“Jo luftë kundër Iranit, por kundër programit bërthamor”

    Zëvendëspresidenti amerikan Vance dhe ministri i Mbrojtjes Pete Hegseth thanë se ShBA nuk synon përmbysjen e udhëheqjes iraniane. Por vetë Trump, la të kuptohej se do të mbështeste ndryshimin në Iran.

    Pas sulmeve ajrore të ShBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, qeveria amerikane po përpiqet të qetësojë frikën për një shpërthim të gjerë në rajon. Zëvendëspresidenti i SHBA-së,  JD Vance, theksoi në NBC se ai është i përkushtuar për një rikthim në bisedime.  “Ne nuk po bëjmë luftë kundër Iranit, por kundër programit bërthamor të Iranit”, tha ai.

    Ne duam paqe, por paqe pa program bërthamor, theksoi Vance. Nëse iranianët do ta braktisnin këtë program njëherë e përgjithmonë dhe nuk do të sulmojnë ushtrinë amerikane, Irani mund të ketë marrëdhënie të mira me SHBA-në. Tani ekziston një mundësi për një “reseat”.

    Vance tha gjithashtu se me sulmet ShBA nuk e ndjek si qëllim përmbysjen e udhëheqjes iraniane . Ata nuk duan ndryshim regjimi, as nuk duhet të ketë trupa tokësore amerikane në vend. “Ne duam të flasim me iranianët për një marrëveshje afatgjatë”, tha Vance. Konflikti nuk duhet të zgjatet më tej. “Ne duam t’i japim fund programit të tyre bërthamor.”

    Por vetë Presidenti i SHBA-së Donald Trump, pas bombardimeve të ushtrisë amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit, la të kuptohej se do të mbështeste një ndryshim në udhëheqjen e Republikës Islamike. “Nuk është politikisht korrekte të përdoret termi ‘ndryshim regjimi'”, shkroi republikani në platformën e tij Truth Social. “Por nëse udhëheqja aktuale iraniane është e paaftë ta bëjë Iranin përsëri të madh, pse të mos ketë ndryshim regjimi??? MIGA!!!” Me shkurtesën “MIGA”, Trump aludoi për sloganin e tij – “Make America Great Again”- “Bëjeni Amerikën përsëri të madhe” (“MAGA”) – me I duke iu referuar Iranit.

    Hegseth: Trump nuk dëshiron një luftë të zgjatur

    Edhe ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha se Presidenti i SHBA-së Donald Trump e kishte bërë të qartë se nuk dëshironte një vendosje të pacaktuar. Kanalet e komunikimit me Teheranin mbeten të hapura. “Mund të konfirmoj vetëm se mesazhe publike dhe private po u transmetohen drejtpërdrejt iranianëve përmes kanaleve të ndryshme, duke u dhënë atyre çdo mundësi për t’u ulur në tryezën e negociatave.”

    Ashtu si edhe Vance, Hegseth theksoi se sulmet e SHBA-së nuk kishin për qëllim rrëzimin e udhëheqjes në Teheran. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se SHBA-të janë të afta t’i përgjigjen çdo hakmarrjeje nga Irani. “Ushtria më e fuqishme në botë është e përgatitur të mbrojë popullin tonë.” /DW/

    Lajmi Paraprak

    Belgjika do të vendosë kontrolle kufitare që nga vera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë