Jeta Xharra: të bëhemi bashkë për t’i luftuar dezinformatat

    Ashtu siç bëhen bashkë njerëzit për të shpërndarë dezinformata, ashtu edhe ne duhet të bëhemi bashkë për t’i luftuar dezinformatat, thekson gazetarja e njohur hulumtuese dhe kryeredaktore e BIRN Kosova, Jeta Xharra në bisedë për Institutin për Media dhe Analitikë IMA gjatë konferencës së Rrjetit Ballkanik për Luftën kundër Dezinformatave që u mbajt në Shkup.

    Duke folur për qëllimet e konferencës, Xharra tha se organizatat e rajonit janë bashkuar në koalicion për t’i luftuar dezinformatat në rajon. Sipas saj, ideja është që dezinformatat duhen luftuar duke e zgjeruar rrethin, duke bërë koalicione me shumë miq për të luftuar të njëjtën gjë që po e bëjmë në shtetet tona.

    “Deri tash secili i kemi luftuar në shtëpitë tona, në shtetet tona. Por, po shohim që ata që po investojnë në dezinformata, po shkojnë përtej kufijve dhe po bëjnë marrëveshje ndërkufitare, për shkak se interesat janë ndërkufitare, interesat e bizneseve që investojnë në dezinformata, apo grupeve të caktuara të interesit, janë të tilla që shkojnë përtej kufijve të secilit shtet”, vlerësoi Xharra.

    Xharra, përmes rezultateve të një hulumtimi praktik, tregon për atë se sa i madh është ndikimi i dezinformatave në Kosovë dhe si ballafaqohet shoqëria me këtë fenomen.

    “Është interesant, e kemi bërë një eksperiment për të testuar se, a thua sa janë të ndjeshëm, jo vetëm qytetarët, por disa profesionistë që kanë autoritetin më të madh në Kosovë: mësuesi, mjeku, gjyqtari, prokurori, punëtori social. I kemi testuar ata, 20 prej secilit prej këtyre profesionistëve, ua kemi dhënë nga një artikull të pavërtetë, edhe i kemi pyetur: a e kishit shpërndarë këtë artikull? Artikulli ka qenë, për shembull, me fakte ashiqare, që prej aeroplanit shihen që nuk janë të tilla në fushën e atij personi.

    Për shembull, mjekut ia kemi dhënë një artikull që thotë: Ministria e Shëndetësisë e ka ndalur antibiotikun, edhe ua kemi dhënë 20 mjekëve. 50 për qind të tyre kanë thënë që e kishin shpërndarë të njëjtin artikull, ka thënë që i kishte besuar, edhe pse nuk ka pasur autor artikulli, edhe i ka pasur indikacionet që diçka është e pavërtetë. Me këtë, e kemi parë që nuk është vetëm ndikimi nga jashtë që mund të na shesë rrenën. Rrenën mund të na e shesin njerëzit që më së shumti ne u besojmë”, thotë Xharra.

    Prandaj, sipas saj, është shumë e frikshme nëse gazetarët, si njerëz të së vërtetës vendosin të rrinë dhe të mos bëjnë asgjë. “Dhe, pikërisht në këtë ditë, që është dita ndërkombëtare e së vërtetës, që ka qëlluar një ditë pas ditës së rrenave, kemi vendosur të flasim për këtë punë bashkë me kolegë nga rajoni”, tha Xharra në bisedën për IMA gjatë konferencës me të cilën u shënua 2 prilli, Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve.

    Lajmi Paraprak

    FICH: Politikat makroekonomike në RMV të besueshme dhe konsistente

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka arsimtarë të shkencave ekzakte, shkollat i zëvendësojnë me kuadër jo adekuat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë