dhe të bëjë që ata që janë larguar të na kthehen dhe të kemi bashkim të gjeneratave. Unë gjithë çështjen e integrimit në BE e shoh në dimenxion më të gjerë, se sa si fjalë goje. /Nistori/