Unionet e studentëve të Universitetit të Tetovës, Universitetit “Nënë Tereza” dhe Universitetit të Evropës Juglindore i janë drejtuar përfaqësive diplomatike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke i njoftuar për organizimin e një proteste paqësore, njofton Nistori.
Protesta është paralajmëruar për më 6 prill, në orën 12:30, në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit. Studentët kanë ftuar përfaqësitë diplomatike që të monitorojnë zhvillimet lidhur me këtë çështje.
Sipas njoftimit, protesta synon të adresojë, siç thuhet, mohimin në praktikë të së drejtës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e drejtë kjo që studentët theksojnë se është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj.
Në komunikatën e tyre, unionet e studentëve kanë bërë të ditur se qëndrimet e tyre tashmë u janë përcjellë edhe përfaqësive diplomatike përkatëse. /Nistori/






